E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta e Planit të Jugut

Raporti i Bankës Botërore dhe debatet që shkaktoi ai në Kuvendin e Shqipërisë kanë rizgjuar shpresën te banorët e Vunoit të Himarës, se më në fund e drejta e tyre do të vihet në vend.

Disa nga banorët e Vunoit humbën në prill të vitit 2007 shtëpitë dhe lokalet që kishin ndërtuar në gjirin e Jalës. Ata pretendojnë se ndërtimet i kishin në tokë të tyre dhe prishja ishte e padrejtë, ndaj kërkojnë tani që qeveria t‘i dëmshpërblejë.

"Duam dëmshpërblim"

Andon Kola, një nga personat e prekur nga aksioni i ndërtimorëve në gjirin e Jalës, tregon se "më 17 prill 2007, në orën 5:00 të mëngjesit, rreth 2500 forca policie nga Vlora, si dhe policë specialë të Tiranës, kanë ardhur për të prishur godinat që sot, siç i shikoni, janë rrënoja. Këto godina që u prishën, si ato trekatëshe dhe ato katërkatëshe, janë djersa e fëmijëve të mi që punuan për 12 vjet në Greqi. Unë, si më i moshuari i fshatit, i kërkoj shtetit që të më dëmshpërblejë një për një për dëmin që më ka bërë, sepse godinën e kisha në tokën time dhe prisja që të merrja dhe lejen e ndërtimit, pasi isha në proces gjyqësor".

Bashkim Andoni thotë se "zoti Olldashi, dje në Parlament, me syzet e tij të mëdha, na tha se kemi rënë në ujdi me popullin e Jalës dhe me Bashkinë e Himarës për këtë problem, kur në të kundërt ky Olldashi nuk e di se nga bie Jala". Ai shton i irrituar se "kjo është qeveri i kriminelëve dhe banditëve, që kërkojnë të marrin pronat e të parëve tanë. Do t‘i lutem shumë shtetit shqiptar të na shpërblejnë një më një ato që ka hedhur në tokë, djersën e fëmijëve që u ra bretku në Greqi. Këto ndërtime, që ne i kemi bërë, janë me djersë dhe jo më punë të pista siç kërkon të bëjë dhëndri i Sali Berishës, Sokol Olldashi dhe shumë qeveritarë të tjerë". Ndërsa e moshuara Sanije Halilaj, e cila thotë se jeton prej 54 vitesh në Jalë, tregon se kur policët erdhën për t‘i prishur shtëpinë, i thanë se nuk e kishte vendin aty. Shumë banorë të tjerë të Jalës e kujtojnë 17 prillin si një pushtim, por kësaj here jo nga të huajt, por nga Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Të gjithë ata i kërkojnë shtetit që, për dëmin që u është bërë, të marrin dëmshpërblimin një më një.

Shpresë nga BB-ja

Sipas banorëve të prekur nga prishja e ndërtimeve pa leje në Jalë, pritet që më 17 shkurt, në vend të shkojë një përfaqësi e Bankës Botërore, për të parë nga afër shkatërrimin e shtëpive. Në fakt, nuk ka asnjë pohim zyrtar nga Banka Botërore për verifikimin në terren për çështjen e prishjes së ndërtimeve, por fshatarët thonë se janë njoftuar për këtë. Prishja e ndërtimeve në gjirin e Jalës është një nga pikat më të forta të raportit që hedh dyshime për abuzime nga ana e koordinatorit të projektit për zhvillimin e qëndrueshëm në bregdet, Jamarbër Malltezi. Të lodhur e të zhgënjyer nga institucionet shqiptare, fshatarët e Vunoit shpresojnë se një organizëm ndërkombëtar si Banka Botërore do të mund të bëjë drejtësi.

