Si po turpërohen në Afrika 2010 skuadrat e Europës
Turpërimi i britanikëve, ankthi i francezëve dhe gjermanëve, deri më tani skuadrat më të mira të Europës, nuk po shfaqin asnjë grimcë të lavdisë që i ka karakterizuar. Këto dy ditë do të vendoset nëse Afrika e Jugut 2010 do të hyjë në librat e historisë si kasaphana e futbollit europian
Kjo është një kupë e vështirë për shumë nga kombëtaret më në zë të kontinentit europian, të cilat ose janë duke bërë një performancë të keqe si skuadra angleze, një performancë kaotike si skuadrat italiane, gjermane dhe spanjolle, ose janë zhytur tërësisht në kaos si skuadra franceze. Nëse Gjermania do të dështojë sot me Ganën, pas humbjes me Serbinë të premten e kaluar, dhe do të detyrohet që të lërë botërorin, nuk do të jetë vetëm një tragjedi për skuadrën gjermane, por mund të shënojë edhe fillimin e një efekti domino edhe për skuadrat e tjera të mëdha europiane që ndodhen në situata shumë delikate. Sigurisht që në rastin e Gjermanisë humbja do të shkaktonte edhe largimin e menjëhershëm të trajnerit të Kombëtares, Joachim “Jogi” Low. Të paktën kështu thonë njerëzit që janë pranë tij. Kjo është e kuptueshme, duke qenë se do të ishte hera e parë që Gjermania do të skualifikohej nga një kupë bote në një nivel të tillë. Në këtë rast, zëvendësuesi më i mundshëm i trajnerit gjerman do të ishte Mathias Sammer, një ish-lojtar i Gjermanisë Lindore. Por gjithsesi telashet në të cilat ndodhet skuadra gjermane krahasuar me ato ku janë futur skuadra të tjera europiane, janë gjithsesi të vogla. Të paktën për sa i përket Francës dhe Britanisë. Fushata franceze e Kupës së Botës u shndërrua në një farsë të dielën, kur skuadra bojkotoi një sesion trajnimi në shenjë proteste ndaj vendimit të Federatës Franceze të Futbollit që përjashtoi sulmuesin Nicolas Anleka për fyerje të trajnerit Raymond Domenech. Kapiteni Patrice Evra u tha gazetarëve se skuadra franceze kishte një “tradhtar” në mesin e saj, që kishte kallëzuar fyerjen që Anelka i kishte bërë trajnerit pas humbjes me Meksikën. Pamjet televizive të sesionit të tyre të trajnimit të dielën tregonin Domenech që ndërhyri për të ndalur grindjen që kishte plasur mes Evra dhe trajnerit Robert Duverne, i cili kishte përplasur në mur nga inati kronometrin e tij, ndërsa dilte nga salla e trajnimit. Kjo zënkë çoi në dorëheqjen e drejtorit të skuadrës Jean-Louis Valentin, i cili tha: “Ata nuk duan që të trajnohen. Ky është një skandal. është një skandal për francezët, për të rinjtë që kanë ardhur këtu për të parë skuadrën e zemrës. Unë po kthehem në Paris”.
Franca ka fituar Kupën e Botës në vitin 1998, por ka qenë në një situatë jo shumë të mirë gjatë viteve të fundit dhe duket se nuk e ka marrë veten nga largimi i yllit të saj, Zinedine Zidane, i cili u tërhoq nga futbolli në vitin 2006. Presidenti francez, Sarkozi, ka ndërhyrë në një situatë të tillë, duke i kërkuar ministres së Sportit që të qëndrojë më shumë në Afrikën e Jugut për të folur me kapitenin dhe trajnerin për situatën e krijuar.
Le të kalojmë tani tek Anglia. Trajneri italian i ekipit kombëtar, Fabio Kapelo, që është edhe më i paguari i këtij botërori me 2.8 milionë euro, ka deklaruar për gazetën “The Sun”, se, sipas tij, dy vitet e fundit nuk kanë qenë aspak një humbje kohe dhe se ai vetë nuk po e kuptonte se përse lojtarët e tij kishin arritur në këtë pikë.
Britanikëve u duhet medoemos një fitore ndaj Sllovenisë sot për të kaluar në fazën tjetër të botërorit. Duke qenë se kanë pasur një performancë shumë të dobët në ndeshjet e para ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Algjerisë, një lojë e dobët me Slloveninë nuk është për t’u përjashtuar dhe në këtë rast skuadra do të duhet që të bënte gati valixhet. Kapelo gjithashtu pritet të lërë menjëherë skuadrën nëse një skenar i tillë do të bëhet realitet dhe kjo tri javë pas negociatave të tij më të fundit me britanikët për të zgjatur edhe 4 vite të tjera kontratën e tij me kombëtaren. Skuadra angleze luajti kaq dobët të shtunën që shkoi ndaj Algjerisë, me të cilën nuk arriti që të shënonte asnjë gol, sa edhe vetë tifozët e saj e braktisën duke fishkëllyer në stadium lojtarët. Mesfushori Frank Lampard përgënjeshtroi deklaratat e medias për grindje dhe mosmarrëveshje në skuadër, por komentatorët në Britani kanë nisur që të kritikojnë Kapelon veçanërisht për sa i përket stilit të tij të disiplinës në skuadër, për të cilin ai është lëvduar shumë në të shkuarën. Gazeta “Mirror” ka demaskuar mënyrën e ftohtë, të prerë dhe aspak njerëzore me të cilën Kapelo trajton futbollistët, që me sa duket ka pasur një ndikim jo të vogël në frymën e ekipit dhe në moralin e tij.
Këto dy–tri ditë do të jenë vendimtare jo vetëm për fatin e trajnerëve të skuadrave më të mëdha të Europës, por edhe për fatin e kombëtareve përkatëse, të cilat ndoshta do të largohen me turp për herë të parë nga një botëror.
#