E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kozma Lara: Kur na kritikonin për shkelje morali"

I ulur në një nga karriget e sallës së Te
atrit të Operës ndjek me vëmendje çdo
tingull që ka hedhur në partitura. Gati
pa dashje, këto ditë kompozitori Kozma
Lara ka ndërmarrë një udhëtim nostalgjik
në krijimtarinë e tij të pas ‘90-ës. Sot në
mbrëmje, ora 19.00, një koncert me pjesë
shqiptare dhe të huaja do të sjellë një portret
të Larës. Kompozime mbi poezitë e
Lasgush Poradecit, përjetime kanadeze,
sonata për violinë e piano, korale etj., vijnë
në një natë të vetme, të interpretuara nga
solistët instrumentistë dhe Kori Koral i Operës,
dirigjuar nga Dritan Lumshi. Në një
ditë të tillë, kompozitori i ka të pashmangshme
kujtimet. "Kam punuar shumë. I jam
kushtuar me vullnet e pasion krijimtarisë
nga koha në kohë, kam rendur drejt
kërkimesh të reja në zgjidhjen e problemeve
krijuese. Një pjesë e mirë e veprave
të mia janë krijuar para viteve ‘90. Ndërsa
vitet më pas më sugjeruan që të përfshij një
dimension më të gjerë, të trajtoj në thellësi
dhe gjerësi problemet që rrok koha sot në
drejtim të lëvrimit të zhanreve të ndryshme
të përfshira në muzikën klasike dhe të
dhomës. Individualitetin tim krijues po e
pasuroj, duke i marrë kohës së sotme atë
që është e re, ato tingëllima që mund t‘i
përdor pa qenë i varur dhe i paragjykuar,
qoftë edhe ideologjikisht", shprehet kompozitori.
Edhe Lara është pjesë e atij brezi
që patën fatin të studiojnë në një nga konservatorët
më të njohur, "P.I. Çajkovski" në
Moskë. Nga ajo kohë ruan kujtime të pashlyeshme.
Pasi studioi për piano në Liceun
Artistik, fillimet si krijues i ka në qytetin e
lindjes. "Në Durrës jam marrë me kompozime
për fëmijë apo të rritur dhe kam dhënë
kontributin tim si pianist në lëvizjen muzikore
të qytetit. Më 1959-ën shkova në
Moskë për studime në konservatorin ‘P.I.
Çajkovski‘ për të studiuar kompozicion me
prof. Sergei Artemoviç Ballasanian dhe
Çesk Zadenë". Ai shprehet se gjatë asaj
kohe nuk mendoi asnjëherë të qëndronte
në Rusi. Individualitetin e tij krijues ia dedikon
edhe kulturës e vlerave shqiptare që e
mbrujtën. Kjo, edhe pse vitet që do të vinin
nuk do t‘i linin të shpreheshin lirisht, qoftë
edhe artistikisht. "E kam vlerësuar që
herët pavarësinë dhe prirjen drejt lirisë së
krijimit, individit e artistit, por nuk kam
harruar për asnjë moment që në veprimtarinë
time krijuese të mëshiroj dhe përpunoj
ato elemente karakteristike të kulturës
sonë muzikorë, atë pasuri popullore
shumë të çmueshme", shprehet Lara. E
quan mbrapshtësi atë që iu bë artistëve
të para ‘90-ës. Ai ishte një prej tyre. Teksa
u thërret kujtimeve, Kozma Lara tregon se
"iniciativat tona për të thënë diçka që i
paraprinte kohës dhe për të rrokur atë që
ishte e re, e freskët në mendime, apo edhe
më afër nga ana profesionale, ishin të kufizuara.
Kur e kujtoj sot, e kuptoj sa kohë
kemi humbur". Edhe ai e ka pasur një
përvojë personale. Nuk u ka shpëtuar kritikave
për modernizëm apo shkelje të
moralit, ndonëse tërthorazi. Ishte kompozitor
në baletin "Fatosi partizan",
vënë në skenë në vitin 1968. "Në një nga
konkurset kombëtare që zhvilloheshin
pas viteve ‘60, kjo vepër me përmasa të
gjera skenike, me temë nga Lufta Nacionalçlirimtare,
fitoi çmimin e parë nga një
komision autoritar. Baleti u vu në Teatrin
e Operës dhe Baletit me koreografi të
mjeshtrit Panajot Kanaçi. Për çudinë e
kolektivit të këtij institucioni dhe timen,
me një ndërhyrje nga ‘lart‘ merret në
shqyrtim momenti kur heroina kryesore,
në përpjekje për krijimin e një figure artistike
madhore ngrihet lart nga partneri i saj.
Për këtë ai mbështet duart në vithet e saj.
Për ata ‘lart‘, ky ishte një gabim moral dhe
ideologjik", kujton Lara. Pas kritikave,
prisnin edhe më të keqen. Por kjo nuk ndodhi.
Me disa ndryshime, pjesa u vu sërish
në skenë. Në kohët e sotme studiuesve të
koreografisë mund t‘u duket e çuditshme.
Por kjo nuk e ndaloi që të vijonte me krijimtarinë
e tij. Edhe sot, përveç pedagogjisë,
shumë kohë i kalon para partiturave.
"Ditët i kam të ngjeshura. Punoj me
intensitetin që kam pasur ndër vite. E
ndiej veten gjithnjë në punë, në
shfletimin e partiturave të reja, të atyre
veprave bashkëkohore që më japin ushqim
të përditshëm për figurat e hapësirat.
Jam në kontakt të përditshëm me autorët
e muzikës klasike si Bah, Mozart,
Bethoven, të cilët ndjekin De Bysy dhe
Ravenin, më nxisin që të arsyetoj e të njihem
me filozofinë e tyre krijuese. Sigurisht
që i kam për zemër edhe romancat shqiptare",
tregon Lara. Ndërsa rri e dëgjon
tinguj që ka kompozuar më parë, të tjera
shtigje hapen ndërkohë. Gati në mënyrë
të pandërgjegjshme ai po formulon në
kokë melodinë e radhës që do të mbushë
partiturat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›