Mikel Marsi

Fshatarët pretendojnë se u është kërkuar me çmim të lirë toka ku do të ndërtohet një park energjetik

Argita, e interesuar për toka edhe në Fier

Familjarë të Kryeministrit Berisha kanë shfaqur interes të blejnë toka në vijën bregdetare të Fierit, e cila aktualisht është e përfshirë në disa projekte ambicioze industriale. Bëhet fjalë për vajzën e tij, Argita Malltezi (Berisha), e cila gjatë majit të vitit 2008, ka inspektuar nga afër sipërfaqen e tokës së piketuar për ndërtimin e termocentralit të ri energjetik të Fierit, si dhe të impiantit të rigazifikimit.

Lajmi bëhet i ditur nga banorë të komunave Dërmënas dhe Topojë të Rrethit të Fierit, të cilat janë përfshirë në këto projekte. Sipas banorëve, mësohet se vajza e Kryeministrit, Argita, e shoqëruar nga një grup i vogël personash, si dhe titullarë të këtyre komunave, jo vetëm që ka parë nga afër sipërfaqen ku do të ndërtohet TEC-i dhe impianti i rigazifikimit, por ka kërkuar prej fermerëve që kanë në pronësi këtë tokë, të bien në kompromis me ta për blerjen e tokës me një çmim të arsyeshëm.

Banorët thonë se Argita Malltezi, duke u prezantuar si e bija e kreut të qeverisë, ka bërë edhe presion ndaj tyre. Edhe pse drejtues të komunave Dërmënas e Topojë, si dhe topografë e agronomë të tyre, të cilët kanë marrë pjesë në grupin që shoqëronte vajzën e Kryeministrit gjatë inspektimit nuk dëshirojnë të deklarojnë hollësi, në biseda të lira tregojnë se vajza e kreut të qeverisë ka shfaqur interes për këto dy projekte. Ajo, sipas banorëve, ka kërkuar çmim më të ulët për blerjen e tokës dhe madje, çmimi i kërkuar prej saj ishte disa herë më i vogël se ai i tregut.

Duke mos marrë përgjigje pozitive prej fermerëve, toka e të cilëve preket nga projektet, duket se vajza e Kryeministrit ka zgjedhur mënyrën tjetër për të përfituar tokë. Mësohet se ajo ka kërkuar prej krerëve të komunave që të vënë në dispozicion të saj të gjithë tokën e pashpërndarë për fermerët.

Identifikimi i sipërfaqeve të lira nga ana e komunave ka bërë që fermerë të shumtë dhe komunat Dërmënas e Topojë të përplasen për pronësinë e tokës. Mësohet se përplasja ka ndodhur për shkak se komunat dhe komisionet e tokave të tyre kanë hedhur poshtë pronësinë e tokës së disa fermerëve, të cilët i kishin përfituar sipërfaqet e tokës në bazë të Ligjit 7501. Rishikimi i tokave të lira pas vizitës së vajzës së Kryeministrit ka bërë që titullarët e komunave të deklarojnë gjithashtu se shumë fermerë kanë marrë tokë më shumë se sa u takon, si dhe shumë të tjerë nuk kanë marrë sa u takon.

Gjithsesi këto probleme nuk pranohen nga zyrtarët e komunave, të cilët thonë se problemet e pronësisë së tokës që janë shfaqur kohët e fundit, nuk kanë të bëjnë as me vajzën e Kryeministrit dhe as me projektet industriale që mendohet të shtrihen në këto territore.

Prishjet e ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare të Jalit, në afërsi të Himarës, janë kryer në bazë të rregullave ligjore dhe nuk është zbatuar asnjë strategji klienteliste. Kështu është mbrojtur dje ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, i cili në konferencën për shtyp sqaroi pozicionin e qeverisë në projektin e Bankës Botërore për Planin e Jugut. Që në fillim, kreu i MPPTT akuzoi klane të caktuara brenda opozitës, të cilat po deformojnë të vërtetën mbi projektin e financuar nga BB-ja dhe që falë parregullsive të zbuluara nga hetimi, ka ndërprerë disbursimin e fondit prej 17.5 milionë USD. Olldashi ka hedhur dyshime edhe mbi raportin hetimor të BB-së, që paraqitet me mangësi dhe paqartësi, ndikuar nga klane të caktuara.

