Lejet mjedisore nuk do të firmosen nëse nuk respektojnë kushtet
Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, organizoi sot një tryezë për prezantimin e projektligjit “Mbi Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”. Ky projektligji i ri u përgatit nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave me asistencën teknike të projektit CARDS 2006 të BE-së, INPAEL, në kuadrin e masave që po merren në zbatim të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Ky projektligj synon mbrojtjen e mjedisit përmes rregullimit të një qasjeje parandaluese dhe kërkon që për projekte të caktuara që mund të kenë ndikime të rëndësishme në mjedis, para se të jepet leja e zhvillimit nga institucionet përkatëse, projektet t’i nënshtrohen një vlerësimi të ndikimit të mundshëm në mjedis. Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, u shpreh se është bërë një punë mjaft cilësore, e cila ka në bazë të saj mbrojtjen e mjedisit, si dhe përafrimin e Shqipërisë me standardet mjedisore europiane, metodikat e Bashkimit Europian për vlerësimin e ndikimit në mjedis. Një ndër pikat shumë të rëndësishme të këtij ligji është se tashmë Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe degët e saj rajonale do të kenë gati një legjislacion të plotë dhe mjaft mirë të koordinuar, i cili forcon rolin mbikëqyrës të saj, si dhe krijon mundësi për të monitoruar, vlerësuar, por edhe të të bërit oponencë për sa u përket lejeve mjedisore, të cilat nuk do të firmosen më, në rast se nuk janë në përputhje me ligjin “Mbi vlerësimin e ndikimit në mjedis”.
Një tjetër çështje së cilës ministri Mediu i kushtoi vëmendje të veçantë, ishte edhe licencimi i ekspertëve mjedisorë. Tashmë, theksoi ministri Mediu, ka ardhur koha për një ritestim të këtyre ekspertëve mjedisorë, gjithnjë në kuadër të një efektshmërie sa më të plotë në zbatimin e ligjit. Në këtë kontekst, ministri Mediu la porosi që të përcaktohen kritere edhe më të forta për certifikimin e ekspertëve mjedisorë.
#