Lajcak: Jo bojkotit të PS, mbi vendimet e gjykatave nuk dilet dot

Kryeministri
Berisha pret Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajcak
Tiranë, 22 Janar NOA Askush nuk e përkrah
bojkotin dhe në asnjë rast, politika nuk mund të ndërhyjë për të vlerësuar
vendimet e gjykatave. Deklarata u bë gjatë një takimi që Ministri i Jashtëm i
Sllovakisë, Miroslav Lajcak pati me Kryeministrin Sali Berisha në zyrën e këtij
të fundit.
Kryeministri i bëri me dije ministrit Lajcak gatishmërinë
e mazhorancës për ngritjen e komisionit parlamentar për shqyrtimin e
shqetësimeve të ngritura nga opozita, me përjashtim të
çështjeve të vendosura
tashmë me vendim të formës së prerë nga gjykata. Ministri sllovak u shpreh se
qëndrimi i Kryeministrit Berisha dhe qeverisë shqiptare në respektim dhe mbështetje
të institucioneve demokratike dhe të shtetit ligjor është një qëndrim i drejtë
që gëzon një përkrahje të gjerë.
Konkluzionet e Institucioneve ndërkombëtare
të specializuara për zgjedhjet si ato të OSBE/ODIHR, duhen respektuar
plotësisht, - theksoi z.Lajcak.
***
Në takim, Berisha e vlerësoi vizitën e
Ministrit të Jashtëm të Sllovakisë Lajcak si një ngjarje shumë të rëndësishme
në marrëdhëniet mes dy vendeve, e cila do të sjellë një kontribut në forcimin
dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.
Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, z.Miroslav
Lajcak, e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë
dhe i transmetoi Kryeministrit përshëndetjet më të përzemërta të Kryeministrit
të Sllovakisë, z. Robert Fico, duke i shprehur njëkohësisht angazhimin dhe
vendosmërinë e Sllovakisë dhe të qeverisë sllovake për të zgjeruar dhe
intensifikuar bashkëpunimin mes dy vendeve, në të gjitha fushat.
Në takim, marrëdhëniet politike mes dy vendeve
u vlerësuan si shumë të mira. Ministri i Jashtëm sllovak Lajcak i shprehu
Kryeministrit Berisha vlerësimin e lartë për arritjet e jashtëzakonshme të
qeverisë së tij gjatë mandatit të kaluar, si anëtarësimi i Shqipërisë në NATO,
nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim -Asociimit në BE, aplikimi për statusin
e kandidatit dhe marrja e pyetësorit të Komisioni Europian, si dhe ecurinë
shumë të mirë me procesin e liberalizimit të vizave, por edhe reformat dhe
arritjet e jashtëzakonshme në luftën kundër krimit, korrupsionit, në fushën
ekonomike e fiskale, krijimin e klimës së favorshme për biznesin, etj.
Në Europë jemi shumë të impresionuar me
rezultatet e arritura nga qeveria juaj, iu shpreh Ministri Lajcak
Kryeministrit Berisha.
Më tej, Ministri i Jashtëm sllovak Lajcak e
siguroi Kryeministrin Berisha për dëshirën e vendit të tij për të zgjeruar
marrëdhëniet e bashkëpunimit, në veçanti në fusha si energjetika, turizmi,
infrastruktura, si dhe nxitjen e investitorëve sllovakë për histori suksesi me
investime biznesi në Shqipëri.
e.r/NOA