E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fytyra ndryshe e një universiteti

Nuk ka ndodhur asnjëherë, që, pas zgjedhjes së një rektori, të ketë pasur interes dhe vëmendje kombëtare me përmasa të tilla, siç po ndodh në Universitetin "Ismail Qemali" të Vlorës. Dhe kjo është e kuptueshme. Është e kuptueshme nga zhurma ‘mediatiko- patriotike‘ që u krijua dhe u amplifikua rreth emrit të Universitetit të Vlorës. Një filozof ka thënë: "Patriotizmi është strofka e fundit e batakçinjve". Pikërisht këta të fundit, me përvojë mjeshtërore, e shfrytëzuan lapsusin e rektorit për të arritur synimet e tyre personale: dorëheqjen e rektorit. Përse? Sepse ky rektor, i ardhur me vizione të reja i ‘çakordoi‘ antenat e radarëve të tyre, të cilët prisnin sinjale në përputhje me interesat e tyre të ngushta personale. E prisnin këtë, sepse kishin kontribuar për zgjedhjen e tij. E përderisa këto sinjale nuk i morën, padyshim do të vinte kjo sjellje e tyre e çoroditur dhe shqetësuese. U shfrytëzua kjo ‘fasadë‘ patriotike për të mbuluar problemet reale dhe shqetësuese të mbartura në këtë universitet, gjatë dhjetë vjetëve të kaluara.

Universiteti i Vlorës, për mungesë identiteti dhe për atë gjendje ngërçi që ishte krijuar, kishte nevojë për ndryshim. Dhe ky ndryshim, jo vetëm që ishte i domosdoshëm, por edhe i mundshëm. Shpalosja dhe përpjekjet për këtë ndryshim vunë në provë ndërgjegjen civile, dinjitetin akademik, identitetin intelektual dhe forcën morale të një stafi akademik, që votuan pro dhe kundër profesor Shaskës. Dhe nëpërmjet qëndrimit të këtij të fundit, u vu në provë zotësia jonë (e të gjithëve) për të bërë një nga ato kapërcime cilësore, që të ishte i ndryshëm nga klishetë paraardhëse. Kuptohet se ky ndryshim kërkonte edhe protagonizëm. Protagonizmi, për efektin apo impaktin që krijon në të dy kahet e tij, o gjeneron dobi, o shëmti.

Pikërisht, kjo e dyta u shkon për shtat të gjithë këtyre ‘zhurmëtarëve patriotë‘ që, në kërkim të protagonizmit të tyre, me veprime të shëmtuara kritikojnë protagonizmin e rektorit, i cili, për kushtet aktuale të universitetit, është një protagonizëm i dobishëm. Ndërkaq, protagonizmi i tyre i shëmtuar, vjen era mllef e zili. Dhe mllefi dhe zilia nuk janë filozofi, nuk janë programe dhe nuk përbëjnë një alternativë racionale për ndryshimin, ashtu siç e ka shpallur alternativen e vet ky rektor, në fillimin e platformës së vet, me guxim intelektual. Në programin e vet, Shaska thekson: "Ndryshimi kryesor i universiteteve tona me ato universitete të vendeve Perëndimore është se universitetet Perëndimore përgatisin specialistë për 50 vitet e ardhshme, kurse universitetet tona vazhdojnë ende të përgatisin specialistë për 50 vitet e shkuara. Në universitetet tona ka ende programe të vjetra, pedagogë të shkëputur nga realiteti, burokraci të madhe, të trashëguar nga metodat socialiste dhe marrëdhënie të ndrydhura ndaj studentëve".

Ky deklarim i guximshëm është thjesht një përfundim me pak fjalë që shpreh një realitet shqetësues, si për stafin akademik të universitetit ashtu edhe për familjet e studentëve. Dhe kjo është e kuptueshme. Është e kuptueshme se studentët me familjet e tyre, sot synojnë dhe kërkojnë natyrshëm nga universiteti një arsim bashkëkohor dhe duan të jenë të sigurt dhe të bindur për investimin që bëjnë në stadin final të diplomimit të tyre. Sepse që të punësohesh sot e në të ardhmen në ndërmarrjet private serioze, projekte apo organizma ndërkombëtare, këtu apo kudo qoftë jashtë vendit, kërkohen aftësi dhe merita të provuara. Dhe këta, të porsadiplomuarit mund t‘i dëshmojnë kryesisht në saj të dijeve që kanë fituar në universitet, të cilat, kur janë solide dhe bashkëkohore, mundësojnë integrimin dinjitoz dhe të shpejtë në botën e sotme globale. Pra, e thënë shkurt, ajo që kërkohet me forcë nga modeli "Shaska" për Universitetin e Vlorës, është cilësia e studentëve të diplomuar, si dhe shpejtësi e punësimit të tyre në funksion të tregut të punës. Dhe kjo kërkon që universiteti të ndryshojë filozofinë dhe logjikën e funksionimit të tij: jo universiteti të japë ofertën e komanduar nga lart, por një ofertë të integruar me kërkesat e tregut dhe shoqërisë, për produkte universitare, model, jo vetëm si specialistë të aftë në fushat përkatëse, por, në radhë të parë, si qytetarë të formuar me normat dhe standardet e demokracisë së të drejtës, të përgjegjshëm maksimalisht, për të nxitur zhvillimin e vendit. Kjo kërkon që, studenti të detyrohet sa më pak në zgjedhjen e lëndëve, apo ndjekjen e kurrikulave, duke i lënë atij hapësirë maksimale për t‘u bërë aktor i formimit të vet profesional, për t‘u bërë menaxher i aftësive të tij intelektuale, duke i ofruar një mjedis pedagogjiko-shkencor sa më cilësor dhe fleksibël. Pikërisht këtë filozofi nuk kuptojnë dhe nuk e suportojnë dot, disa pedagogë apo dekanë të Universitetit të Vlorës.

