E Diel, 1 Nëntor 2026

Këta hamës, me maskën e “bamirësisë”



Nga ILIR ÇUMANI*

Askush nga institucionet përgjegjëse shtetërore, por edhe OJF, nuk janë në gjendje të thonë sa është numri real i fëmijëve jetimë sot në Shqipëri. Në fakt, kemi një situatë të rënduar, pesimiste dhe tepër dëshpëruese. Panorama që shohim të gjithë në sfondin social, me të gjithë gamën e gjerë të problematikave që kanë sot fëmijët jetimë në mbarë vendin është e trishtueshme, e frikshme... (Po të kemi parasysh varfërinë masive që ka pllakosur shtresat e pambrojtura të shoqërisë; krimin brenda familjes, divorcet, gjakmarrja, fëmijët rom të abuzuar nga shfrytëzuesit e tyre permanent që janë në radhë të parë prindërit e tyre, etj, janë tregues sinjifikativ të një numri të konsiderueshëm në rritje të fëmijëve në risk për të mbetur jetim.)
Edhe më e frikshme bëhet kjo situatë, kur shpesh individë të papërgjegjshëm, të cilët prej vitesh vegjetojnë lehtë në guaskën e OJF-ve brenda Shoqërisë Civile, të prirur nga protagonizmi shterpë, nihilizmi dhe interesa të ngushta për përfitime personale, nxitohen dhe nuk ngurojnë aspak për të bërë deklarata të bujshme me shifra që trondisin vërtetë shoqërinë dhe mbarë opinionin publik, siç ishte deklarata e bërë në takimin me Kryeministrin nga përfaqësuesi i njërës prej shoqatave që merren me jetimët në vendin tonë, i cili deklaroi se sot në Shqipëri ka 80.000 familje me fëmijë jetimë. Kjo deklaratë absurde është jashtë çdo përfytyrimi të cilitdo njeriu normal, dhe nuk ka nevojë për koment. Sepse, në radhë të parë ajo mund t’i shërbej atij që e artikuloi me cinizëm dhe për interesa e qëllime që vetë ai i di, por, assesi nuk i shërben fëmijëve jetimë, të cilët presin realisht ndihmën dhe dorën e ngrohtë të shtetit, por edhe të këtyre organizatave që për fat të keq, në më të shumtën e rasteve kanë qenë inekzistente, pse jo edhe abuzive e informale në misionin e tyre. Ato nuk kanë mundur të ndikojnë dukshëm për të ndryshuar realitetin tragjik të këtyre fëmijëve.
Nuk do të rezervohesha aspak për të shprehur të njëjtin mendim edhe për institucionet përgjegjëse shtetërore. Ato, janë të para që kanë detyrimin institucional për të përmbushur më së miri të gjitha të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga ligji, për të përmirësuar sa më mirë që të jetë e mundur statusin social të këtyre fëmijëve në nevojë. Në të gjitha veprimtaritë dhe angazhimet tona si Institut, jemi udhëhequr nga filozofia se këta fëmijë vërtetë mund të jenë të ndryshëm, por jo të privuar, aq më keq të neglizhuar dhe të përjashtuar. Ky është qëllimi, parimi dhe dimensioni social që vendet me demokraci të zhvilluara, të konsoliduara dhe të socializuara investojnë pa kursyer për këtë kategori të shoqërisë. Me synimin e vetëm për t’i rehabilituar dhe integruar butë, me drejtësi dhe me sa më pak trauma.
Duhet veçuar e vlerësuar përkushtimi dhe puna vetëmohuese e disa organizatave që vërtet kanë dhënë dhe japin një kontribut të çmuar në zbutjen e plagëve sociale të fëmijëve jetimë gjatë gjithë këtyre viteve. Vlen të përmendet shoqata “Bota e Jetimit” me qendër në Kavajë, e drejtuar me shumë pasion dhe përkushtim nga një zonjë fisnike e quajtur Dashurie Met’hasani, apo edhe ndonjë tjetër këtu në Tiranë siç është Fondacioni “Shpresë për Botën” që drejtohet nga z. Përparim Demçollari, i cili që prej vitit 1992 asiston me shumë programe sociale në ndihmë të disa qendrave rezidenciale shtetërore ku trajtohen fëmijë jetim.
