Maradona: Nuk jemi favoritë, por jemi këtu për të luftuar
Mungojnë edhe pak orë nga sfida me Meksikën, ndeshje që vlen një vend mes tetë më të mirave të Botërorit afrikanojugor dhe Diego Armando Maradona nuk kërkon alibi për skuadrën e tij. Trajneri i Argjentinës do të zbresë në fushë formacionin më të mirë në dispozicion, pa i dramatizuar mungesat shumë të mundshme të lojtarëve të rëndësishëm si Valter Samuel e Juan Sebastian Veron.
Në fushë më të mirët – “Nuk kam privilegjuar askënd, deklaron ish-‘El Pibe de Orò’, do të zbres në fushë formacionin gala, më të mirin që kam në dispozicion. Në mbrojtje do të hedh Burdizon, sepse Samuel vazhdon të jetë ende në dyshim, pasi nuk u paraqit mirë në test. Preferoj të mos e rrezikoj. Veron? Nuk e kam problem të zëvendësoj një lojtar apo një tjetër. Në kompleks jemi mirë, ka vetëm ndonjë problem të vogël për t’u zgjidhur, do të duhet të punojmë në brendësi të skuadrës”.
“Të na kërkojnë falje” – Tani që Argjentina po arrin kulmin, një favorite objektive për trofeun, pas asaj që ka treguar në tri ndeshjet e para, Diego vazhdon të heqë ndonjë gozhdë nga këpucët me gazetarët: “Nuk është aspak e lehtë që të kalosh nga të qenit zero te fitorja e tri ndeshjeve radhazi, komenton trajneri i argjentinasve. Ata që më parë thoshin se ishim një katastrofë, sot na përkufizojnë si një skuadër të shkëlqyer. Disa lojtarë ishin shndërruar në më të këqijtë e botës dhe nuk duhej t’i grumbulloja. Ndërsa tani, pas tri ndeshjesh, janë bërë më të mirët e lagjes. Në të vërtetë kanë mbetur të njëjtët dhe me të njëjtën ide për të ardhur këtu në Botëror dhe për të bërë më të mirën. Nuk ndiej inat për ata gazetarë, por më vjen keq, pse këta zotërinj nuk dinë të kërkojnë falje. Disa gazetarë duhet t’u kërkojnë falje lojtarëve të mi, do të ishte më e ndershme”.
“Respekt për Meksikën” - Maradona nuk i kursen përgëzimet për Havier Aguirren, homologun e tij meksikan: “E respektoj shumë, ka qenë i aftë të çojë Meksikën në 1/8, duke luftuar”. Kjo është hera e tretë që Argjentina përballet me Meksikën në një Botëror. E para ishte në vitin 1930 në Uruguai dhe argjentinasit fituan 6-3. Ndeshja e dytë në Gjermani, në vitin 2006 dhe Seleksion triumfonte 2-1.
“Favoritët sipas meje” - Trajneri i Argjentinës nuk e ndien ta konsiderojë Selekion-in favorite për fitimin e Botërorit, por nuk fshihet nëse e pyet për Spanjën, kundërshtarin e mundshëm në gjysmëfinale: “Favoritë janë të tjerët, ne jemi këtu vetëm për të luftuar, për t’u dhuruar futbollin e bukur, atyre që e dashurojnë atë. Lojtarët e mi e kanë demonstruar këtë dhe e kuptojnë se çfarë dua unë në fushë. Spanja? Ka shumë mundësi për të përmirësuar, kundër Kilit ka shfaqur më shumë siguri në krahasim me një javë më parë. Gjithsesi, nuk është ende Spanja që shpresonim”.
“Dështimi i Italisë” – Largimi i Italisë ishte një katastrofë edhe sipas Maradonës. “Më vjen keq që iku, i mungonte diçka, nuk bënte lojë fluide. I duhej një lojtar si Toti apo Del Piero”. Ndër të tjera rrëfen: “Shpresoj ta drejtoj Argjentinën edhe për shumë e shumë vite, por do të doja të realizoja një tjetër ëndërr, pasi ëndrrat nuk vdesin kurrë: të stërvitja Napolin”.
#