E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryesia e PD-së mbikëqyr zgjedhjet në Tiranë



Eljona Ballhysa
E gjithë Kryesia e Partisë Demokratike përqendron vëmendjen në zgjedhjet për seksionet dhe në degën e PD-së së Tiranës. Janë përcaktuar tashmë minibashkitë dhe drejtuesit e grupeve të punës për secilën prej tyre. Do të jenë 11 anëtarë kryesie, prej të cilëve gjashtë ministra të kabinetit qeveritar që do të merren me organizimin e fushatës zgjedhore dhe të procesit zgjedhor në degën më të madhe të PD-së. Duket se rëndësia e këtij procesi zgjedhor brenda PD-së ka nxitur kryesinë e kësaj partie që të mbikëqyrë me seriozitetin maksimal fushatën zgjedhore dhe të gjithë procesin zgjedhor, që pritet ta ketë kulmin në muajt e parë të vitit të ardhshëm, kur pritet të zgjidhen kryetarët e degëve. Por rëndësinë më të madhe natyrisht që e mbajnë zgjedhjet për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës. Pikërisht për këtë arsye Kryesia e PD-së ka miratuar emrat e 11 anëtarëve të saj, të cilët do të merren me organizimin e zgjedhjeve, fillimisht në seksione dhe më pas për postin e kryetarit të degës.
Mbikëqyrja
Sipas vendimit më të fundit të Kryesisë së PD-së, në Minibashkinë Nr. 1 në kryeqytet, kryetar i grupit të punës do të jetë ministri i Punëve Publike, njëherësh edhe kryetari aktual i degës së PD-së së Tiranës, Sokol Olldashi. Astrit Patozi, kryetar i Grupit Parlamentar dhe nënkryetar i PD-së, do të drejtojë zgjedhjet në Njësinë Nr. 3, kurse sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, Ridvan Bode, do të jetë në Minibashkinë Nr. 4. Pjesë e zgjedhjeve të demokratëve në Tiranë do të jenë edhe ministrat Jemin Gjana, Genc Ruli, Lulzim Basha e Majlinda Bregu, pavarësisht faktit se janë të angazhuar edhe si kryetarë ose nënkryetarë të grupeve të punës, që do të ndjekin zgjedhjet në disa prej qarqeve të vendit. Në Njësinë Nr. 8, e cila përkon edhe me zonën nga ku ka dalë dy herë deputet Besnik Mustafaj, do të drejtojë zgjedhjet ish-ministri i Drejtësisë, aktualisht zëdhënës i Grupit Parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi. Ndërkohë, nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, do të ndjekë procesin zgjedhor në Njësinë Nr. 9. Përveç 11 minibashkive të kryeqytetit, Gent Strazimi, zv.ministër i Brendshëm dhe sekretar për organizatat partnere në PD, do të ndjekë zgjedhjet në komunat dhe bashkitë e qarkut të Tiranës.
Fushata
Sipas sekretarit Organizativ të PD-së, Flamur Noka, fushata zgjedhore ka filluar në të gjitha degët e PD-së. Sipas tij, grupet e punës të ngritura për çdo qark, kanë filluar të organizojnë takime me bazën. Ai bëri të ditur se edhe në kryeqytet zhvillohen takime me bazën e partisë pothuajse çdo ditë. Noka theksoi se aktualisht procesi është përqendruar në organizimin e seksioneve. Më pas, në muajin janar, sipas tij, do të fillojë puna për zgjedhjet e kryetarëve të degëve. Kryetarët e degëve do të zgjidhen nga kuvendet e degëve në çdo rreth të vendit. Do të jenë seksionet që do të propozojnë kandidatura për kryetarë degësh, më pas kandidaturat do të shqyrtohen nga kryesia qendrore e partisë. Kjo e fundit i propozon dy ose tre kandidatura Kuvendit të degës dhe midis tyre zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e degës. Në votim marrin pjesë delegatët e zgjedhur nga të gjitha seksionet e degës. Pritet që ky proces të fillojë në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Grupet e punës

• Minibashkia Nr.1 Sokol Olldashi
• Minibashkia Nr.2 Jemin Gjana
• Minibashkia Nr.3. Astrit Patozi
• Minibashkia Nr.4 Ridvan Bode
• Minibashkia Nr.5 Genc Ruli
• Minibashkia Nr.6 Ilir Rusmali
• Minibashkia Nr.7 Lulzim Basha
• Minibashkia Nr.8 Aldo Bumçi
• Minibashkia Nr.9 Jozefina Topalli
• Minibashkia Nr.10 Halit Shamata
• Minibashkia Nr.11 Majlinda Bregu
• Komuna+bashki Gent Strazimiri

7 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›