Por nga ana tjetër, mendoj se situata në të cilat veprojnë në përgjithësi OJF-të që merren me çështjen e fëmijëve jetimë nuk është aspak optimiste. Gjithmonë kam qenë kundër atyre modaliteteve dhe tipologjive arkaike tradicionale me karakter diskriminues e patriarkal, shpesh herë abuziv, që për fat të keq na kanë shoqëruar në këtë tranzicion të zgjatur. Ende, ato shfaqen dukshëm dhe në forma malinje në mjedisin tonë shoqëror përsa i përket sjelljes dhe trajtimit që i bëhet kësaj pjesë delikate dhe të pambrojtur të shoqërisë. Të vjen keq kur konstaton se edhe sot, pas 18 vjetësh tranzicion, duke përfituar nga nevojat më jetike të munguara tek këta fëmijë, disa shoqata apo individë që pretendojnë se janë përfaqësues të shtresës së jetimëve, i trajtojnë ata si objekt dhe sende për qëllime përfitimi dhe jo si anëtarë të shoqërisë që kanë nevojë t’u dëgjohet zëri, kanë nevojë për më shumë vëmendje, ngrohtësi, dashuri e respekt njerëzor. Këta përfaqësues nuk mund të sillen me fëmijët jetimë si “kryepleq” e “bajraktarë” të këtij komuniteti, sepse ata kanë dinjitetin dhe personalitetin e tyre.
Fëmijët jetimë para së gjithash, nuk kanë nevojë për të ashtuquajtura “ndihma” me veshmbathje e ushqime, të zhdoganuara herë pas here në emër të “bamirësisë” nga ndonjë shoqatë abuzive.
Ata s’kanë nevojë as për ata përfaqësues shoqatash, të cilët me “akrobaci trampoline” përdorin si “kartë ligjore” dhe pa kriter nëpër doganat tona NIPTIN e lëshuar nga shteti, apo edhe ndonjë referencë të lëshuar nga MPÇSSHB si “garanci morali” për besueshmërinë e tyre. Të aftë për të manipuluar me trafikun e influencës në emër të zyrtarëve të lartë shtetëror, këta individë, fare haptazi dhe pa i’u dridhur zëri, nuk ngurojnë të deklarohen dhe të prezantohen në mënyrë abuzive si OJF – shtetërore, shumë herë duke u pozicionuar edhe me ngjyrime partiake e qëndrime politike. Prej vitesh dhe për interesa të ngushta e meskine, eksponentë të shoqatës së jetimëve luajnë “kungulleshkën” njëherë në favor x partie në pushtet, dhe nga ana tjetër duke lëshuar breshëri sharjesh, fyerjesh e pakënaqësish për atë që është në opozitë. Madje, këta pehlivanë, arrijnë deri aty sa edhe të luajnë me imazhet e portreteve të personaliteteve të varura në muret e zyrës së kësaj OJF-je. Një herë do të shohësh portretin e bamirëses Nënë Terezë; një herë tjetër portretin e Presidentit Topi apo të zonjave të para, etj, etj.
Me këtë performancë, këta “misionarë të bamirësisë” prezantohen pranë zyrave shtetërore, subjekteve dhe personave të ndryshëm sipas rastit, gjithnjë me kërkesat e tyre për “ndihmë ndaj jetimëve”, me qëllimin e vetëm: fitimin me anë të mashtrimit.
Mirëpo, me këto veprime amorale, jo vetëm që shkelen normat statutore dhe rregullorja e brendshme mbi të cilat duhet të funksionojë normalisht dhe e pavarur shoqata, por fyet dhe denigrohet keq e gjithë anëtarësia, përdhoset rëndë emri dhe simboli që në të vërtetë kjo OJF pretendon se e ka.
