E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazmend Oketa lë numrin dy të qeverisë dhe ulet në karrigen e Fatmir Mediut

Kryesia e Partisë Demokratike vendosi ditën e djeshme që zëvendëskryeministri Gazmend Oketa të marrë postin e ministrit të Mbrojtjes, që e la bosh kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Kryeministri Sali Berisha deklaroi mbas mbledhjes së kryesisë se republikanët do të mbeten pjesë e qeverisë, si dhe posti i zëvendëskryeministrit do të zihet nga një tjetër figurë, por që ende nuk është përcaktuar. “PR-ja sigurisht që do të jetë në qeveri. Për postin e zëvendëskryeministrit do të ketë një propozim tjetër, por sot për sot ne morëm këtë vendim”, - tha Berisha, mbas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PD-së. Mbledhja e Kryesisë së PD-së u zhvillua gjatë pasdites së ditës së djeshme. Ajo nuk ishte planifikuar, por vetëm në orën e pasdites kryeministri Berisha kërkoi zhvillimin e saj. Ndërkohë, gjatë paradites së ditës së djeshme, brenda Partisë Demokratike qarkullonin zëra të ndryshëm në lidhje me pasardhësin e Mediut në kabinetin qeveritar. Fillimisht ishte siguruar se ky post do të ishte për Partinë Demokratike, ndërsa Partia Republikane do të përfitonte një post tjetër brenda në kabinet. Burime pranë Kryesisë së PD-së shprehen se zgjedhja e zëvendëskryeministrit Oketa në krye të dikasterit të Mbrojtjes ka ardhur si rezultat i ndërhyrjes së presidentit Topi. Burimet shprehen se kryeministri Berisha ka pasur takime me presidentin Topi për të folur mbi pasardhësin e Mediut. Presidenti Topi, si kryekomandant i Formave të Armatosura të Shqipërisë, ka qenë i interesuar në lidhje me ministrin e Mbrojtjes. Mësohet se presidenti Topi ka preferuar emrin e Gazmend Oketës për të qenë ministër i Mbrojtjes për shkak se ai është i vetmi anëtar brenda kabinetit që preferohet nga presidenti. Kryeministri Berisha është shprehur dakord në ketë kandidaturë dhe menjëherë mblodhi kryesinë e partisë për ta zyrtarizuar brenda saj. Pritet që ditën e nesërme kryeministri Berisha të nisë në Presidencë dekretin e emërimit të Gazmend Oketës në krye të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ditën e hënë pritet që emri i tij të miratohet me minimuni 71 vota deputetësh.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›