E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tom Cruise: Një tjetër sfidë me të panjohurën

Filmi i Tom Cruise, premiera e të cilit pritet të dalë më 26 dhjetor, mban titullin "Valkirye", sipas emrit të koduar të operacionit për realizimin e një atentati ndaj Adolf Hitlerit. Me regji të Brajan Singer, filmi është frymëzuar nga historia e vërtetë e një grupi zyrtarësh gjermanë, që në kulmin e Luftës së Dytë Botërore urdhëruan një atentat (që sigurisht dështoi) kundër Hitlerit. Ylli amerikan interpreton kreun e komplotistëve, kolonelin Claus von Stauffenberg. Cruise, që sot është 46 vjeç, (i mbushi në muajin gusht), i martuar me aktoren Katie Holmes, me të cilën ka edhe një vajzë (dhe dy të adoptuar me aktoren Nikole Kidman), flet për "Valkirye", një film i shumëpritur dhe shumë i diskutuar nga adhuruesit e tij në Amerikë e në botë, por që sigurisht e ka kaluar me sukses provën e kritikëve dhe historianëve.

Tom, me çfarë vështirësish je ndeshur gjatë xhirimit të "Valkirye" në Gjermani?

Ju siguroj se na kanë trajtuar shumë mirë. Nuk kemi pasur asnjë problem, përveçse disa tensioneve në fillim. Nëse dikush do të ketë folur, me siguri që do ta ketë bërë pas krahëve të mi. Mendoni, vetë qeveria gjermane na e financoi pjesërisht realizimin me sukses të filmit.

Ju jeni edhe producenti ekzekutiv në këtë film, i realizuar nën mbikëqyrjen e "United Artists", studioja që dy vjet më parë premtoi se do t‘ju kthente lavdinë e dikurshme. Beson se "Valkirye" do të ndikojë në këtë rilindje?

Gjithmonë shpresohet që një film të ketë sukses. Unë përpiqem që filmat e mi të pëlqehen nga publiku. Megjithatë, rezultati është gjithmonë i panjohur. E di se ka ende polemika për shkak të protagonistëve, zyrtarëve të lartë nazistë, figura që ende përfaqësojnë një tabu. Për më tepër është një film që, edhe pse tregon një ngjarje historike të ndodhur në Gjermani, është realizuar në Hollivud. Mënyra e të kundërshtuarit është paksa e ekzagjeruar. Stauffenberg lufton kundër nazizmit dhe Fuhrerit, është një patriot i shtyrë nga ideale demokratike.

Çfarë efekti ju ka bërë që si aktor të interpretoni një person që ka ekzistuar vërtet dhe në një kontekst kaq tragjik?

Është hera e dytë që më ndodh. Në filmin "I lindur më 4 korrik", isha Ron Kovic, heroi i Vietnamit i kthyer në një ushtarak paqësor. Eh, në fakt atë e kisha njohur personalisht, ndërsa për Stauffenberg më është dashur të bëj mjaft kërkime dhe të studioja një kapitull të historisë që e njihja shumë pak. Një eksperiencë e vështirë, por që më ka dhënë shumë kënaqësi. Nuk ka pasur rol në kinema që nuk e kam përballuar me shpirtin e sfidës, duke nisur nga Ethan Hunt i "Mission Impossible", te manjati i urryer në "Tropic Thunder".

Çfarë raportesh keni me Gjermaninë?

Gjendesha në Berlin në kohën kur u rrëzua Muri, ishte një emocion i madh për mua. Kam studiuar historinë e rezistencës gjermane, që tregon se jo të gjithë ishin pasues të Hitlerit. M‘u duk e rëndësishme ta kujtoja këtë këndvështrim, në mënyrë të thjeshtë dhe spektakolare, sepse për mua kinemaja, para së gjithash, është një mënyrë për t‘u argëtuar.

Na trego diçka më shumë për Stauffenberg? Kush ishte dhe si ishte?

Një ushtarak i zoti, njeri i letrave, që përçmonte doktrinën nacionalsocialiste të Hitlerit. Stauffenberg ishte një poet me ndjeshmëri dhe inteligjencë të madhe, i aftë që të "shkallmonte" sferat e larta të hierarkisë ushtarake. Pikërisht në çastin që mësoi se kush ishte Fuhrer, mendoi vetëm për eliminimin e tij.

Mund të më thoni se kush është tani Tom Cruise?

Një njeri që gjithmonë ka dashur të bëjë filma të bukur dhe ta vendosë veten në provë. Kam ambicie dhe jam i vendosur nëse dua të bëj diçka. Jam i disiplinuar dhe dua që ta argëtoj publikun. Me rrjedhën e viteve jam rritur si njeri dhe si artist, ndaj sot më duket se e dua akoma më shumë punën time. Lexoj vazhdimisht shumë skenarë dhe punoj me miqtë rreth projekteve të tyre. Do të doja të bëja më shumë komedi.

Po bashkëshortja juaj, Katie Holmes, është kaq e lirshme dhe e sigurt në vetvete sa ju?

Katie kupton gjithçka që në ajër. Është një grua e fortë, inteligjente dhe delikate. Sigurisht që nuk i pëlqen kur shtypi flet vazhdimisht për një krizë mes nesh. Por jemi një familje e lumtur që gëzon mbështetjen e miqve dhe të afërmve. Në këtë ambient është e domosdoshme të besosh tek ata që të qëndrojnë përreth.

Keni ndonjë plan për t‘i dhuruar Surit ndonjë motër ose ndonjë vëlla?

Sipas thashethemeve që qarkullojnë nëpër gazeta, Katie ka ngelur shumë herë shtatzënë këto kohët e fundit. Sigurisht që do kemi fëmijë të tjerë, kjo është e sigurt. Kur lindi Suri u larguam disa muaj nga kinemaja, por tani Katie është sërish në punë dhe për këtë është e kënaqur. E vetmja gjë që na pengon për të pasur një fëmijë të dytë është puna.

Si është jeta juaj e përditshme?

Luaj futboll dhe shoh shumë televizor e filma. Darkojmë shpesh jashtë me gjithë familjen, edhe kur me ne janë edhe dy fëmijët e mi të mëdhenj. Çdo mëngjes flasim për shkollën, për librat që lexojmë, për detyrat, se çfarë do të bëjmë për Krishtlindje, apo për Vitin e Ri. Me pak fjalë si çdo familje e bashkuar.

Një koment për Barak Obamën?

Jam i lumtur që u zgjodh. Më duket njeri shumë simpatik, por mbi të gjitha më bën të ndihem optimist për të ardhmen. Me drejtimin e tij jam i sigurt se gjërat do të përmirësohen ndjeshëm si këtu në Amerikë, ashtu edhe në të gjithë botën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›