Hithi: Luftëtarin nuk e ndal askush drejt superligës
Mbrojtësi kryeqytetas, Indrit Hithi, thekson se ekipi gjirokastrit është i papërmbajtshëm dhe nuk e diskuton ngjitjen në elitën e futbollit shqiptar
Luftëtari dhe Partizani kanë qenë aleatë jo vetëm për emrat e një familjeje. Partizani, mjaft nga tepricat, përpara vitit 1990, i sillte në Gjirokastër, ndërkohë që edhe tre nga më të mëdhenjtë e Luftëtarit, Th. Kalluci, S. Braho dhe L. Millo i kanë shërbyer ekipit legjendar, aktualisht në kategorinë e dytë.
Diçka e pabesueshme, por kështu kanë rrjedhur ngjarjet. Për fazën e dytë, te Luftëtari erdhi edhe Indrit Hithi, i cili ka lindur në Tiranë, më 05.02.1990 (urime për ditëlindjen). Për 3 sezone, nga ai 2008-2001, ka luajtur me Partizanin, madje ka qenë edhe kapiten i tij. Hithi luan si mbrojtës qendre, ose në krahun e djathtë të saj.
Ka luajtur mbi 20 ndeshje me kombëtaret U-17, U-19 dhe U-21. Gjatë fazës së parë të sezonit në vazhdim luajti për Laçin dhe për fazën e dytë erdhi te Luftëtari për ta ndihmuar këtë ekip për objektivat që kanë.
Hithi Për ekipin e tij të ri dhe objektivin e tij, Hithi thotë: Erdha te Luftëtari, pasi jam në dijeni që është ekip me mjaft tradita dhe që ka nxjerrë disa futbollistë me famë. Edhe unë dëshiroj të marr pjesë në rikthimin e tij në superligë, gjë që do të më shërbejë edhe personalisht si trampolinë për kombëtaren U-21, ndoshta për Partizanin e së ardhmes dhe kombëtaren, gjëra që do të varet nga rendimenti im.
Këtu në Gjirokastër kemi një shoqëri të shkëlqyer, ambient futbollistik shumë të mirë, bëjmë stërvitje intensive, me në krye trajnerin Nevil Deden, me të cilin isha edhe te Laçi dhe kam respekt. Luftëtari ka objektiv rikthimin në superligë dhe, me sa po ndjek, është diçka e padiskutueshme, sepse ky ekip ka si kundërshtar në kategorinë e parë vetëm veten.
Nuk është pak të kryesosh me 3 pikë më shumë, edhe pse me 1 ndeshje më pak, e prapambetur me Kukësin në Gjirokastër. Jam në fillimin e karrierës futbollistike, ndaj kam ambicje për rritjen e lojës sime, dhe për këtë, në çdo ndeshje, do të jap maksimumin.
Ndeshja inauguruese në Vlorë do të jetë edhe premjera zyrtare për mua me fanellën e Luftëtarit dhe besoj se do të fitojmë për tu gëzuar vetë, për të gëzuar tifozët e Luftëtarit dhe mbi të gjitha të vazhdojmë të kryesojmë me dinjitet, në kërkim të shkëputjes nga rivalët. E ritheksoj se Luftëtari këtë sezon është i papërmbajtëshëm dhe pa diskutim do të kthehet në superligë.
