E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jerzu Buzek, në krye të Parlamentit Europian

Europarlamentari polak i qendrës së djathtë, Jerzu Buzek, është zgjedhur dje President i Parlamentit Europian, në përfundim të një votimi të mbajtur të fshehtë në një dhomë parlamentare në Strasburg. Zgjedhja e një deputeti nga një ish-vend komunist që u bë pjesë e BE-së vetëm 5 vjet të shkuara, është përshëndetur nga politikanët në përgjithësi dhe është konsideruar si një ngjarje e shënuar historike. Duke folur për ëndrrën e tij të dikurshme për një Poloni të lirë nga komunizmi, Buzek tha: "Sot jam zgjedhur President i Parlamentit Europian dhe kjo është një shenjë e gjërave që po ndryshojnë. Dëshiroj të punoj me të gjithë, pavarësisht përkatësive dhe besimeve politike", deklaroi ai, duke shtuar se ndryshimet klimatike, kriza ekonomike dhe përafrimi i qytetarëve me projektin europian do të ishin prioritetet e tij kryesore. Buzek, një shkencëtar për nga shkollimi, është zgjedhur në Parlamentin Europian në vitin 2004 dhe menjëherë nisi punën në komitetet e industrisë, energjisë dhe kërkimeve shkencore. Nga vitet 1997-2001 ai ka qenë Kryeministër i Polonisë dhe është përfshirë gjerësisht në çuarjen e vendit të tij drejt integrimit në BE. Anëtarësimi i tij në lëvizjen "Solidariteti", që përmbysi komunizmin në vend në vitet ‘80, ishte edhe një nga vlerësimet që iu bë të sapozgjedhurit. "Ne polakët e dimë se edhe e pamundura mund të shndërrohet në të mundur nëse vërtet e dëshiron një gjë të tillë", deklaroi një parlamentare polake. Vota e deputetëve ka qenë 555 kundër, me 644 në favor të kandidaturës polake. Ajo që qe e veçantë ishte se liderët e partive i dhanë mbështetjen e tyre të gjithë së bashku kandidatit polak. Sipas liderit të grupit të qendrës së djathtë, çdo anëtar i Parlamentit duhet të ndihej i kënaqur që Parlamenti nuk ishte më i ndarë mes Lindjes dhe Perëndimit. Ndërsa lideri i të majtëve deklaroi se zgjedhja e një polaku në krye të Parlamentit Europian është një moment historik që vjen si për koincidencë 20 vjet pas rënies së murit të Berlinit. Megjithatë, të shumtë kanë qenë ata që e kanë dhënë votën për personin dhe vlerat e tij individuale, se sa për përkatësinë kombëtare dhe partiake. Kandidatja tjetër që konkurroi për postin ishte parlamentarja suedeze, Eva-Britt Svensson, e cila mori vetëm 89 vota. Ish-lideri i liberalëve, Graham Watson, u largua nga garimi një javë më parë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›