E Diel, 1 Nëntor 2026

G99: Qeveria “Berisha”, 10 dështime të bujshme në Progres-Raport



Lëvizja G99 ka komentuar Progres-Raportin e Komisionit Europian për Zgjerimin. Aktivisti i G99-s, Arbër Mazniku, tha se në këtë raport renditen 10 dështime të bujshme të qeverisë, ndërsa i bëri thirrje kryeministrit Berisha që të firmosë këtë raport dhe njëkohësisht të pranojë dështimet e nënvizuara. Mazniku tha se dështimet e qeverisë “Berisha”, që përmenden në raport, janë mungesa e rolit të parlamentit për të monitoruar zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, mbledhja vetëm dy herë e komisionit interministral, problemet në administratën publike, ndërhyrja e ekzekutivit në sistemin e drejtësisë, mungesa e konsultimit për ligjin për prokurorinë, mungesa e rezultateve në luftën kundër korrupsionit, cenimi i lirisë së medias, problemi i emigracionit të paligjshëm, mungesa e rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar dhe drogës, si dhe problemet në fushën ekonomike. “Në përmbyllje ftojmë kryeministrin t’i përgjigjet një pyetjeje: Si ka mundësi që Shqipërisë nuk i ofrohet një perspektivë e qartë për statusin e kandidimit ndryshe nga sa i ofrohet Serbisë?”, - tha aktivisti i G99-s, Arbër Mazniku.

Gjinushi: Qeveria “Berisha”, pengesë për integrimin e vendit

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, tha se Raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë përmban kritika realiste dhe se në të shprehet qartë se qeveria “Berisha” ka dështuar. Sipas Gjinushit, qeveria aktuale është bërë pengesë për reforma reale dhe nuk mund të garantojë integrimin e zhvillimin e shpejtë të vendit. Kreu i PSD-së deklaroi se qeveria “Berisha” nuk po realizon kushtin kryesor të vendosur nga Bashkimi Europian, siç është garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Gjinushi deklaroi gjithashtu se qeveria ka dështuar në luftën kundër korrupsionit dhe angazhimeve të marra prej saj. Kryetari i PSD-së akuzoi qeverinë “Berisha” se është kthyer në një pengesë reale për integrimin dhe, sipas tij, një gjë e tillë konfirmohet edhe me faktin që në Raport nuk aludohet për mundësinë e marrjes së ftesës si vend kandidat për Shqipërinë. “Raporti, mbi të gjitha, as aludon për mundësinë e marrjes së ftesës si vend kandidat për Shqipërinë, pra, në këtë kuptim, krahas perifrazimit të gotës plot e bosh, raporti mund të krahasohet me raportet mjekësore ku thuhet se i sëmuri vazhdon të jetojë, po merr tërë mjekimet e duhura, po bëhen të gjitha përpjekjet, por sëmundja po përparon”, - tha Gjinushi.

7 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›