Nuk e di nëse ka struktura legjitime dhe anëtarësi kjo shoqatë, por përfaqësuesi i saj Kadri Alia, me “ligjin e Maliqit” dhe i dehur nga deliri i të vetëshpallurit “president i jetimëve”, me arrogancën dhe brutalitetin që e karakterizon, i shpërfill këto struktura vendimmarrëse. Ai shkarkon pa motiv përfaqësuesin lokal të shoqatës së jetimëve në Pogradec. Në vend të tij, emëron si kryetare një farë punonjëse dogane me emrin Manushaqe Kromollari. Kjo zonjë nuk ka asnjë lidhje me jetimët. Pas denoncimit të këtij fakti të pastër korruptiv, ky pehlivan manovrator, për të humbur gjurmët e transferon këtë zonjë me detyrën si kryetare shoqate në degën e Korçës. Shembulli është tipik dhe nuk ka nevojë për analizë të mëtejshme në këto marrëdhënie okulte. Nga ana tjetër, sipas ish-sekretarit të përgjithshëm të kësaj shoqate Maksim Liço dhe të tjerë përfaqësues brenda saj, Kadri Alia e ka zhdukur dokumentacionin financiar të 10 viteve te fundit. Zhdukjen e dokumentacionit financiar ai e motivon me justifikimin banal se kasaforta që mbante brenda këto dokumente “ka humbur rrugës” kur kjo shoqatë po transferonte zyrën pranë Shërbimit Social Shtetëror. I ndodhur përballë presionit të brendshëm të strukturave të shoqatës për shumë shpërdorime financiare në emër të jetimëve, Kadri Alia bën “shurdhmemecin” dhe nuk jep llogari në strukturat e kësaj shoqate. Ai nuk ka kurajë për t’u përballur në mënyrë transparante me donatorët që kanë kontribuar pranë kësaj shoqate (bizneset, fondacionet, ambasadat) duke pasur besim se këto para do të përdoren vetëm për jetimët.
Unë do t’i kujtoja këtij “kapedani” që vetë vendos dhe vetë vulos, se shoqatat e jetimëve nuk janë kompani biznesi (SHPK), por mirëfilli, janë organizata që kanë misione humane dhe solidariteti për njerëzit në nevojë. Situata është e patolerueshme. Jetimët më së shumti do të preferonin respektin dhe përfaqësimin dinjitoz të tyre, një ligj sa më të fortë dhe bashkëkohor që i mbron ata si në aspektin social, ashtu edhe në atë juridik. Shqipëria tashmë e ka kaluar fazën e tranzicionit dhe nuk mund të prezantohet vazhdimisht si vend i krizave dhe i emergjencave përballë institucioneve ndërkombëtare. Ato janë të vëmendshme dhe çdo ditë na monitorojnë me shumë kujdes.
Mirëpo, individë të tillë, të babëzitur nga pangopja, prej vitesh vazhdojnë të abuzojnë me fëmijët jetimë. Ata ende nuk e ndalin vrapin e tyre mëkatar. Me maskën e thinjave në kokë, ndonjërin prej tyre e dëgjon shpesh të “qajë” në ekstazë me ulërimën ndjellakeqëse: “Jam babai i jetimëve, prandaj më ndihmoni….”.
Mbase në rrethana të ngjashme si kjo, ka lindur edhe rrëfimi i mençur popullor me “Baba Aliun dhe 40 hajdut녔. Ky rrëfim ka brenda sarkazmën e dhimbshme që edhe sot e kësaj dite përcillet brez pasi brezi me të qeshura therëse. A nuk ishte Vehbi Alimuça ky goxha burrë, trupmadh dhe me flokë të bardhë si bora që thërriste përmes delirit: “Jam babai i fukarenjve, ndaj do t’i bëjë të gjithë të pasur…?! Mirëpo Vehbiun dhe firmën e tij mashtruese e besuan të gjithë shqiptarët. Ndaj, ç’të keqe ka që një tjetër “Ali Baba” të mashtroj edhe fëmijët jetimë !?
Kjo ngjan vërtetë si një ëndërr me babagjyshin e Vitit te Ri. Mirëpo, ëndrra mbetet ëndërr. Ndonjëherë edhe vret… Sidomos fëmijët pa kujdes prindëror. Sepse këta sharlatanë - social, ashtu si personazhi grotesk i Nastradinit, janë kthyer në “gjobëvënës” të njerëzve të ndershëm të bisnesit dhe fondacioneve arabe që veprojnë në Shqipëri, duke u gllabëruar para me anë të mashtrimit në emër të “bamirësisë” për jetimët. Të njëjtën gjë bëjnë edhe me ambasadat e akredituara në vendin tonë. Mjerisht, këto para përfundojnë në xhepat e tyre dhe nuk përdoren aspak për ata fëmijë. Kjo është e trishtueshme, sepse ky nuk është vetëm një turp, por më së shumti është edhe një krim social.
