Rama: Berisha iu rikthye akuzës se vrasjet i bëri opozita
Opozita është e vendosur për t’i shkuar deri në fund betejës së saj politike, për rrëzimin e qeverisë aktuale dhe çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme, si mundësia e vetme që vendi, sipas saj, të dalë nga situata aktuale. Këtë vendosmëri e ka shprehur dje kreu socialist, Edi Rama, gjatë një komunikimi të posaçëm për mediat, ku dhe ka bërë të ditur se opozita nuk do të ndalet në luftën e saj politike, deri sa t’i krijojë Shqipërisë një zgjidhje të re. Në funksion të këtij qëllimi, krerët e opozitës kanë vendosur dje të riorganizojnë reagimin qytetar në protesta të tjera, edhe më të mëdha se ato që janë zhvilluar deri më tani.
Rama
Duke iu referuar deklaratave të djeshme të përfaqësuesve të mazhorancës, si dhe vendimit të Gjykatës për të liruar të akuzuarit për tragjedinë e Gërdecit, kreu socialist gjatë një komunikimi me mediat ka theksuar se këto veprime e bëjnë edhe më të nevojshme vijimin e luftës opozitare me anë të protestave. “Sot (dje) i dhamë lamtumirën të katërtit shqiptar të pafajshëm, që humbi jetën në demonstratën e popullit opozitar, kundër pushtetit që vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë. Ndërkohë, Saliu i Koalicionit të turpit edhe sot, vijoi të shfryjë baltë e vrer mbi opozitën, prokurorinë e shtypin. Madje shkoi aq larg, sa jo vetëm i’u rikthye akuzës kriminale të natës së parë, se vrasjet e 21 janarit i bëri opozita, po edhe 26 të vrarët e Gërdecit ia faturoi opozitës, përmes njërit prej zëdhënësve të tij. Sot Saliu na ritregoi sesa e drejtë është kërkesa jonë për largimin e këtij Koalicioni të turpit, sesa e drejtë është beteja jonë, për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje të re për Shqipërinë, e marrë peng me votat e vjedhura dhe të vjedhur përditë në pasuritë, në shpresat e në ëndrrat e veta”, - tha Rama, duke lënë të kuptohet se zgjidhja e vetme për vendin dhe shqiptarët mbeten zgjedhjet e parakohshme. Nisur pikërisht nga kjo situatë, ai ka theksuar se opozita nuk do të reshtë së kërkuari krijimin e një klime dhe mundësie, që t’i shërbejë të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm pushtetarëve. “Ne nuk do të ndalemi në betejën tonë për liri e të drejta të panegociueshme, nuk do të ndalemi në kërkesën tonë për largimin e Koalicionit të turpit, nuk do të ndalemi në përpjekjen tonë për drejtësi e zhvillim në këtë vend, nuk do ndalemi në rrugën tonë drejt një zgjidhjeje të re për Shqipërinë”, - tha Rama.
Protesta
Në vijim të kësaj beteje, opozita ka vendosur dje që të rakordojë veprimet për zhvillimin e një proteste tjetër të madhe, mundësisht javën e ardhshme. Vendimi është marrë dje, në tryezën e opozitës, ku ndërmjet të tjerave janë diskutuar edhe dy data për mbajtjen e saj. Krerët opozitarë kanë qenë në mëdyshje, nëse protesta të zhvillohet të premten e javës së ardhshme, pra në datë 18 shkurt, ose tri ditë më pas, pra në datë 21 shkurt, kur mbushet edhe një muaj nga vrasja e katër demonstruesve, para Kryeministrisë. Me këtë vendim duket se opozita ka hequr dorë nga protestat e vogla nëpër rrethe dhe kjo për shkak të rezultatit të dobët që u arrit të premten e shkuar. Për këtë arsye, me shumë mundësi, gjatë kësaj jave ndryshe nga sa ishte premtuar, opozita nuk do të protestojë.