E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët VIP që "turpërojnë" klubet

Tifozi më i keq i historisë? Adolf Hitler. Meqenëse në Angli sondazhet pëlqehen shumë, nuk mund të mos bëhej edhe ai i tifozit më të keq në histori. Pikërisht për të zgjidhur këtë dilemë ka menduar revista "Times", që u ka propozuar lexuesve dhe përdoruesve të internetit, duke i ftuar të votojnë për personazhin që nuk do të donin ta kishin kurrë si tifoz të skuadrës së tyre të zemrës. Në fakt, sipas përfundimeve, ai që ka marrë numrin më të lartë të votave ka qenë diktatori nazist, që gjatë Luftës së Dytë Botërore bombardoi Mbretërinë e Bashkuar. Diktatori gjerman, Adolf Hitler, ishte jashtëzakonisht i pasionuar pas futbollit dhe sidomos pas skuadrës gjermane Schalke 04, që çuditërisht nga vitit 1933 deri në vitin 1945 fitoi gjashtë herë rresht titullin e kampiones së Gjermanisë. Për sa u përket diktatorëve, Benito Musolini renditet vetëm në vendin e 27. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në pushtet Duçja shijoi dy herë rresht suksesin e kombëtares italiane të futbollit në kampionatin botëror të zhvilluar në shtëpi në vitin 1934 dhe në Francë në vitin 1934. Mes rezultateve është edhe lidhja mes Osama Bin Ladenit dhe Arsenalit, ku lexuesit në mënyrë qesharake imagjinojnë kreun e Al-Kaedës teksa kërkon me radio në dorë ndonjë vend në shpellat e Pakistanit, për të kapur valët e stacioneve që transmetojnë ndeshjet e Arsenalit të Arsen Vengerit. Askush nuk do ta kishte dashur si tifoz të skuadrës së tyre të zemrës as Zeljko "Arkan" Raznatoviç, mesa duket tifoz i çmendur i Partizanit të Beogradit. "Tigri", që nga parlamentar serb u bë protagonist i krimeve shtazarake në kohën e spastrimit etnik të luftës në Ballkan, u akuzua nga Kombet e Bashkuara për krime kundër njerëzimit. Në vend të katërt renditet Nik Hornbaj, autori i librit të famshëm për futbollin "Fever Pitch", që më vonë u bë një film i jashtëzakonshëm, që tregonte historinë e një tifozi të Arsenalit. Megjithatë Hornbaj akuzohet nga tifozët anglezë se kishte ndezur në klube dëshirën për të "përmirësuar" pritjen nëpër stadiume. Sipas tij, duhet të paguash që të shkosh nëpër stadiume për të parë ndeshjet e zemrës. Nuk ka asnjë shpjegim se si ka përfunduar në vendin e 16-të të klasifikimit Elton Xhon, me tifozët që i atribuojnë atij pasionin fëmijëror "Watfordin" e tij. Në vendin e 23 qëndron Kryeministri britanik, Gordon Braun, për të cilin kujtojnë pasionin e tij për një skuadër të divizionit të dytë skocez, kur vite më parë shiste në rrugë programin e kësaj skuadre. Për sa u përket këngëtarëve, askush nuk do të donte të kishte si tifozë në skuadër ish-këngëtaren e grupit "Spice girls", Melanie B (Leeds United), apo Pete Dohertin, ish të dashurin e modeles Kejt Mos, që mbështet skuadrën e Park Rangers. Nuk mungon as Emi Uajnhaus, as Mitlof, këngëtari i muzikës rok, apo Robin Uilliams, tifoz i "Port Vale"-s. Por, çuditërisht mes njerëzve të "urryer" është edhe Uejn Runi, sot idhull i Mançester Junajtid dhe kombëtares angleze, që e mori famën me fanellën e Evertonit. Dikur, kur luante në radhët e tij, Runi vishte një fanellë ku shkruhej: "Njëherë blu, përgjithmonë blu", që nuk harroi ta vishte as ditën që firmosi për Mançester Junajtid. Eh, kush do ta donte si tifoz? Por pas nuk ngelet edhe shoku i tij i kombëtares dhe ish-skuadrës, bukuroshi Devid Bekam. Vendimi për t‘u larguar nga anglezët e Mançesterit dhe për t‘u bashkuar me Realin e Madridit nuk mund ta linte futbollistin 33-vjeçar jashtë listës së tifozëve VIP më të urryer.

Tifozët

Tifozët anglezë duket se janë më të çmendurit në botë për sa i përket skuadrës së tyre të zemrës, ndaj herë pas here aty kryhen sondazhe të këtij lloji. Një sondazh i pak kohëve më parë tregoi se anglezët mendonin për skuadrën e tyre të zemrës çdo tri minuta dhe se preferonin të hiqnin dorë nga çdo gjë, përshi këtu edhe seksin, për të mos ngelur pa parë ndonjë ndeshje.

Po ashtu, shoqëritë angleze po studiojnë se për cilën skuadër bëjnë tifozllëk indianët që jetojnë në qytetin e tyre. Nuk është vetëm një diskutim njerëzor, por edhe çështje marketingu. Sepse, të gjithë emigrantët kanë një skuadër për të cilën bëjnë tifozllëk. Ku bazohet zgjedhja? "Shpesh dhe me dëshirë është klubi i qytetit ku jetojnë. Por, sigurisht, kampioni i kombëtares së tyre bën që preferencat të ndryshojnë". "Kur vijnë nga vende që kanë një futboll të bukur dhe kombëtare të fortë ngelen tifozë të kombëtares së tyre. Përndryshe vazhdojnë të bëjnë tifo për Brazilin. Pastaj vjen edhe Italia. Për shembull, emigrantët indianë që kanë ardhur prej kohësh në Itali përpiqen ta identifikojnë fanellën e kaltër me racizmin dhe format e tjera të paragjykimeve, me të cilat ndeshen çdo ditë. Ndaj nuk bëhen tifozë të saj.

Adolf Hitleri

Në Angli dihet që klasifikimet pëlqehen shumë. Atëherë përse nuk duhet bërë edhe sondazhi mbi tifozët më të këqij të futbollit në histori? Për këtë ka menduar "Times", që në vend të parë ka renditur Adolf Hitlerin, tifoz i çmendur i Schalke 04, kampion i Gjermanisë për gjashtë herë nga viti 1933 deri në 1945-ën

Osama Bin Laden

Në vendin e pestë të tifozëve më të urryer ndodhet Osama Bin Laden, që "Times" e përfytyron në ndonjë shpellë të Pakistanit teksa dëgjon në radio ndeshjet e Arsenalit

Këngëtarët

Për sa u përket këngëtarëve, askush nuk do të donte të kishte si tifozë në skuadër ish-këngëtaren e grupit "Spice girls", Melanie B (Leeds United), apo Pete Dohertin, ish-të dashurin e modeles Kejt Mos, që mbështet skuadrën e Park Rangers. Nuk mungon as Emi Uajnhause, Mitlof, apo Robin Uilliams

Zeljko "Arkan" Raznatoviç

Askush nuk do ta kishte dashur si tifoz të skuadrës së tyre të zemrës as Zeljko "Arkan" Raznatoviç, mesa duket tifoz i çmendur i Partizanit të Beogradit. "Tigri", që nga parlamentar serb u bë protagonist i krimeve shtazarake në kohën e spastrimit etnik të luftës në Ballkan, u akuzua nga Kombet e Bashkuara për krime kundër njerëzimit


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›