E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Pallati me 7 kate shtesë është një "bombë" e aktivizuar

Pasditen e djeshme, në një deklaratë për mediat, ministri Olldashi tha se Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit ka paditur kryebashkiakun e Durrësit, duke e akuzuar se nuk ka zbatuar vendimin e KRRT-së Durrës, duke lejuar ndërtimin e një pallati 21-katësh, që kishte leje ndërtimi vetëm për 12 kate. Ministri i Punëve Publike është ndalur te rrezikshmëria e lartë që ka objekti për banorët e pallatit, ndërsa poshtë tij ndodhet një pikë karburanti. "Kallëzimi penal i Inspektoratit Kombëtar të Ndërtimit është depozituar dje në Prokurorinë e Durrësit. Pallati ka 9 kate mbi lejen e ndërtimit. Ai sot ka mbetur me 21 kate, ndërkohë që leja fillestare e dhënë në vitin 2001 nga ish-kryetari i Bashkisë të Durrësit, Miri Hoti, ka qenë fillimisht për 12 kate, më pas me një shtesë mbi lejen në vitin 2003 janë lejuar dhe 2 kate të tjera. Mbi to janë shtuar edhe 7 kate të tjera", tha Olldashi, që ka kërkuar evakuimin e banorëve dhe prishjen e 7 kateve pa leje, për të shmangur rrezikun e jetëve njerëzore. "Ai nuk është më një pallat, por është një bombë e aktivizuar që mund të pëlcasë nga momenti në moment", ka thënë Olldashi, duke argumentuar kështu kallëzimin penal ndaj Dakos për papërgjegjshmëri në ndërhyrje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›