Vllaznia nuk sheh dënimet e rivalëve, do pikë në Vlorë
Kuqeblutë nuk e shohin veten të favorizuar nga vendimet e djeshme të Disiplinës, ata do të luajnë njësoj, duke kërkuar më të mirën
Ndodh edhe kështu. Përplasen Skënderbeu dhe Flamurtari dhe përfiton Vllaznia. Kështu mund të cilësohet ajo që po ndodh aktualisht në futbollin shqiptar. Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së, i mbledhur dje në drekë për të analizuar ndeshjen Skënderbeu-Flamurtari, e luajtur ditën e martë dhe e shoqëruar me shumë incidente, ka vendosur të dënojë fushën e korçarëve dhe njëkohësisht t’u zbresë 3 pikë vlonjatëve.
Këta dy ekipe janë rivalët e Vllaznisë në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë dhe prandaj shkodranët tashmë janë të favorizuar së tepërmi për të kaluar në turin tjetër të kupës. Para ndeshjes së të dielës, që do luhet në Vlorë, Flamurtari ka minus 3 pikë në renditje dhe mjafton një barazim i Vllaznisë në këtë ndeshje, për t’i dhënë fund ndoshta gjithçkaje.
Nga ana tjetër, Vllaznia është favorizuar edhe nga dënimi prej 8 ndeshjesh i fushës së Korçës, që do të thotë se ndeshja e kthimit e Kupës nuk do luhet në Korçë, por në një fushë asnjanëse. Kësisoj, kuqeblutë janë më të favorizuar se kurrë pikërisht në momentin kur u duk se ata kishin pak shpresa për të kaluar në gjysmëfinalen e Kupës.
Madje, edhe publikisht trajneri Vata deklaroi se skuadra e tij nuk ishte e favorizuar, në krahasim me Skënderbeun dhe Flamurtarin. Por pas vendimeve të djeshme të Komisionit të Disiplinës, me plot gojën, mund të thuhet se Vata dhe Vllaznia kanë qenë me fat. Ata tashmë e shohin veten edhe më afër kalimit në gjysmëfinale.
Drejtuesit shkodranë, megjithatë, nuk duan të merren shumë me heqjen e pikëve për Flamurtarin pikërisht në ndeshjen ndaj tyre. Për ta është njëlloj si më parë, pavarësisht se njëri nga kundërshtarët e tyre tashmë ka tri pikë më pak në renditje. Drejtuesit kuqeblu nuk kanë pasur fare dëshirë të shprehen për një çështje të tillë, por janë mjaftuar duke thënë: Për ne njëlloj është.
E vlerësojmë ndeshjen me Flamurtarin njëlloj si më parë. Nëse nuk arrijmë të mbledhim pikët e duhura, sërish nuk jemi të kualifikuar. Kuptohet, një deklaratë e tillë është edhe politike, për të mos u gëzuar para kohe. Normalisht që duhet vepruar ashtu, sepse të mendosh se je kualifikuar tashmë që Flamurtarit i janë zbritur 3 pikë dhe Skënderbeu do luajë 8 ndeshje jashtë, është paksa e parakohshme.
Trajneri Vata me siguri që do të tregohet profesionist i vërtetë edhe në këtë drejtim, për ta motivuar ashtu siç duhet skuadrën në këtë pragndeshje. Ai e ka shprehur hapur pikësynimin për të marrë pikë në çdo fushë ku luan, qoftë kjo edhe ajo e nesërmja e Vlorës. Ballafaqimi me Flamurtarin do të shërbejë për të parë edhe Vllazninë e vërtetë në fushë. Vata mendon se skuadra e tij aktuale është shumë më e fortë se ajo që ka pasur në dispozicion deri në fund të dhjetorit.
Ndoshta jo nga emrat, por nga përgatitja, nga serioziteti me të cilin është punuar dhe shumë gjëra të tjera. Edhe deklarata e tij se Vllaznia nuk është pretendente në kupë, ka qenë shumë kuptimplote, për ti lënë futbollistët e tij larg presionit. Shumë prej tyre janë të rinj, këta të huajt që kanë ardhur ende nuk janë ingranuar mirë dhe, për rrjedhojë, kjo është zgjidhja ideale.
