G99: SHISH një organ kushtetues larg ndikimit të qeverisë
Tiranë, 21 janar NOA Sot, në momentin kur
vendi sapo ka kaluar një katastrofë me përmasa e pasoja tepër të rënda, kur
qeveria duhet të jetë në krye të detyrës për të normalizuar gjendjen e banorëve
në zonat e përmbytura dhe për të mundësuar kompensimin e plotë të dëmeve, kjo
mazhorancë edhe një herë devijon vëmendjen e opinionit publik, duke u marrë me
një çështje sa periferike aq edhe problematike, siç është mandati dhe kompetencat
e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Kështu ka deklaruar sot përfaqësuesi i G99,
Genci Kojdheli i cili shtoi se përmes një vendimi të kaluar dje, qeveria po
tenton të kufizojë mandatin e drejtuesve të Shërbimit Informativ Kombëtar, pa
dhënë shpjegim se përse është e nevojshme kjo manovër, pa u konsultuar me
opozitën, dhe pa konsideruar opinionin e partnerëve ndërkombëtarë në këtë
fushë.
Duam të theksojmë se tentativat e kësaj
qeverie për të kontrolluar SHISH kanë nisur që në mandatin e kaluar, me
përpjekjen për ta kaluar SHISH nën hyqmin e Ministrisë së Brendshme.
Nuk do të shqetësoheshim aspak për këtë
ripërkufizim të mandatit dhe kompetencave të SHISH sikur iniciativa të mos
vinte nga mazhoranca e drejtuar prej Z. Berisha. Të gjithë e mbajnë mend kohën kur Shërbimi
Informativ ishte vetëm një vegël në duart e presidentit të asokohe, dhe
shërbente si një institucion dhune, frikësimi e represioni.
I kërkojmë kësaj qeverie që të kthejë sytë nga
problemet e mprehta të vendit, nga zonat e përmbytura, nga varfëria e
tejskajshme, kriza ekonomike, e reforma e pronës, dhe të mos prekë e tentojë të
uzurpojë institucionet kushtetuese, ashtu si nuk ka hezituar të bëjë në të
shkuarën përfundoi Kojdheli.
k.k/NOA