Deputetët e PD-së, në pikëpyetje për një mandat të dytë në Kuvend
Eljona Ballhysa
Gati gjysma e deputetëve aktualë të Partisë Demokratike e kanë në pikëpyetje mundësinë e kandidimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Burime konfidenciale kanë bërë të ditur për gazetën se kryeministri Berisha po planifikon që të krijojë hapësira në Grupin Parlamentar të PD-së për të garantuar një mandat deputeti për njerëzit e stafit të tij të ngushtë. Kështu, pritet që gati gjysma e deputetëve të Grupit Parlamentar të PD-së, ose nuk do të jenë pjesë e listave për deputetë, ose do të jenë në lista, por në pozicione aspak të favorshme për t’u zgjedhor në Kuvendin e ardhshëm të pas qershorit 2009.
Të rrezikuarit
Sipas burimeve, më të rrezikuarit nga deputetët aktualë janë pikërisht ata që janë përdorur për të ngritur kartonët dhe që kanë mbajtur një pozicion gri gjatë gjithë periudhës katërvjeçare të PD-së në pushtet. Megjithëse mund të jenë të mbështetur nga elektorati i zonave të tyre, kjo nuk do të përbëjë ndonjë pikë të rëndësishme për t’i favorizuar këta deputetë. Kjo për faktin se sistemi i ri elektoral ka fshirë kandidimin e deputetëve direkt në popull, në një zonë të caktuar elektorale. Tashmë lista që do të hartohet për çdo qark të vendit do të përmbajë në vendet e para emrat më të spikatur të PD-së, ata që janë promovuar, që mbajnë poste të rëndësishme në parti dhe në qeveri. Pikërisht këta do të garantojnë paraprakisht karrigen e deputetit, ndërsa të tjerët, megjithëse mund të përfshihen në lista, pozicioni i tyre në vendet e fundit nuk jep shpresa për fitore. Më poshtë po paraqesim një listë paraprake të PD-së me emrat e deputetëve që ndodhen në pikëpyetje për një mandat të dytë deputeti.
Favoritët
Burime nga PD-ja kanë bërë të ditur se favoritë për të fituar vendet e para në listat e PD-së do të jenë, përveç lidershipit të partisë, dhe individë që i kanë qëndruar pranë kryeministrit Berisha gjatë katër viteve në pushtet. Administrata e tij e ngushtë pritet të zërë një vend të rëndësishëm në listat e ardhshme të PD-së, duke u garantuar atyre një mandat parlamentar. Por kryeministri Berisha pritet të veshë me “imunitet” deputeti dhe një pjesë të ministrave që kanë probleme me Drejtësinë. Kështu, përveç Bashës, Bumçit, pritet që favorit të jetë dhe ministri aktual i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Sipas burimeve, favorit për t’u përfshirë në vendet e para të listave të kandidatëve për deputetë mësohet se është drejtori i kabinetit të kryeministrit, Arben Imami. Një tjetër figurë që pritet të përfshihet në listën e PD-së është dhe Gjergj Lezhja, i cili aktualisht mban postin e sekretarit të Përgjithshëm të kabinetit kryeministror. Një figurë tjetër që vjen sërish nga stafi i ngushtë i Berishës është Suzana Guxholli, e cila mban postin e këshilltares për çështjet ekonomike. Kryetari i selisë blu mendohet se do të përfshijë në listë dhe emrin e Gjergj Bojaxhiut, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Korporatës Eletroenergjetike Shqiptare. Ky i fundit është promovuar së fundi si një kandidat favorit dhe për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës, dhe përfshirja e tij në politikë duket e afërt. Sipas burimeve, duke u nisur dhe nga kuota prej 30% e përfshirjes së femrave në listat për kandidatë për deputetë, do të jenë të shumta femrat që do të favorizohen nga Berisha. Burimet bëjnë të ditur se nga deputetët aktualë të PD-së favoritë për të rikandiduar do të jenë anëtarët e KOP-it, si dhe figurat kryesore të partisë. Ndërkohë që rrezikojnë disa emra që, pavarësisht viteve në PD, së fundi nuk janë promovuar nga kreu i qeverisë.
Deputetët që rrezikojnë kandidimin
Astrit Patozi
Ilir Bano
Gazmend Oketa
Arenca Trashani ?
Astrit Bushati ?
Jozefina Topalli
Rexhep Uka ?
Aleksandër Biberaj
Jemin Gjana
Fatos Hoxha
Aldo Bumçi
Preç Zogaj
Gjokë Vuksani ?
Pal Dajçi
Sali Shehu
Sami Gjergji
Ferdinand Xhaferri
Besnik Mustafaj
Lulzim Basha
Bujar Nishani
Ylli Pango
Majlinda Bregu
Gëzim Karapici ?
Spartak Ngjela jo
Leonard Demi
Sali Berisha
Engjëll Cara ?
Luan Skuqi ?
Dashnor Sula
Mevlan Xhindoli ?
Fatos Beja
Ridvan Bode
Ilir Rusmali
Edmond Spaho
Genc Ruli
Bujar Leskaj
Arian Starova
Ndriçim Babasi ?
Edi Paloka
Blerim Çela ?
Ardian Kollozi ?
Eris Hoxha
Lajla Pernaska
Albert Faruku ?
Hajrulla Paturi ?
Besnik Bisha ?
Genc Sharku
Parid Teferici ?
Galip Ramadhi ?
Tritan Shehu
Genc Pollo
Rahim Kaleci ?
Genc Juka
Shkëlqim Ziri ?
Gjovalin Prenga ?
Osman Metalla
14 Dhjetor 2008