Theksojmë se prioritare në perceptimin e reformës "Shaska", është një paketë masash, ndërhyrjesh në statut dhe rregullore, rritje investimesh në infrastrukturë dhe pagesë të stafit, orientim i donatorëve drejt universitetit, përfshirjen e universitetit në projekte rajonale dhe euroatlantike, ku synohet adaptimi i kurrikulave, aftësimi profesional i stafit akademik dhe rivlerësimi i diplomave të studentëve.

Dhe reforma ka filluar. Ka filluar në funksion të atributeve që dallojnë profesoratin dinjitoz nga ai vegjetativ e i korruptuar, që diferencojnë integrimin e formimit akademik (që lidhet me disiplinat shkencore) nga ai profesional (që lidhet me kompetencat që i duhen studentit për të ushtruar profesionin e vet në jetë). Dhe e gjithë kjo, në shërbim të studentëve. Reforma ka filluar me ndryshimin e kurrikulave në formë e përmbajtje, jo thjesht duke ngjeshur programet, por duke i hartuar ato të tilla që, studentët të mos mbingarkohen dhe zbatimi i tyre të jetë i lehtë. Reforma ka filluar dhe kërkon t‘i jepet përgjigje pyetjes: si mund të adaptohen në kontekstin e universitetit, nocionet e cilësisë apo praktikat e cilësisë, cilat janë treguesit më të mirë dhe më të mundshëm për të shprehur dhe për të matur nivelin e cilësisë dhe evolucionin e saj.

Reforma ka filluar dhe kërkon kooperimin ndëruniversitar, brenda dhe jashtë vendit, zhvillimin e internetit, mobilitetin e pedagogëve dhe studentëve, nëpërmjet projekteve të ndryshme kooperimi.

Reforma ka filluar dhe kërkon zhvillimin dhe përvetësimin e teknologjive të reja të komunikimit dhe informacionit, përdorimin masiv të teknologjive të reja informatike, të cilat si rezultat i rritjes së vëllimit të njohurive, çojnë domosdoshmërisht në një përmbysje radikale të mësimdhënies në universitet. A duhet të ndryshojë mënyra e të mësuarit në universitet? Doemos. Pa dyshim! A duhet të ndryshojë globalisht apo pjesërisht sipas veçorive të çdo disipline apo fushe? Ǒdo të bëhet me të mësuarin tradicional? A duhet flakur plotësisht ai, apo ai do të shërbejë si bazë e këtyre ndryshimeve? Cilat do të jenë këto ndryshime? Këto dhe shumë pyetje të tjera shtrohen sot kundrejt stafit akademik të universitetit tonë, nën trysninë e ndryshimit dhe transformimeve që pëson sot shoqëria nën petkun e globalizmit.

Reforma ka filluar dhe kërkon që puna shkencore të ketë një strategji transformuese të vërtetë, e cila duhet të kultivojë veprimtari kërkimore e hulumtuese të të gjithë profesoratit e në mënyrë të veçantë të dekanëve. Të gjitha objektivat e kësaj pune varen nga funksionimi i fakulteteve dhe departamenteve, prandaj dhe modeli "Shaska" kërkon që roli i tanishëm i universitetit të zhvendoset gradualisht, drejt administrimit të tyre për formulimin e politikave dhe strategjive të lidhura veçanërisht me punën kërkimore shkencore dhe me rritjen e akreditimit të këtyre njësive, si dhe me kontrollin e cilësisë të stafit akademik për çdo fakultet dhe departament.

Ndërkaq theksojmë se, pjesa progresive e universitetit, që përbën shumicën absolute të stafit akademik, beson në një ndërgjegje reformuese dhe thellësisht ndryshuese në mënyrën administruese dhe menaxhuese të këtij institucioni, për ta futur atë në garën e madhe dhe të vështirë të konkurrimit, me kualitetet e universiteteve euroatlantike.

Dhe pasi të marrin fund përpjekjet dështake kundërshtuese, me siguri do të mbetet modeli "Shaska", i cili në thelb ka idenë se ndryshimi është i domosdoshëm dhe i mundshëm. E, kur themi këtë, ne nuk konfirmojmë se ky model do jetë i shkëlqyer. Askush nuk e di këtë. Atë që mund të themi sot është tjetër gjë: shpresa për ndryshim ka lidhje me zotësinë dhe vizionin e rektorit, për t‘i dhënë Universitetit të Vlorës një identitet të ri, një performancë të re, nëpërmjet një reforme me një platformë të qartë, e cila garanton cilësinë e performancën e tij. Pikërisht, kjo reformë po trondit dhe huton sot mediokrit dhe derivatët e tyre.

Në këtë optikë, edhe protagonizmi i këtyre intelektualëve, nuk do të ishte i shëmtuar nëse energjitë e tyre do t‘i harxhonin për konsolidimin e kësaj reforme. Sepse, ky vend, ky universitet ka nevojë për kontributin e secilit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›