G99: Shqipëria po qeveriset nga klani ‘Berisha‘
Lëvizja G99 deklaroi dje se ka ndjekur me shqetësim raportin e Panelit të Inspektimit të Bankës Botërore që implikon në mënyrë të frikshme zotin Jamarbër Malltezi, dhëndër i Kryeministrit Sali Berisha. Sipas vërejtjeve të Panelit, theksoi Olta Xhaçka, Jamarbër Malltezi ka ndërhyrë në pothuaj çdo autoritet të lartë relevant të qeverisë, përfshirë dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë Ndërtimore, duke i instruktuar ata nëpërmjet pamjeve ajrore se cilat ai konsideronte ‘ndërtime të paligjshme në bregdet‘, në kundërshtim me politikat e bankës dhe objektivat e projektit të cilin ai koordinonte. G99 i bëri thirrje prokurorisë që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për hetimin e skandalit të radhës së familjes kryeministrore për shkatërrimin e paligjshëm të banesave të dhjetëra banorëve të Jalës nën instruktimin e Jamarbër Malltezit. "Ky veprim kriminal është shembulli më famëkeq i politikave klienteliste dhe mospërfilljes së shtetit ligjor, ku një pakicë përfiton në kurriz të një shumice", nënvizoi Xhaçka.