Lypset më shumë vigjilencë nga ana e përfaqësuesve të biznesit, fondacioneve dhe Trupi Dipllomatik, me qëllim që kontributi i tyre të mos shpërdorohet nga këta individë, të cilët, si pleq të lajthitur dhe të trullosur nga makutëria, sillen vërdallë rrugëve të Tiranës dhe Durrësit në pritje të “gjahut” të radhës…
Nga ana tjetër, për fat të keq, prej vitesh ata gjejnë mbështetje edhe nga zyrtarë të administratës shtetërore; mbase edhe për shkak të ndjeshmërisë të problematikës që kanë jetimët, apo nga mosnjohja e background-it të cilët ata përfaqësojnë, por, edhe në këmbim të heshtjes për shumë probleme që sot jetimët kanë.
Zyrtarë të MPÇSSHB dhe drejtoria e përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, duke shfrytëzuar mediokritetin dhe kapacitetin intelektual poshtë nivelit mesatar të përfaqësuesve të këtyre OJF-ve, u hedhin atyre lëmosha dhe i strehojnë me zyra brenda institucioneve shtetërore në kundërshtim me ligjin “Për funksionimin e administratës publike shtetërore”. Kjo është e patolerueshme, sepse në rastin më të mirë, këta përfaqësues nuk do të kenë kurajën të ngrenë zërin për hallet dhe problemet e shumta që kanë sot jetimët në mbarë vendin. Ndryshe, do të kërcënohen të dalin jashtë nga këto zyra. Në rastin më të keq, janë të gjitha gjasat për riaktivizimin e skemës së famshme korruptive - tradicionale midis këtij institucioni shtetëror dhe kësaj OJF-je në kurriz të jetimëve. Një skemë që lidhet me programet sociale që mbështeten me para nga donatorë të huaj dhe Banka Botërore, ashtu siç ka ndodhur në gjithë këto vite të tranzicionit në Shqipëri. Kësaj i thonë që administrata shtetërore dhe shoqata (OJF) të vërsulen si hamës në “pjatën” e jetimëve. Gjykoj se jetimët nuk kanë më nevojë për këta përfaqësues - qelepirxhinj e matrapazë social, që në gjithë këto vite s’kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë penguar kauzën dhe integrimin real të tyre. Jetimët kanë nevojë për një përfaqësim dinjitoz nga ana e drejtuesve të tyre, për një qëndrim të prerë me kërkesa të ligjshme përballë institucioneve shtetërore që janë përgjegjëse për të përmbushur të gjitha detyrimet dhe të drejtat që u takojnë atyre për sa i përket strehimit, arsimimit, punësimit, ndihmës shëndetësore dhe gjithçka tjetër që lidhet me fasilitetet që u njeh statusi i tyre ligjor. Sepse këta fëmijë pasi mbushin moshën 14 vjeç, largohen nga këto qendra dhe transferohen nëpër konvikte ku edhe ndjekin më pas shkollat e mesme, kryesisht ato profesionale. Sigurisht, këtu nis dhe kalvari i gjatë i vuajtjeve dhe përpjekjeve për të përballuar shumë vështirësi që u dalin, pasi janë si të thuash edhe jashtë vëmendjes së duhur të institucioneve shtetërore.
Ky fakt, përbën riskun më të madh për të përcaktuar të ardhmen e tyre pa perspektivë. Shumë prej tyre detyrohen të braktisin shkollat dhe të gjejnë alternativa dhe rrugë të pandershme për të mbijetuar. Kjo është edhe drama më e madhe e jetës së tyre ku shpresat për të ardhmen veniten dhe askush nuk kujtohet më për ta. Pamja rrëqethëse që ofron realiteti i jetës së vështirë e të rinjve jetimë nëpër konviktet e shkollave të mesme në kryeqytet nuk ka nevojë për asnjë koment. Prej më se 20 vjet, këto konvikte janë kthyer në Geto, ku në secilën prej tyre ndodhen 30-40 të rinj të moshës nga 18-50 vjeç. Disa prej tyre janë bërë prindër me fëmijë, por të pa shpresë dhe të braktisur nga shteti.
