E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri i Shtetit fton Edi Ramën: Fute PS-në në Kuvend

Tiranë 22 janar NOA Ministri i Shtetit Genc
Pollo i bëri thirrje opozitës së drejtuar nga Edi Rama që të rikthejë deputetët
e saj në Parlament për ti dhënë fund kështu bojkotit rreth pesë mujor që
lidhet me kontestimin e pjesshëm të zgjedhjeve.

Deklaratën, z.Pollo e bëri gjatë një fjalimi që
mbajti pasditen e së enjtes në përkujtimin e 90 vjetorit të Kongresit të
Lushnjës, i pranishëm në aktivitetet që u bënë në këtë qytet, me rastin e
përvjetorit jubilar.

Nëse evokojmë sot Kongresin e Lushnjës, është
rasti që të gjithë ata që janë përfaqësues të këtij populli, të bëjnë gjithçka
për këtë vend dhe të bëjnë pjesë në një Kuvend, - deklaroi z.Pollo dhe shtoi: Në
një Kuvend të Republikës së Shqipërisë, sepse ashtu si edhe 90 vjet më parë edhe
delegatët që erdhën, edhe ata që për shkak të rrethanave, erdhën më vonë, u
bashkuan drejt vendimeve historike të vitit 1920.
Një gjë e tillë duhet të frymëzojë të tërë që të shkojnë të flasin të
debatojnë dhe të votojnë në Kuvendin e Republikës 90 vjet më vonë, - tha Pollo
duke ftuar kështu opozitën të lërë bojkotin. 

Kongresi i Lushnjës u mbajt në 21-31 janar
1920 ku morën pjesë delegatë të zgjedhur nga gjithë Shqipëria, me qëllim
studimin e situatës së brendshme e të jashtme të vendit dhe masat që duhet të
merreshin për shpëtimin e Shqipërisë.

Pasditen e 31 janarit të vitit 1920-të,
Kongresi i Lushnjës u dha fund punimeve duke vendosur Tiranën, kryeqytet të
Shqipërisë.

e.r/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›