E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta e LRI-së dhe e studentëve shënohen incidente me policinë

Lëvizja Rinore për Integrim ka organizuar dje një protestë masive kundër kryeministrit Sali Berisha, i vënë në qendër të akuzave si shkaktari kryesor i tragjedisë së Gërdecit. Epiqendra e kësaj proteste ka qenë Qyteti Studenti, ku mijëra të rinj studentë i janë bashkangjitur protestës së organizuar nga Lëvizja Rinore për Integrim. Protesta ka nisur nga Qyteti Studenti, ku fillimisht është mbajtur një minutë heshtje për nder të viktimave që humbën jetën nga tragjedia e Gërdecit. Protestuesit kanë kërkuar largimin e Berishës dhe të qeverisë së tij, duke e cilësuar atë si përgjegjësin kryesor të kësaj tragjedie. Më pas protesta është zhvendosur drejt selisë së Kryeministrisë, ndërkohë që është survejuar nga forca të shumta të policisë. Organizatorët kanë bërë të ditur për gazetën “Albania” se janë shënuar disa incidente, ndërkohë që kanë deklaruar se ndaj studentëve është ushtruar presion nga forcat e policisë për të mos marrë pjesë në protestë. Gjithsesi, kjo nuk i ka penguar më shumë se 2 mijë të rinj studentë, të cilët kanë shprehur solidaritetin e tyre për familjet e viktimave, si dhe për të protestuar kundër një qeverie e cila nuk garanton jetën dhe sigurinë e shtetasve të saj. Përpara selisë së Kryeministrisë studentët dhe anëtarët e LRI-së kanë mbajtur një parullë, e cila i drejtohej kryeministrit Berisha dhe në të cilën shkruhej: “Nëse ke ndërgjegje, jep dorëheqje”. Protestuesit kanë mbajtur lule dhe kanë ndezur qirinj për nder të viktimave. Sekretari i Përgjithshëm i LRI-së, Besian Pesha, deklaroi se të rinjtë dhe gjithë populli shqiptar duan një Shqipëri të sigurt, pa armë, pa tragjedi dhe pa afera korruptive, gjë që nuk mund ta garantojë qeverisja e kryeministrit Berisha. Protesta e LRI-së pritet të pasohet sot nga protesta që do të organizohet nga Partia Socialiste në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

21 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›