E Shtunë, 31 Tetor 2026

G8, axhenda e më të mëdhenjve të botës

Nuk kemi dalë ende nga recesioni dhe ndoshta kriza do të zgjasë shumë e për më tepër do të shoqërohet me një hemorragji të mëtejshme të humbjeve të vendeve të punës. Një nga mesazhet që pritet të dalë nga takimi është ai që bankat qendrore dhe qeveritë kanë ende shumë për të bërë, për të ndërtuar bazën e një rimarrjeje të shëndetshme të ekonomisë. Në këtë takim do të kalohet në hapat pasues për zgjidhjen e krizës, pas takimit të G20 në Londër. Do të ishte e pafalshme nëse nga L‘Aquila nuk do të dilej me një sinjal të fortë për disiplinimin e tregjeve. Vetëm për të shpëtuar bankat, që nga fillimi i krizës financiare, qeveritë e ndryshme të botës kanë dhënë një fond 47 herë më të madh se ai i Planit Marshall për rindërtimin e Europës së pasluftës. Tashmë përfituesit e shumave duhet të fillojnë të japin llogari për paratë e marra. Ndryshe do të biem sërish në të njëjtën situatë shumë shpejt.

Klima

Është takimi i fundit i G8 para takimit të Kopenhagenit në dhjetor, ku do të zhvillohet konferenca që duhet të miratojë traktatin pasues të marrëveshjes së Kyotos për luftën kundër ngrohjes globale deri në vitin 2012. Është i pari ku merr pjesë Obama, që vjen në takim me një "po" të parë të Kongresit në lidhje me një impenjim serioz të Amerikës në këtë përpjekje globale. Por mbërritja në një dokument të përbashkët është e vështirë. Ka pesimistë që thonë se nuk do të arrihet asgjë. Linja e parë e ndarjes është ajo mes vendeve të pasura. Sipas OKB-së, emisionet duhet të reduktohen 25-40 për qind në krahasim me vitin 1990, brenda vitit 2020. BE është impenjuar për një reduktim prej 20 përqindësh, ndërsa SHBA dhe Japonia nuk shkojnë më shumë se 4-8 për qind. India bëri të ditur se nuk do të pranojë urdhra, por do të vendosë vetë. Për momentin, situata është ende pezull.

Irani

Do të jetë një nga temat kryesore të takimit, tashmë jo vetëm për çështjen bërthamore, por edhe për akuzat për manipulim zgjedhjesh presidenciale. Zakonisht sa herë që perëndimorët nuk janë dakord me politika të ndryshme të Iranit, zgjedhin rrugën e sanksioneve. Por këtë herë, sipas disa burimeve, nuk do të operohet më përmes tyre. Më mirë kështu, sepse embargoja është një dënim kolektiv që bie mbi njerëzit e thjeshtë e jo mbi qeveritë që mbijetojnë përmes shtypjes dhe dhunës. Por heqja e sanksioneve nuk do ta ndihmojë Perëndimin që të formulojë qëndrimin e tij. Kjo do të bëjë që, për shkak të qëndrimeve të ndryshme të anëtarëve të G8, të mos arrihet një qëndrim i përbashkët. Në L‘Aquila do të flitet edhe për Afganistanin dhe zhvillimet e fundit aty.

Shtetet e Bashkuara

Edhe pse tashmë ka dalë mjaftueshëm në skenën ndërkombëtare për të fituar aprovimin e duhur, për Obamën, Presidentin e ri amerikan, testet do të vazhdojnë edhe në takimin G8. Para këtij takimi, ai do të ketë kryer takimin me Presidentin rus, Medvedev, dhe me Papën në Vatikan. Për Obamën, takimi në G8 paraqet më shumë një rrezik se sa një mundësi, sepse nga ai, të gjithë presin më shumë dhe gjëra më konkrete se prej liderëve të tjerë. Nga Obama, i cili po përballet me një situatë shumë të vështirë në vendin e tij, pritet më shumë se një buzëqeshje diplomatike në foton e grupit.

Afrika

Në takimin e Xhenovës, në vitin 2001, Afrika u bë temë e rëndësishme e G8 dhe që nga ajo kohë nuk i është ndarë axhendës. Fatkeqësisht rezultatet kanë qenë më shumë teorike se konkrete. Sfera e problemeve të Afrikës është shumë e gjerë, që nga sëmundjet ngjitëse që bëjnë kërdinë e deri te luftërat e problemet e tjera. Në takimin e vitit 2005, në Gleneagle të Skocisë, G8 u impenjua që çdo vend të derdhte një shumë parash të barabartë me 0.51 për qind të Prodhimit Kombëtar Bruto për të ndihmuar Afrikën deri në vitin 2010. Por fatkeqësisht fjalët nuk u pasuan nga faktet dhe premtimet nuk u mbajtën. Vëmendja e "të mëdhenjve" në Afrikë nuk është kurrë spontane. Ajo shpesh është fryt i presioneve të disa organizatave joqeveritare, që prej vitesh e kanë kthyer frikën në objektivin e punës së tyre. Ndërkohë "të mëdhenjtë", në vendimet e diskutimet e tyre, duhet të kenë parasysh tri fakte të reja për kontinentin. Së pari: ka rajone në Afrikë që po përjetojnë një rritje ekonomike për t‘u pasur zili, në veçanti zona mesdhetare si Maroku, Libia apo Afrika e Jugut. Kjo e fundit mund të klasifikohet në vendet që janë fuqi botërore. Së dyti: penetrimi gjithnjë e në rritje në këtë kontinent i Kinës, e cila ka dalë "për gjueti" lëndësh të para dhe influence gjeopolitike. Së treti, destrukturimi në rritje i disa zonave të mëdha të kontinentit, ku shteti ekziston vetëm në letra dhe është në falimentin e sipër.

