E Diel, 1 Nëntor 2026

Hakersat "sulm" Obamës e MekKejn, u kanë kopjuar dosjet sekrete

Disa hakersa shumë të sofistikuar
kanë ndërhyrë në
sistemet kompjuterike të
Barak Obamës dhe John MekKejn
gjatë fushatës zgjedhore dhe
kanë vjedhur shumë dosje të
rëndësishme dhe sekrete. Sipas
të dhënave të para, bëhet fjalë
për një operacion të shërbimeve
të fshehta të iniciuar nga Kina,
ose nga Rusia. Fillimisht specialistët
e IT së fushatës së Obamës
menduan se kompjuterët e tyre
ishin të sulmuar nga ndonjë virus,
por më pas u mor vesh, pas
disa analizave të FBI-së se i gjithë
sistemi ishte sulmuar nga hakersat.
"Materialet tuaja sekrete janë
komprometuar dhe shumë dosje
në sistemin tuaj janë kopjuar".
Mësohet se i ka thënë një agjent
i FBI-së, Obamës, sipas një reviste
të përjavshme amerikane.
Në shkrim thuhet se, përveç
Obamës edhe MekKejn ka qenë
në shënjestër të një sulmi të tillë
nga hakersat gjatë fushatës zgjedhore.
Më pas, teknikët e Obamës
spekuluan se kishte mundësi që
hakersat të ishin rusë, apo kinezë
dhe se sulmi nuk ishte ndërmarrë
nga kundërshtarët politikë, siç
mund të besohej në fillim. Ky
lajm doli disa ora pas fjalimit të
Presidentit Bush se armiqtë e
SHBA-së mund të planifikonin
një krizë të sigurisë kombëtare,
ose një sulm terrorist gjatë periudhës
së tranzicionit të pushtetit
nga administrata aktuale tek ajo
e presidenti të ri demokrat. Dje,
Obama ka vazhduar takimet
intensive për të caktuar emrat
e kabinetit të ri dhe kryesisht
është konsultuar me ekspertët
ekonomikë. Ai gjithashtu pritet
të bëjë edhe shfaqjen e parë publike
që pas fjalimit të parë pas
zgjedhjeve të 4 nëntorit. Gjatë
ditës së djeshme, Obama ka diskutuar
në lidhje me krizën edhe
me disa liderë botërorë përmes
telefonit, si me Kryeministrin
australian, britanik, kanadez,
francez, gjerman. Në këtë mënyrë
po zhvendoset edhe boshti i gravitetit
nga Presidenti Bush te Presidenti
i zgjedhur. Bisedimet janë
përqendruar te kriza financiar,
lufta në Irak dhe në Afganistan.
Por sigurisht që vëmendja është
përqendruar te kriza ekonomike
dhe takimi i rëndësishëm i G20,
që do të zhvillohet më datën 15
nëntor në Uashington. Në këtë
takim do të marrin pjesë liderët
më të rëndësishëm botërorë,
por vetë Obama nuk e ka bërë
të ditur nëse do të marrë edhe ai
pjesë në të apo jo, edhe pse atij
aktualisht nuk i takon një pjesëmarrje
e tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›