G99: “Shteti shqiptar smund të çojë vetveten në gjykatë”
Autori i Lajmit: Redaksia
Partia G99 thotë se shteti shqiptar smund të çojë vetveten në gjykatë duke aluduar për premtimin e PD se do të padisë në Strasburg vendimin e Kushtetueses për rrëzimin e ligjit të Pastërtisë së Figurës së zyrtarëve të sistemit komunist. “Jemi shumë të shqetësuar për gjuhën tepër agresive e kërcënuese të kësaj mazhorance kundrejt Gjykatës Kushtetuese, pas vendimit të kësaj të fundit për të rrëzuar si antikushtetues projektligjin për pastërtinë e figurave, i ashtuquajtur ligji i Dosjeve, një iniciativë ligjore e cila është rrëzuar gjithashtu nga Komisioni i Venecias dhe organizmat ndërkombëtarë në Shqipëri”, - tha dje Genci Kojdheli nga G99. Sipas tij, së pari, kjo mazhorancë duhet të ndajë mendjen se çqëndrim do të mbajë ndaj gjyqësorit, e më specifikisht Gjykatës Kushtetuese: “Brenda dy ditësh kemi pasur dy qëndrime të ndryshme e në kundërshti me njëra-tjetrën; Qeveria përmes zëvendëskryeministrit Meta deklaroi se mazhoranca do të respektonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese pas rrëzimit të marrëveshjes me Greqinë për ujërat territoriale, ndërsa të nesërmen Partia Demokratike lëshoi një valë akuzash ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, refuzoi vendimin e saj, dhe lajmëroi përgatitjen e një referendumi si dhe dërgimin e çështjes pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg”, - tha ai. Kojdheli tha se do të ishte juridikisht qesharake dhe ndërkombëtarisht e turpshme që shteti shqiptar, i përfaqësuar përmes mazhorancës qeverisëse, të çojë përpara Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut vetveten, pra po shtetin shqiptar po këtë radhë të përfaqësuar nga Gjykata Kushtetuese. Po ashtu, vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese, e cila i përgjigjet dhe respekton vetëm Kushtetutën, nuk mund të sfidohet me referendum, - tha Kojdheli. Sipas tij, presioni mbi Gjykatën Kushtetuese është i patolerueshëm dhe përbën një shkelje të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit, dhe një dhunim tanimë i përsëritur i normave kushtetuese që garantojnë këtë pavarësi. Autoriteti i Gjykatës Kushtetuese është i pasfidueshëm dhe duhet të jetë i gjithëpranuar nga gjithë aktorët, politikë e shoqërorë”, - deklaroi Kojdheli, ndërsa i bëri thirrje mazhorancës që të ndalojë presionin mbi gjyqësorin, e veçanërisht mbi Gjykatën Kushtetuese, të mos ndërmarrë iniciativa ligjore që shkelin haptas Kushtetutën, dhe të fokusohet tek hallet e problemet reale të vendit dhe tek shqetësimet e dukshme e tepër të prekshme të shqiptarëve.
Ky lajm është publikuar: 04/02/2010