Edi Rama: Qeveria, skemë korrupsioni me pronat publike
Kreu i opozitës akuzoi dje Kryeministrin për abuzime me pronat. Edi Rama vlerësoi se Kryeministri ka kurajën publike të deklarojë shifra marramendëse si kjo e 20 milionë ullinjve që do të mbjellë, ndërkohë që në të njëjtën mbledhje që deklaron këtë shifër, qeveria vendos t‘i akordojë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit një fond prej 15 milionë lekësh për të kryer një studim mbi ullirin. "Njëlloj si në raste të tjera, si me rrugën Durrës-Kukës, për të cilën filloi ndërtimin pa projekt dhe pa përcaktuar vleftën e investimit dhe më pas angazhoi projektuesit të hartojnë një projekt me vleftë mbi 1 miliard euro", theksoi Rama. Përvoja me këtë Kryeministër të paaftë e të pandershëm, vijoi ai, na ka treguar tanimë se pas premtimeve të tij bombastike fshihet gjithnjë diçka tjetër. "Tek rruga Durrës-Kukës, pas patriotizmit ‘të flaktë‘, fshihet grabitja qindra milionëshe, për të cilën Kontrolli i Lartë i Shtetit tashmë është shprehur fare qartë dhe Prokuroria ka filluar një proces që s‘do ta mbyllin dot kurrë pa u zbardhur e vërteta, as marifetet në shortet e gjyqtarëve dhe as sulmet e turpshme mbi Prokuroren e Përgjithshme", këmbënguli Rama. Tek HEC-et e TEC-et, shtoi ai, pas parullës "Shqipëria superfuqi energjetike", fshihen dhjetëra marrëveshje që janë pjesë e një skeme gjithnjë e më të qartë korrupsioni në përmasa kolosale. "Pas Shqipërisë ‘ullishte‘, ku në fakt kemi të bëjmë me një skemë të madhe korruptive të radhës së një Kryeministri që me fatet e Shqipërisë e të pasurive të saj natyrore e publike po bën kërdinë për interesat e oborrit të tij". PS sqaron se fillimi i kësaj skeme është VKM nr. 547, datë 22.8.2007, me anë të të cilit Këshilli i Ministrave ka autorizuar zbatimin e koncesioneve në sektorin e bujqësisë dhe të ushqimit. Në bazë të ligjit për koncesionet, bazuar në studime, kjo ministri duhej të identifikonte, paraqiste për miratim dhe shpallte koncesionet e mundshme në këtë sektor (neni 9/1). Ajo duhej të identifikonte, gjithashtu, listën e aseteve që, në raste të veçanta, mund të ofroheshin me koncesione me çmimin simbolik 1 Euro, ta paraqiste për miratim në Këshillin e Ministrave (neni 4/3) dhe ta bënte publike këtë listë për të tërhequr investitorët e interesuar vendas e të huaj. Por ndërkohë, Këshilli i Ministrave, më 21 janar 2009, vendos të realizojë studimin për ullirin, në mënyrë që, në bazë të tij, të shpallë edhe interesin për dhënie me koncesion, e nga ana tjetër, një vit më parë, më 16 janar 2008, del se me vendimin nr. 51, Këshilli i Ministrave ka filluar procedurën për dhënien me koncesion të një toke shtetërore me sipërfaqe 1000 hektarë, në Synej, Luz i Vogël, Kryevidh dhe Gosë të Kavajës, për kultivimin e ullirit, me çmimin 1 Euro, pa e pritur fare studimin e deklaruar. "Projekti i ri historik i Kryeministrit për 20 milionë rrënjë ullinj, përkthehet në 10 mijë hektarë tokë, po të kemi parasysh se vetë Sali Berisha thotë se do të mbjellë 1500-2000 rrënjë për hektar me çmimin 1 Euro, të dhëna pa asnjë procedurë konkurrimi në prag të zgjedhjeve parlamentare për një skemë të re e të stërmadhe korrupsioni", theksoi Rama.