G20, një nga frenimet më të mëdha pas Luftës II Botërore
Ministri i Jashtëm i Norvegjisë e ka cilësuar G20 grupin e 20 vendeve më të industrializuara të botës, që do të takohet këtë fundjavë në Toronto të Kanadasë si ‘frenimin më të madh” për komunitetin ndërkombëtar që nga Lufta II Botërore. Në një intervistë për një revistë gjermane, Jonas Gahr Store shpjegon se përse organizata nuk do të funksionojë në këndvështrimin afatgjatë.
Këtë fundjavë, G20 takohet në Toronto. Ju jeni kundër kësaj organizate. A mos vallë ky kundërshtim ka të bëjë me mosprezencën në këtë grup të Norvegjisë që është edhe një ndër vendet më të pasura të Europës?
Jo. G20 kishte një kuptim kur filloi kriza financiare dhe situata ishte shumë serioze e si pasojë duheshin marrë vendime të shpejta për të qetësuar tregjet. Kjo rëndësi e grupit vazhdon të jetë, por G20 është një grupim pa një legjitimitet ndërkombëtar që do të thotë që nuk ka një mandat dhe funksionet e saj janë të paqarta.
Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Trishe, e sheh G20 si forumin më të madh drejtues të ekonomisë botërore.
Pikërisht për këtë arsye, legjitimiteti i tij duhet të sqarohet. Pas Luftës II Botërore ne ngritëm organizatat ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar me përgjegjësi të mirëpërcaktuara dhe mandate të tilla. Aktualisht, duhet që t’i ripërshtatim këto institucione për rolin e ri që kanë në botë dhe në ribalancimin e pushtetit.
A nuk e shihni G20 si një tentativë për të kryer pikërisht këto funksione?
G20 është një grupim i vetëcaktuar si i tillë. Përbërja e tij është vendosur nga vendet e mëdha të fuqishme. Mund të jetë më gjithëpërfshirëse krahasuar me G7 apo G8 në të cilin bënin pjesë vetëm vendet e pasura, por është gjithsesi një grupim arbitrar. Ne nuk jetojmë më në shekullin e 19-të në kohën kur fuqitë e mëdha takoheshin dhe vendosnin për hartën e botës. Nuk kemi nevojë më për një Kongres të Vjenës.
Kush mendoni ju se mungon ende në këtë grupim?
Edhe pse Afrika e Jugut është pjesë e këtij grupimi, ky vend nuk përfaqëson Afrikën si kontinent. Arabia Saudite është gjithashtu pjesë, por nuk mund të prezantojë botën arabe. Po Bashkimi Europian përse ndodhet në këtë grupim e ndërkohë në të bëjnë pjesë edhe shtete që janë pjesë e BE-së. Kjo nuk është e pranueshme. Në takimet që bëhen nuk ndodhin ndryshime tërësore, por vetëm disa ndryshime të vogla, të cilat mund të bëhen përmes përfaqësuesve rajonalë si në rastin e FMN-së. Ne kemi nevojë për aleanca më të vogla dhe të forta apo “grupeve votuese” të tilla si për shembull në vendet nordike dhe balltike në mënyrë që të veprohet menjëherë.
çfarë mund të bënin vendet nordike më mirë se G20?
Të marra së bashku, vendet nordike përbëjnë ekonominë e tetë më të zhvilluar dhe më të madhe të planetit. Ne jemi të vegjël nga pikëpamja e popullatës, por të mëdhenj për sa i përket pushtetit tonë ekonomik. Norvegjezët janë kontribuuesit më të mëdhenj në programet e zhvillimit të OKB-së dhe Bankës Botërore. Surplusi i tregtisë norvegjeze është sa një e treta e Kinës ndaj përvoja jonë mund të jetë e vlefshme kur është fjala për të diskutuar për reformimin e sistemit financiar botëror.
Vende të tjera mund të përdorin gjithashtu të njëjtin justifikim për të kërkuar pranimin në këtë grupim?
G20, apo G22 në fakt janë një grupim i madh, por janë vende që luajnë role vendimtare vetëm në disa nga çështjet madhore. Nëse G20 për shembull do të diskutonte në lidhje me çështjet e sigurisë së energjisë dhe do ta bënte pa Norvegjinë që aktualisht furnizon Gjermaninë me 1/3 e gazit që ka atëherë kjo do të ishte e papritur. Kur diskutohen çështje të ndryshimeve klimatike duhet pasur parasysh që Norvegjia përbën një nga kontribuuesit më të mëdhenj në ruajtjen dhe mirëmbajtjen e pyjeve dhe në këtë drejtim edhe ne duhet që të kemi zërin tonë, sepse kemi shumë për të thënë. Vendimet për luftën kundër varfërisë në botë pa pjesëmarrjen e Norvegjisë, Danimarkës, apo Suedisë, që janë kontribuues shumë të fuqishëm, nuk do të kishin kuptim.
Nëse Norvegjia do që të forcojë ndikimin ndërkombëtar përse nuk bëhet pjesë e BE-së?
Sepse njerëzit tanë e kanë refuzuar 2 herë rresht anëtarësimin në referendumet që janë organizuar me këtë rast. Edhe sot janë të pakët ata që e mbështesin këtë anëtarësim. Kjo quhet demokraci.
Ithtarët e këtij grupi duan që ta reformojnë atë dhe ta pajisin edhe me kompetenca shtesë për të zgjidhur problemet e klimës, çështjen e zhvillimit ndërkombëtar apo çështjet shëndetësore.
Do të ishte një paradoks i madh nëse vendet e G20 do të dublonin legjitimitetin e OKB-së dhe institucioneve të tij. Ky do të ishte një hap i mëtejshëm në zhvleftësimin e përgjegjësive që kanë organizata të tjera ndërkombëtare.
OKB dhe institucionet e saj nuk kanë treguar shumë efektshmëri në luftën kundër krizës globale
Por ky nuk mund të shërbente si pretekst për të hequr dorë nga përmirësimi dhe reformimi i këtyre institucioneve si Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shembull përmes krijimit të organizmave të rinj. Në këtë rast G20 do të kishte një mandat duke qenë një grup i vetëshpallur, një mandat i 20 vendeve ndaj pjesës tjetër të botës dhe në këtë këndvështrim, pra në këndvështrimin e bashkëpunimit ndërkombëtar ai është një nga frenimet më të mëdha që pas Luftës së Dytë Botërore.
#