Aktualisht në mbarë vendin, ndodhen nëpër konvikte në të tilla kushte mbi 400 të rinj jetim. Situata është alarmante.
Para pak ditësh, titullarët e lartë të MPÇSSHB, për të treguar se administrata e tyre është në lëvizje dhe efiçente, bënë “spektaklin” e radhës. Nxitimthi u vërsulën në tryezën e rrumbullakët mediatike të Hotel “Tirana-International” për të prezantuar me shumë bujë dokumentin e “politikave për kujdestarinë e fëmijëve në nevojë”. Mirëpo, një fjalë e urtë e popullit thotë: “nga e thëna në të bërë, është në mes një mal i tër녔. Dhe në fakt, brenda këtij institucioni ka zëra se ky dokument paraqet shumë defekte dhe është i cunguar. Kjo e bën edhe më të vështirë implementimin e këtij projekti, pasi në të vërtet nuk janë përfshirë në dhënien e ideve dhe mendimeve për hartimin e kësaj strategjie specialistët e të gjitha fushave si edhe grupet e interesit. Në fakt, dokumenti i hartuar është voluminoz dhe të krijon përshtypjen se vërtet së shpejti do të ndodh “mrekullia” e radhës. Prezantime të tilla për “strategji” dhe “superstrategji” janë bërë nga ky dikaster me dhjetëra e dhjetëra në gjithë këto vite të tranzicionit, mirëpo ku jemi me rezultatet?! Cilat janë parametrat dhe treguesit që flasin për ndryshimin që në thelb kanë zbutjen e varfërisë dhe të efekteve sociale që bien mbi këto shtresa në nevojë? Me keqardhje mund të themi se situata është e njëjtë dhe gjasat janë se edhe për shumë kohë gjendja do të jetë e tillë, veçanërisht për jetimët.
Raporti prej 40 faqesh që Amnesty International bëri publik vitin e kaluar, është një akuzë e rëndë që i drejtohet shtetit shqiptar përsa i përket respektimit të të drejtave të njeriut, duke mos i trajtuar këta jetimë njëlloj si shtetasit e tjerë të këtij vendi, në mënyrë të barabartë dhe të dinjitetshme, duke i lënë përfundimisht të braktisur, pa shkollë, pa punë, pa strehë dhe pa ndihmë mjekësore. Për fat të keq, ende nuk kemi një strategji të mirëfilltë kombëtare për të ndërhyrë me programe të qarta zhvillimi, me projekte sociale që do të bëjnë të mundur rehabilitimin dhe integrimin e jetimëve, veçanërisht për të rinjtë jetimë që mbarojnë shkollat dhe mbeten rrugëve të papunë dhe të pastrehë, për fëmijët e riskut që janë në komunitet dhe që përbëjnë numrin më të madh të fëmijëve në nevojë në të gjithë vendin. Shumë projekte për jetimët nuk kanë gjetur zbatim nga autoritetet që i ngarkon ligji, siç është MPÇSSHB, Shërbimi Social Shtetëror, dhe disa ministri të linjës; Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Ministria e Arsimit, Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Drejtësisë, etj. Të gjitha këto institucione qendrore të shtetit, kanë qenë shumë apatike dhe indiferente në përgjegjësitë e tyre. Duke parë këtë situatë, në vitet 2006-2007 janë lëshuar 2 VKM që lejonin transferimin e kompetencave nga pushteti vendor tek pushteti lokal, për t’i dhënë të drejta të plota këtij të fundit në administrimin dhe menaxhimin e këtyre qendrave rezidenciale shtetërore në përputhje me situatën, nevojat dhe gjendjen që kanë këto Bashki dhe Komuna me shtresat në nevojë. Mirëpo, ky proces nuk ka ecur siç duhet, ngase shtetarët vendor ende nuk po ndërgjegjësohen si duhet për të marrë përsipër këto përgjegjësi që u ngarkon ligja. Në gjykimin tim, mbase do të ishte më mirë që këto kompetenca t’i atribuoheshin prefekturave dhe qarqeve. Kjo do të bënte të mundur që situata të ishte më e kontrollueshme, rrjedhimisht e mirëmenaxhueshme.

* Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

14 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›