E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pirro Çako zgjidhet kreu i ri i "Albautor"-it

 

Alma Mile

Kantautori Pirro Çako u zgjodh dje, kryetari i ri i Agjencisë së administrimit kolektiv të së Drejtës së Autorit për muzikën dhe regjistrimet mekanike, "Albautor". Ditën e mërkurë, pas 18 vjetësh, që nga krijimi i kësaj agjencie, u mblodh asambleja e artistëve. Përveçse u bë një analizë të veprimtarisë në këto dy dekada, u zhvilluan edhe zgjedhjet për kryesinë e re të agjencisë. Mes gjithë kandidaturave të paraqitura nga fushat e muzikës së lehtë, klasike dhe poezia, në këshillin e ri administrativ u zgjodhën Shpëtim Saraçi, Pirro Çako, Vasil Tole, Nestor Kraja e Jorgo Papingji. Ndërsa dje u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve, ku mes anëtarëve të rinj të këshillit u zgjodh kryetari. Me shumicë votash u zgjodh kantautori Pirro Çako. Pas zgjedhjes së kryesisë së re, kërkohet me urgjencë ndërmarrja e hapave të menjëhershme për ndryshimin e situatës. Çako duhet të vijojë punën e lënë në mes nga ish-kryetari Neshat Tozaj, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë. Por nuk ka për të qenë edhe fort e lehtë. Nga raporti i lexuar nga kryesia e vjetër, Shqipëria është shumë prapa në zbatimin e të drejtave të autorit. Qindra subjekte private (televizione, radio, hotele, bare, klube...), madje edhe shtetërore kanë shfrytëzuar krijimtarinë e artistëve shqiptarë, por edhe të huaj, në mënyrë pirate, pa iu nënshtruar asnjë lloj detyrimi financiar. Për shkak të moszbatimit të Ligjit "Për të drejtat e autorit", në arkën e Agjencisë "Albautor" kanë hyrë gjatë kësaj periudhe shumë pak të ardhura. Kjo është edhe arsyeja pse në këto vite artistët janë shpërblyer shumë pak për krijimtarinë e tyre. Jo vetëm që ligji nuk është zbatuar, por edhe vetë agjencia, në rrezik shkrirjeje, nuk ka zotëruar autoritetin e duhur, për të kërkuar të drejtat e saj. Këtë e tregon edhe takimi i asamblesë pas 18 vjetësh. Por sot Shqipëria ndodhet në një tjetër situatë. Është nënshkruar Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e cila në një prej kushteve që duhen përmbushur ka mbrojtjen e së drejtës së autorit. Deri më sot shumë pak është bërë në këtë drejtim, çka do të thotë se ka shumë punë për t'u bërë përpara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›