E Shtunë, 31 Tetor 2026

G99: Berisha është turpi i kombit

Grupi 99 reagoi dje për ngjarjen tragjike të ndodhur në Gërdec, duke deklaruar se kryeministri Berisha është përgjegjësi kryesor i kësaj tragjedie të rëndë. Erion Veliaj deklaroi në një konferencë për shtyp se Berisha duhet të largohet menjëherë nga drejtimi i qeverisë. “Berisha duhet të largohet pasi ai është kthyer në turpin e kombit tonë e njëkohësisht në fatkeqësinë e Shqipërisë. Përballë kësaj tragjedie, kryeministri i vendit tenton të shfajësojë veten duke pretenduar se nuk kishte asnjë informacion mbi vendndodhjen e fabrikës dhe objektin e punës së saj. Kryeministri Berisha pretendon se nuk ishte përgjegjësi e qeverisë së tij mbikëqyrja dhe sigurimi i vendit ku kryhej demontimi i mijëra tonë municioni, tritoli e baruti.
Kryeministri ynë shfajësohet duke pohuar se ndodhej në mes të territ informativ mbi sigurinë kombëtare, a thua se kjo nuk është një arsye e mjaftueshme për të dhënë dorëheqjen. Sot, të gjithë përballemi me një kryeministër, i cili në rastin më të mirë është i paaftë për të siguruar jetën e qytetarëve që qeveris, e në rastin më të keq është shkaktari kryesor, përmes veprimesh a mosveprimesh, i humbjes së jetës së dhjetëra shtetasve shqiptarë, për të mos folur për numrin e të lënduarve dhe dëmeve materiale”, - tha Veliaj. Ai deklaroi gatishmërinë e grupimit G99 për t’iu bashkangjitur protestës së nesërme që do të organizohet nga Partia Socialiste.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›