Pollo: Kongresi i Lushnjës, nisi ekzistencën de facto të shtetit shqiptar

Tiranë 22 janar NOA - Përkujtohet 90 vjetori i
Kongresit të Lushnjës, i pranishëm në aktivitetet që u bënë në këtë qytet, me
rastin e përvjetorit jubilar, edhe Ministri i Shtetit z. Genc Pollo.
Duke përshëndetur në emër të qeverisë dhe të
Kryeministrit Pollo tha se Kongresi i Lushnjës filloi ekzistencën de facto të
shtetit shqiptar, pasi pas pavarësisë të shpallur në vitin 1912 pasuan luftërat
Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore.
Homazhi ynë është për ata burra të vendit, që
90 vite më parë, me një kurajë atdhetare dhe qytetare, kapërcyen rreziqet dhe
rivendosën integritetin e vendit. 90 vjet më vonë, situatat janë shumë më të
ndryshme, pasi sot Shqipëria, ndryshe nga atëherë është anëtare e NATO-s dhe
kandidate e BE-së por njëlloj si atëherë ideali i një Shqipëri të zhvilluar, me
njerëz që nuk vuajnë nga vobektësia, në një shoqëri që ecën përpara, është i
njëjtë edhe sot, - theksoi Pollo.
Dhe për fat të mirë, - vazhdoi ai, - është në
kuadrin e integrimit evropian, diçka që e mbështetin të gjithë dhe të gjitha
forcat politike.
Ndaj nëse evokojmë sot Kongresin e Lushnjës,
është rasti që të gjithë ata që janë përfaqësues të këtij populli, të bëjnë
gjithçka për këtë vend dhe të bëjnë pjesë në një Kuvend, - deklaroi z.Pollo.
Në një Kuvend të Republikës së Shqipërisë
sepse ashtu si edhe 90 vjet më parë edhe delegatët që erdhën, edhe ata që për
shkak të rrethanave, erdhën më vonë, u bashkuan drejt vendimeve historike të
vitit 1920, kujtoi Pollo.
Një gjë e tillë duhet të frymëzojë të tërë që të shkojnë të flasin të debatojnë
dhe të votojnë në Kuvendin e Republikës 90 vjet më vonë, tha Pollo duke ftuar
kështu opozitën të lërë bojkotin.
Kongresi i Lushnjes u mbajt në 21-31 janar
1920 ku morën pjesë delegatë të zgjedhur nga gjithë Shqipëria, me qëllim studimin
e situatës së brendshme e të jashtme të vendit dhe masat që duhet të merreshin
për shpëtimin e Shqipërisë.
Pasditen e 31 janarit të vitit 1920-të,
Kongresi i Lushnjës u dha fund punimeve duke vendosur Tiranën, kryeqytet të
Shqipërisë.
e.r/NOA