Suedia dhe Sllovenia hapin ambasadat e tyre në Tiranë
Tiranë, 21 Janar NOA - Qeveria suedeze vendosi
hapjen e ambasadës në Shqipëri, duke e ngritur rangun e Zyrës përfaqësuese
suedeze, që aktualisht funksionon prej disa vitesh në vendin tonë në atë të një
Ambasade. E njëjta gjë u vendos edhe në lidhje me Kosovën.
Sipas agjencive të lajmeve suedeze, Suedia do
të mbyllë 6 Ambasada dhe do të hapë 10 të reja. Do mbyllen Ambasadat suedeze në
Bratislavë, Dakar, Dublin, Lubjanë, Luksemburg dhe Sofia brenda këtij viti.
Në të njëjtën kohë, prezenca diplomatike e
Suedisë do të forcohet në Kaukaz dhe në Ballkan duke ngritur nivelin e
përfaqësimit aktual në Prishtinë, Tbilisi (Gjeorgji), Chisinau (Moldavi) dhe në
Tiranë.
Siç bëhet e ditur edhe në komunikatën
përkatëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme qeveria suedeze synon të forcojë
prezencën e saj në Ballkan e Kaukaz nëpërmjet ngritjes së nivelit të përfaqësimit
nga zyrat ekzistuese në atë të ambasadës.
Hapja e ambasadës suedeze në vendin tone do
ti japë një impuls të ri e do të ndikojë në intensifikimin e mëtejshëm të
marrëdhënieve midis dy vendeve tona si në kuadrin dypalësh ashtu edhe në kuadër
të përpjekjeve tona për integrim europian.
Vendimi i sotshëm i qeverisë suedeze përfshin
hapjen e dhjetë ambasadave të reja dhe mbylljen e gjashtë ambasadave të
mëparshme. Ambasadat e reja, që kryesisht do të jenë ngritje e nivelit të
zyrave përfaqësuese suedeze të mëparshme, do të hapen në Shqipëri, Kosovë,
Gjeorgji, Moldavi, në disa vende afrikane si dhe në Bolivi e Kamboxhia.
Ambasadat suedeze, që do të mbyllen gjatë
këtij viti janë ato të Sllovakisë, Irlandës, Sllovenisë, Luksemburgut,
Bullgarisë dhe Senegalit.
Ministri i Jashtëm, z. Bild, tha: Ne duam të
jemi present atje ku paratë tona për mbajtjen e ambasadave të përdoren në
mënyrën më të dobishme. Është pozitive që ne mund ti përdorim burimet tona për
të forcuar prezencën tone në një numër vendesh që ndodhen pranë nesh.
Ministrja e Bashkëpunimit për Zhvillim, znj.
Gunila Karlson tha: Ngritja e nivelit të zyrave tona përfaqësuese në ambasada
është pjesë e procesit të mbështetjes për implementimin e ndihmës sonë për
zhvillim ndaj atyre vendeve me të cilat kemi marrëveshje afatgjata bashkëpunimi
për zhvillim. Një prezence më e forte në vend është shumë e rëndësishme për
implementimin e një bashkëpunimi për zhvillim me cilësi të lartë e të orientuar
nga rezultatet.
Në lidhje me vendimin për të mbyllur një numër
ambasadash ekzistuese z. Bild tha se brenda kuadrit të bashkëpunimit të
ngushtë, që ekziston midis vendeve të BE-së, ka hapësira për zhvillimin e
formave të reja për mbajtjen e kontakteve bilaterale në të ardhmen.
Me vendimin e sotëm, deri në fund të këtij
viti, Suedia në harkun kohor të 20 vjetëve (1990-2010) do të ketë hapur 40
misione të reja dhe mbyllur 54 të tilla.
Gjithashtu nga burime konfidenciale behet e
ditur se edhe Sllovenia do të hapë së shpejti Ambasadën e saj në Tiranë. Ky
lajm vjen menjëherë pas hapjes edhe të Ambasadës Sllovake, çelja e së cilës
inaugurohet nesër, nga Ministrat Lajcek dhe Meta.
e.r/NOA