Në këtë takim, nuk priten zgjidhje vendimtare për çështjet më akute të Afrikës. Veçanërisht është e pamundur që të përballohen çështjet e Afrikës pa pjesëmarrjen e vetë afrikanëve.

Italia

Një vend me dy fytyra. Ferri i Viarexhios dhe Purgatori i L‘Aquilas. Kjo është Italia, që pret takimin e famshëm që organizohet një herë në vit. Në sferën e politikës së jashtme Italia vjen me një profil kontradiktor. Jemi "miq të mirë" të Amerikës së Obamës. Furnizojmë luftën e Afganistanit me trupa, si dhe presim të burgosurit e Guantanamos. Por jemi edhe avokatë të mirë të Rusisë së Putinit. Por ndërkohë diplomacia bën gafa të jashtëzakonshme që nga mbështetja pa kushte e "vrasjeve" të qeverisë izraelite të Natanjahut e deri te lajmërimet për sanksione kundër regjimit iranian të Ahmadinexhadit. Në politikën ekonomike, Italia prezantohet me një politikë konfuze dhe të pamjaftueshme. Italia ka rritjen më të ulët ekonomike në BE dhe ka regjistruar një rënie drastike të Prodhimit Kombëtar Bruto.

Numrat:

janë delegacionet që do të marrin pjesë në takim. Mes tyre edhe 6 organizata ndërkombëtare

milionë euro është sipas burimeve zyrtare shifra e shpenzuar për organizimin e takimit

numri i delegatëve që priten në L‘Aquila

90% e ekonomisë botërore do të jetë prezente në takim

3587 kërkesat për akreditim nga ana e gazetarëve dhe punonjësve

Fjalët e liderëve

Obama

Rivënia në punë e ekonomisë botërore dhe ndihma për vendet e varfra. Kemi në plan dyfishimin e ndihmave ndaj vendeve të varfra. Kongresi ka aprovuar një paketë prej 100 miliardë dollarësh kredi për FMN, si instrument për vendet e varfra

Berluskoni

Në tryezën e 8 do të jenë 6 probleme të rëndësisë së madhe. Afrika do të jetë njëri syresh. Kur merret një zotim, ai duhet mbajtur. Jemi shumë vonë në përmbushjen e zotimeve të 4 viteve më parë për Afrikën. Më vjen keq që nuk i kam mbajtur premtimet, por kemi pasur shumë halle në shtëpinë tonë

Merkel

Në G8 do të diskutohet kryesisht për krizën më të madhe financiare të dhjetëvjeçarëve të fundit. Bota rritet, e së bashku me të edhe problemet. Jam e bindur se ato nuk mund të zgjidhen vetëm, por duhet të jenë fryt i bashkëpunimit të të gjithëve. Mendoj se formati i vendeve që merr vendimet në të ardhmen duhet të jetë G20

Braun

Kurrë më parë nuk ka qenë i nevojshëm një bashkëpunim mes vendeve të botës, një koordinim i veprimeve në fusha të ndryshme për zbatimin e vendimeve të marra e atyre që do të merren. Nëse nuk bëjmë sot përpjekjet e nevojshme për të forcuar ekonominë dhe për të vënë themelet për një rritje të qëndrueshme, në vitet në vijim do të përballemi me një papunësi masive

Aso

Takimi i L‘Aquilas duhet të përqendrohet te masat ekonomike dhe monetare antikrizë, që janë vendosur nga liderët në të gjithë botën, të tilla si lufta kundër proteksionizmit për të shmangur ndodhjen e shkatërrimeve të vitit ‘29

Medvedev

Duhet të ecim në një rrugë të përbashkët, rrugën e marrëveshjeve mes "të mëdhenjve", duke shmangur veprimet e njëanshme. Administrata e re amerikane, e drejtuar nga Obama, po demonstron vullnetin e saj për të ndryshuar marrëdhëniet aktuale dhe është në favor të marrëdhënieve më efikase

Harper

Liderët botërorë duhet të koordinojnë përpjekjet për të dhënë përgjigje politike për të shmangur krizën. Pres që për një vit, duke filluar nga vera e vitit 2010 kur të takohemi në Japoni, ekonomia globale të ketë avancuar pozitivisht

Sarkozi

Është koha për t‘u bërë bashkë në një marrëveshje serioze për klimën, për të arritur në Kopenhagen me ide të qarta dhe për të përfunduar një marrëveshje në të mirë të njerëzimit


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›