Sipas ministrit, zyra e menaxhimit të Projektit të Integruar për Pastrimin e Bregdetit të Jugut, e nisi hetimin duke u bazuar në disa të pavërteta të hedhura në media.

Plani

Në vitin 2008, qeveria miratoi Planin e Zhvillimit, i cili respektonte kriteret mjedisore dhe kulturore që nuk lejojnë ndërtimet, duke fuqizuar pushtetin vendor. Olldashi nënvizoi se plani i qeverisë u jepte të drejtë vendorëve dhe jo firmave ndërtuese. Prishja e ndërtimeve pa leje nuk është kryer vetëm në Jalë, por edhe në pjesën veriore të bregdetit të vendit si në Velipojë, etj. Për zhvillimin e zonave bregdetare janë kryer një sërë konsultimesh me krerët e pushtetit lokal të Himarës, Lukovës dhe Sarandës. Ministri shoi më tej se të gjitha veprimet mbi Planin e Jugut kanë qenë transparente. Duke iu rikthyer prishjeve të ndërtimeve pa leje, Olldashi tha se janë kryer ndërhyrje në 110 objekte gjatë vitit 2006 dhe 97 në 2007-ën, në bazë të një plani të parashikuar. "Këto të dhëna rrëzojnë dhe një spekulim tjetër të raportit të Zyrës së Panelit të Inspektimit, i cili shprehej kinse se nuk kish pasur prishje të ndërtimeve të paligjshme prej shumë vitesh, dhe që ishin prishur veç 12 ndërtime të paligjshme në Jalë", kritikoi ministri një pjesë të raportit të BB-së. Më tej Olldashi tha se, "nëse si pasojë e përplasjeve të palëve brenda Bankës Botërore, grupe të caktuara mendojnë tani që ndofta nuk do duhej të kishin ndihmuar Policinë e Ndërtimit apo nuk duhej të kishin kryer fotografim ajror, kjo është një çështje që i përket krejtësish Bankës dhe nuk kemi asnjë koment".

Shpenzimet

Në raportin e BB-së janë hedhur disa abuzime me fondet e projektit, duke akuzuar palën shqiptare që menaxhonte projektin. Por sipas ministrit, plani i shpenzimeve është hartuar në vitin 2004 nga Banka Botërore. "Nëse tani palët brenda Bankës Botërore i kthehen njëra-tjetrës dhe shikojnë që ka pasur gabim që në projektimin e projektit, kjo përsëri nuk është çështje për të cilën kemi koment", sqaroi sërish ministri.

"Probleme të brendshme të Bankës nuk ka pse shiten për probleme të shkaktuara nga pala shqiptare"

"Ne i jemi drejtuar zyrtarisht bordit të Bankës dhe kemi rrëzuar si të pasaktë disa pjesë të raportit"

Ministri:

Pse u prish Jali!

- Veprimet e Policisë së Ndërtimit ishin në përputhje me bazën ligjore të saj

- Asnjë person nuk kishte dokument pronësie të tokës ku ishte ndërtuar

- Ndërtimet ishin të paligjshme

- Ndërtesat nuk ishin qindravjeçare, por të reja dhe disa me betone të freskëta

- Ka pasur mbi dy javë kohë nga koha e njoftimit deri në datën e prishjeve të ndërtimeve të paligjshme, në të cilën palët patën mundësi të paraqesin ankimin e tyre administrativ dhe morën përgjigje zyrtare ndaj ankimit administrativ

- Veç një rast u adresua në gjykatë, por dhe ai rast u shua pasi pala nuk u paraqit



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›