E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ftesë për figurën e shqiptarit

Si gjithçka tjetër në jetë, edhe ideja për të shkruar mbi "Arratisjen nga burgjet e historisë" e ka një zanafillë. Për publicistin dhe studiuesin Pirro Misha, ideja e të shkruarit këtë libër lindi disa vjet më parë, kur mori një ftesë nga Universiteti i Londrës, për të mbajtur një ligjëratë në seminarin me temë "Miti dhe realiteti në Shqipëri", që organizonte Shkolla e Sllavistikës dhe e Studimeve të Evropës Lindore e këtij universiteti. Teksa rrekej të veçonte disa prej miteve më kryesore që përbëjnë sot boshtin e identifikimit kolektiv të shqiptarëve, ai kuptoi se për këtë duhej të shkonte diç më thellë në histori për të parë si ishin krijuar, përpunuar, përzgjedhur, apo më tej ndryshuar elementët përbërës të këtij identiteti. Atëherë atij i duhej të arrinte të kuptonte, tej klisheve të versionit zyrtar të historisë. Të kuptonte se si qe vënë në lëvizje e qe zhvilluar ai proces historik, që kish bërë të mundur kalimin nga "brenga e thjeshtë dhe instiktive e katundit në formën e një aspirate kombëtare dhe patriotike". Mit‘hat Frashërit thoshte që "lokalisma dhe kantonizma t‘i lenë vendin patriotismës; tendencat ndarëse dhe mërgonjëse të fillojnë të peshojnë drejt një pike të vetëme; krahinat dhe elementët që e kishin kujtuarë veten të ndarë dhe të huaj nga njëri tjetri nisin të njësohenë, të ndjehenë solidarë. Me një fjalë fiset të bëhen komb". "E thënë me fjalë të tjera, për të marrë vesh se ç‘do të thotë sot të jesh shqiptar, më parë, në një mënyrë a një tjetër, duhej të kuptoja atë proces, që dikur kish ngjizur një identitet kolektiv shqiptar, të ndërtuar në rrafshin historik, subjektiv e simbolik", shkruan autori, ndërsa ngre edhe pyetjen: "Ǒmë lidh mua me këtë vend?". Një pyetje e tillë është më se e natyrshme. Ajo zakonisht zë fill kur e ndjen veten të lodhur nga mungesat, nga marrëzia, vrazhdësia, shëmtia, atëherë kur të duket sikur kupa e durimit është mbushur: mbrëmjeve të ftohta të dimrit pa drita, kur të kaplon mërzia e pangushëllueshme, në rrëmujën e rrugëve dhe bezdinë e lodhshme të pluhurit apo llucës (sipas stinës). Ndodh që kjo pyetje të vjen teksa je duke ndërruar stacionet televizive dhe sheh të përsëriten pafundësisht të njëjtat fytyra politikanësh apo sharlatanësh që të duket sikur të kanë marrë peng një pjesë të jetës. Diçka të ngjashme mërmërit me vete kur këqyr turmën që të ka mbushur ditët e shtatëmbëdhjetë viteve të fundit me mitingje, me shpresa e zhgënjime, me frikë e pasiguri; atë turmë që e ke parë të përfshihet aq lehtë nga gazmendi i çmendur i shkatërrimit dhe urrejtjes. Dhe, ndonëse rrekesh të marrësh një distancim intelektual nga njeriu-turmë, duke i thënë vetes se çibani i mbushur me qelb në shekuj varfërie e injorance do dojë kohë derisa të zbrazet e të thahet. Shtëpia botuese "Toena" sapo ka hedhur në qarkullim, përmbledhjen me ese e studiuesit dhe publicistit Piro Misha. "Arratisja nga burgjet e historisë", me nëntitull "Ǒdo të thotë sot të jesh shqiptar", vjen si një ftesë për debat në lidhje me identitetin e shqiptarit në shekuj dhe gjendjen aktuale të zhvillimeve sociale e në mënyrë të veçantë intelektuale në botën shqiptare. Ǒdo të thotë sot të jesh shqiptar? Si ka ndryshuar përfytyrimi që kemi për veten? Ǒefekt kanë pasur zhvillimet e ngjarjet e viteve të fundit në mitet, simbolet, kujtesat apo vlerat që lidhin së bashku një popull, i cili, pas një izolimi aq të gjatë nga bota, e ka të vështirë të krijojë një imazh për veten?... Ku po shkojmë?

Çështjet e identitetit të shqiptarëve, autori i sheh jo vetëm në prizmin historik, por edhe në prizmin aktual, dhe për më tepër në prizmin perspektiv. Në lojë është në të vërtetë problemi i orientimit të ardhshëm gjeopolitik të shqiptarëve. Për autorin është e rëndësishme t‘i bësh vetes pyetjen: si shpjegohet që identiteti kombëtar është aq i fuqishëm edhe atëherë kur, të qenit shqiptar, fatkeqësisht, s‘të jep shumë arsye të ndjehesh krenar? "Një pyetje të tillë ia kam bërë vetes kur jam ndodhur përballë kontrollit të pasaportave në pikën kufitare të cilitdo vendi evropian, atëherë kur mbi vete ndien hijen e rëndë të dyshimit e nënçmimit, vetëm e vetëm sepse mban një pasaportë, në të cilën shkruhet shtetësia që ke. Në ato çaste kur përbrenda provon një pështjellim të çuditshëm ndjesish...", vazhdon më tej Misha. Por e gjithë kjo gjendje, e shtyn drejt një dëshire të madhe për t‘iu shpjeguar të gjithëve se në Shqipëri nuk ka vetëm mbrëmje të trishtuara dimërore pa dritë, as plehra, as vrazhdësi primitive, as varfëria, as kriminel të paskrupullt, as prostituta: Shqipëria, ashtu si çdo vend tjetër, është shumë më tepër se sa kaq... "Unë vetë jam pjesë e saj", shton Misha. Faik Konica, shkruante: "Dëshira që vendi të lulëzojë të bën pak nga pak të ëndërrosh se lulëzon, dhe largimi i gjatë të këllet ca më thellë në gjumë dhe ta shpie shpirtin dhe mendjen në një botë të bukur, e cila s‘ka trup dhe s‘ndodhet gjëkundi veçse në tru të ëndërronjësit. Po le të marrë fund gjumi dhe menjëherë e sheh veten të rrethuar me gjëra të shëmtuara. Të do zemra të futesh përsëri në gjumë e të kthehesh në botën e lulëzuar, nga e cila sapo dole; po më kot! Një ëndërr e zhdukur nuk përsëritet".

Tetëmbëdhjetë vjet të shkuara, shqiptarit ia nxorën gjumin. Ai kuptoi se jeta ofronte shumë më tepër nga ç‘kishte pandehur. Tetëmbëdhjetë vjet më parë identiteti ynë kolektiv pësoi një krisje të madhe, dramatike: Një ëndërr u zhduk. Dhe zgjimi ishte tronditës dhe… qesharak (prapë Konica) dhe, pa dyshim, ca i marrë. Që atëherë ne vazhdojmë të ringremë me shumë vështirësi ngrehinën gjysmë të rrënuar të identitetit tonë... "Shqipëria, or tungjatjeta, punë e ngatërruar shumë", psherëtin personazhi i Kadaresë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›