PDK: Maxhorana të pranojë pa kushte hetimin e zgjedhjeve

Tiranë, 21 janar NOA - Partia Demokristiane ka
lëshuar sot një deklaratë për shtyp me anë të së cilës ka shprehur shqetësimin
e saj për krizën politike që ka mbërthyer vendin që pas zgjedhjeve sipas saj të
manipuluara të 28 qershorit dhe ka denoncuar edhe njëherë përpjekjet e
maxhorancës qeverisëse për të fshehur krizën politike dhe për të penguar
zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve.
Ndërkombëtarizimi i krizës politike dhe
institucionale që ka përfshirë vendin dhe evidentimi i krizës në raportin e
reporterëve të Këshillit të Evropës dhe në projektrezolutën e Komitetit të
Monitorimit që pritet të miratohet në ditët e ardhshme, është një kambanë
alarmi për partitë politike shqiptare, Presidentin e Republikës dhe në veçanti
për maxhorancën qeverisëse, e cila kërkoi ta fshihte të vërtetën e zgjedhjeve
pas vendimeve politike dhe të njëanshme të gjykatës zgjedhore.
Zgjidhja e krizës politike dhe institucionale
është obligim madhor i faktorit relevant politik shqiptar, ndaj PDK kërkon
fillimin e menjëhershëm të dialogut politik që do të mundësojë hetimin e
zgjedhjeve dhe zbardhjen e të vërtetës për zgjedhjet e 28 qershorit thuhej në deklaratën
e PDK-së.
PDK gjykon se hetimi i zgjedhjeve dhe hapja e
kutive të votimit, në qarqet e kontestuara nga opozita është e vetmja rrugë që
çon në zgjidhjen e krizës politike, kthimin e normalitetit në vend, por edhe
garanci për mbylljen e ciklit të turpshëm të manipulimit të zgjedhjeve që kanë përçudnuar
demokracinë në këto 20 vite të tranzicionit politik.
Shqipëria si vend anëtar i NATO-s dhe si vend
që aspiron për tu integruar në Bashkimin Europian, është momenti të dëshmojë
pjekurinë e saj politike dhe potencialet e saj demokratike, duke zgjidhur me
dialog dhe konsensus krizën e krijuar nga vjedhja e votës në zgjedhjet e 28
qershorit përfundon deklaratën e saj PDK.
k.k/NOA