Fullani takon homologun grek
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, zhvilloi një vizitë pune pranë Bankës së Greqisë. Kjo vizitë zhvillohet në vazhdën e bashkëpunimit dypalësh që ekziston midis dy bankave qendrore, me një fokus të veçantë mbi shkëmbimin e informacionit dhe eksperiencës në fushën e mbikëqyrjes bankare. Gjatë kësaj vizite, guvernatori Fullani zhvilloi takim me guvernatorin e Bankës së Greqisë, George A. Provopoulos. Në takim u diskutuan zhvillimet aktuale ekonomike, mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar në Shqipëri dhe Greqi, si dhe u theksua mundësia e zhvillimit të projekteve të përbashkëta rajonale në fushën e mbikëqyrjes bankare dhe analizave makroekonomike. Gjithashtu, dy guvernatorët kanë zhvilluar takime edhe me drejtorët ekzekutivë dhe përfaqësues të tjerë të bankave tregtare greke që operojnë në Shqipëri, në të cilat janë diskutuar çështje me interes të përbashkët. Gjatë këtyre takimeve u konkludua se perspektivat e zhvillimit të ekonomisë shqiptare janë pozitive, në kontekstin e zhvillimeve të ekonomisë globale dhe të shumë vendeve të rajonit. Gjithashtu, sistemi bankar shqiptar paraqitet i shëndetshëm, në drejtim të treguesve të likuiditetit, të performancës financiare dhe të kapitalizimit. Sistemi bankar shqiptar gëzon të gjitha potencialet për të financuar rritjen e mëtejshme ekonomike të vendit. Stabiliteti makroekonomik i vendit dhe lehtësimi i kushteve monetare nga Banka e Shqipërisë janë një shtysë e mëtejshme në këtë drejtim. Ky konkluzion u mbështet edhe nga përfaqësuesit e sistemit bankar grek, të cilët operojnë në Shqipëri. Ata konfirmuan interesin e tyre për zhvillimin afatgjatë të vendit, duke theksuar se kjo është në interes të përbashkët të të dy palëve.