G20, një pushim për Merkelin e Kameronin që të shohin sfidën
Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, dhe Kryeministri britanik, Dejvid Kameron, të dielën do të marrin një pushim nga drejtuesit e G20-ës në Toronto, që të asistojnë sfidën e madhe mes Gjermanisë dhe Anglisë në Botëror. Të dy liderët, sipas një zëdhënësi të Kameronit, shpresojnë të mund të shikojnë së bashku në TV të paktën një pjesë të takimit, i vlefshëm për 1/8-at e finaleve të Afrikës së Jugut 2010. “Nuk do të jetë e lehtë, por do ta provojnë”, ka thënë zëdhënësi, duke shtuar se “të paktën në futboll kanë premtuar se nuk do të zihen”. Mes delegacioneve të të dyja shteteve në Toronto “ethet e Botërorit” janë tashmë në maksimum. Një flamur i vogël gjerman ishte vënë dje në dhomën e rezervuar nga britanikët në qendrën e shtypit të samitit me mbishkrimin: “Do të shihemi të dielën” dhe me një fytyrë të qeshur të dizajnuar përbri. Ndërkohë që Kryeministri britanik bëhet protagonist edhe me një tjetër batutë: “I deklarova Berluskonit keqardhjen time për eliminimin e Italisë, por ai tani do të mbështesë Anglinë, prandaj kemi një tifoz më shumë”.
#