Opozita: Berisha nuk mund ta evitojë dorëheqjen
Edi Rama: “Kryeministri të dorëzojë imunitetin dhe të hetohet”. Ilir Meta: “Kërkojmë dorëheqjen e Berishës pa asnjë lloj kompromisi
Shaban Sulçe
Opozita insiston për dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Sali Berisha. Liderët e partive opozitare e kanë cilësuar Berishën si shkaktarin kryesor të tragjedisë së Gërdecit për shkak të implikimit të tij në aferën korruptive të çmontimit të municioneve. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se Berisha jo vetëm duhet të japë dorëheqjen, por edhe të dorëzojë imunitetin, për t’iu nënshtruar hetimit. Edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi se Berisha duhet të japë urgjentisht dorëheqjen, dorëheqje për të cilën nuk do të ketë asnjë lloj kompromisi. Në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe kryetari i PDS-së, Paskal Milo, i cili kërkoi hetimin e menjëhershëm të kryeministrit.
Edi Rama
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se kryeministri Berisha është kthyer në një i pandehur për opinionin publik pas tragjedisë së Gërdecit dhe se ai duhet të dorëzojë imunitetin.
“Si një i pandehur i zënë në grackën e opinionit publik, për shkak të dhjetëra fakteve e të një filli fare të thjeshtë e logjik që të çon tek ai vetë, si kryefajtor për tragjedinë, kryeministri, në një përpjekje skandaloze për të fajësuar, me një gjuhë të denjë vetëm për një bos qarqesh ilegale, e jo për një kryeqeveritar të një vendi që pret ftesën për në NATO, ata që e kanë investiguar me kohë zullumin e tmerrshëm dhe ata që me kurajë po e nxjerrin atë në dritën e diellit, na rrëfeu në fakt atë që mjafton për prokuroren e Përgjithshme për të kërkuar imunitetin e tij e për ta kthyer Sali Berishën nga një të pandehur të opinionit publik në një të pandehur të Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë”, - tha Rama. Kryetari i PS-së u shpreh se Berisha duhet të japë gjithashtu shpjegime edhe për implikimin e tij dhe të afërmve të tij në aferën korruptive të çmontimit të municioneve. “Unë e kam neveritur dhe e neveris politikën që merret me familjarët e me farefisin e kundërshtarëve politikë si një formë imoraliteti për të garantuar interesa të ulëta politike dhe personale dhe s’dua dhe s’do ta bëj kurrë këtë me një kundërshtar timin, prandaj i kërkoj zotit kryeministër të dorëhiqet e të dorëzojë imunitetin për t’i dhënë shpjegimet e tij në Prokurori, qoftë për veten, qoftë për djalin e qoftë për të ndjerin, baxhanakun e tij, që dje mësuam se paska humbur jetën për shkak të shpërthimit”, - tha Rama.
Ilir Meta
Ilir Meta deklaron se LSI-ja do të vazhdojë të insistojë pa asnjë kompromis për dorëheqjen e Berishës. Meta nënvizoi se gjithnjë e më tepër po dalin në pah prova të qarta që jo vetëm e implikojnë Berishën në afera korruptive, por e cilësojnë edhe si përgjegjësin kryesor të tragjedisë së Gërdecit. “Këto prova të reja, të cilat implikojnë edhe të afërm të tij, e bëjnë edhe më emergjente domosdoshmërinë e dorëheqjes së z. Berisha nga detyra e kryeministrit, në mënyrë që të kemi hetime të pavarura dhe të pandikuara për shkak të pozitës së tij si kryeministër. Ne nuk kërkojmë të spekulojmë me këtë tragjedi, por mendojmë që është një përgjegjësi edhe e kësaj maxhorance se çdo lloj kompromisi i heshtur lidhur me një ngjarje, e cila rëndon pikësëpari mbi qeverinë e maxhorancës dhe çdo dorëheqje të Sali Berishës, jo vetëm që do të rriste besimin në pavarësinë e një hetimi të pavarur dhe të paanshëm, por njëkohësisht do të krijonte mundësinë për një funksionim normal të institucioneve të vendit tonë. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë pa kompromis dorëheqjen e Sali Berishës nga detyra e kryeministrit”, - tha Meta. Kreu i LSI-së dënoi gjithashtu përpjekjet e maxhorancës për të minimizuar dhe evituar debatet në Parlament për tragjedinë e Gërdecit. “Njëkohësisht, në emër të LSI-së, dua të distancohem nga përpjekjet e maxhorancës për të vijuar me punimet e Parlamentit me çështjet të zakonshme, ndërkohë që vazhdojmë të jemi në një situatë të jashtëzakonshme, kur dihet që nuk ka ende një bilanc përfundimtar të tragjedisë”, - tha Meta. Ndërkohë, kryetari i PDS-së, Paskal Milo, deklaroi se kryeministri ka përgjegjësinë kushtetuese për tragjedinë e Gërdecit në bazë të nenit 169 të Kushtetutës së Shqipërisë. “Berisha duhet të japë dorëheqjen dhe të shkojë përpara drejtësisë”, - tha Milo.
21 Mars 2008