E Diel, 1 Nëntor 2026

G. Lika: Tirana nuk e nënvlerëson Kastriotin, fitojmë dhe dalim të parët

Nga ERJON SALIU

Në merkato nuk kemi qenë prapa në krahasim me rivalët, e rëndësishme është që është ruajtur grupi, kështu ia dalim për titullin dhe Kupën

Tirana u ka dhënë dje dorën e fundit përgatitjeve në prag të sfidës së dytë çerekfinale, që do të luhet sot me Kastriotin në orën 14:00 në stadiumin Qemal Stafa.  Skuadra e trajnerit Hulian Rubio, në këtë ndeshje decizive, do të kërkojë që ti rikthehet fitores në Kupë, pas barazimit në përballjen e parë çerekfinale të zhvilluar në Ballsh një javë më parë ku mori vetëm një pikë.

Mesfushori i kryeqytetasve dhe ekipit tonë kombëtar, Gilman Lika, thotë se ndeshja e sotme me Kastriotin duhet vlerësuar, sepse mund të sjellë edhe të papritura. Në një prononcim të dhënë për Sportin shqiptar, përpara përballjes me krutanët, pohoi: Ne jemi përgatitur për ndeshjen me Kastriotin sepse është shumë e rëndësishme, duke qenë se Kupa është një nga objektivat kryesorë që kemi ne si skuadër këtë sezon.

Sot kemi përballë një skuadër si Kastrioti, pretendente reale si në kampionat ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë. Këtë herë ne do të synojmë të fitojmë pas barazimit në ndeshjen e parë në Ballsh. Duhet të marrim tri pikët, sepse Tirana këtë sezon nuk e ka luksin të nënvlerësojë asnjë ekip, cilido që të jetë, Kastrioti që pretendon apo një tjetër që synon të mos dalë nga kategoria. Edhe në këtë grup synojmë të dalim të parët, – pohoi fillimisht mesfushori Gilman Lika, i cili vazhdon të mbetet një nga pikat e forta të skuadrës kryeqytetase.

Afrimet Tirana deri më tani ka afruar disa lojtarë, pjesa më e madhe nga superliga, duke filluar që nga portierët Kuka e Sejdo, për të vijuar me mesfushorin Gjata dhe kosovarin Aziri, si dhe sulmuesin kavajas Cikalleshi. Sipas Likës, afrimet i bëjnë mirë skuadrës, qoftë edhe për të rritur konkurrencën.

Gara është e gjatë, pavarësisht se kush lojtarë kanë ardhur dhe në çfarë gjendje fizike mund të jenë, ne na duheshin përforcimet sepse jemi ekip që synojmë të fitojmë titullin dhe Kupën, duke qenë se të gjithë pretendentët u përforcuan edhe ne nuk kemi mbetur prapa në këtë drejtim. Organika është e plotë. Kështu që afrimet në portë, mesfushë dhe sulm them se do të jenë efikase. Ë rëndësishme është që Tirana ruajti grupin e fazë së parë dhe nuk pati asnjë largim.

Tifozët Sot është ndeshja e parë për këtë vit që Tirana do të luajë në Qemal Stafa në prani të tifozëve të saj, që kanë kohë që presin e presin këtë moment. Gilman Lika thotë se kjo është një arsye më shumë për të fituar ndaj Kastriotit, ndaj gjen rastin që ti ftojë tifozët ta mbështesin ekipin deri në fund të vitit. Luajtëm në Ballsh dhe na mbështetën një pjesë e tifozëve, ata më besnikët.

Sot është ndeshja e parë për këtë vit që ne luajmë në shtëpinë tonë, ndaj i ftoj të gjithë tifozët që të jenë sa më të shumtë në numër, sepse është një përballje shumë e rëndësishme. Ne nuk do ti zhgënjejmë, sepse do të bëjmë të pamundurën për të fituar, – theksoi në fund të fjalës së tij mesfushori i Tiranës, Gilman Lika.

2 shkodranë luajnë aktualisht si titullarë te bardheblutë, pikërisht mesfushori Gilman Lika dhe sulmuesi Bekim Bala

1 herë është ndeshur Tirana me Kastriotin për kampionat, ku bardheblutë fituan me rezultatin 3-2 në Krujë dhe Gilmani shënoi edhe golin e barazimit

4 pikë më shumë se krutanët kanë kryeqytetasit në kampionat, skuadra e Rubios mban vendin e dytë ndërsa ajo e drejtuar nga Ndreu ndodhet dy shkallë më poshtë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›