E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të gjithë me huqe”, neuropsikozat “shërohen” në skenë

Autori i Lajmit: Redaksia

“Të gjithë me huqe”, është vepra teatrore, e cila do të jetë kryefjala e shfaqjeve këtë fundjavë. Me regji të Gëzim Kames shfaqja ri-erdhi në Teatrin Kombëtar mbrëmjen e djeshme për të vazhduar edhe sot e nesër. Regjisori Kame ka zgjedhur veprën “Toc-Toc”, të dramaturgut francez Laurent Baffi për tu rikthyer në skenën e Teatrit Kombëtar, ndërsa kasti i aktorëve profesionist që ka zgjedhur regjisori, pas shfaqjeve të dhëna sezonin e kaluar dhe suksesit që korri kjo komedi, premtojnë përsëri një sukses të madh të kësaj shfaqjeje.
Kjo komedi vjen e përshtatur në gjuhën shqipe nga Nonda Varfi dhe Viktor Bakillari. Pas vënies në skenë të dramës “Pjata prej druri”, dhe “Kohë për tu çmendur”, regjisori Gëzim Kame vjen dhe këtë herë në Teatrin Kombëtar, duke trajtuar problematika të cilat shqetësojnë shoqërinë tonë. Historia e një neuropsikiatri, i cili njihet për aftësinë e tij për zhdukjen dhe shërimin e fobive të pacientëve, do të vijë në skenë për publikun nga një trupë aktorësh të mëdhenj të skenës si: Rajmonda Bulku, Roland Trebicka, Fatos Sela, Olta Daku, Ermela Teli dhe Genc Fuga. Edhe komedia franceze, ka lindur si reagim i shqetësimeve të përditshme dhe Kame, ka menduar ta përshtatë atë me ambientin shqiptar.
“E kam zgjedhur këtë vepër pasi më interesoi që në momentin e parë që e pashë, konkretisht kontaktin e parë me të e pata rreth një vit më parë. Arsyet janë të shumta, por ajo që është më kryesorja dhe në të njëjtën kohë me bëri përshtypje filozofia e përgjithshme reale dhe njerëzore që ajo ka. Ka shumë humanizëm brenda.
Kjo është njëra nga arsyet, pasi një tjetër do të veçoja faktin që ajo është një komedi tepër intelektuale është si të thuash e qëndisur në aspektin profesional, është e ndërtuar shumë bukur, është një komedi karakteresh që ka vite që unë nuk kam lexuar një komedi të kësaj natyre.
Është shumë aktuale për terrenin shqiptar dhe të gjitha këto bëjnë që ajo në të gjitha drejtimet të ketë të gjitha pluset për t`u vendosur në skenën shqiptare”, shprehet regjisori Gëzim Kame. Më tej ai pohon se “Kam rreth një vit më parë, që e kam filluar pjesën. Pra kontaktet me të i kam para një viti. Kjo do të jetë vepër tërësisht origjinale, e vënë me formatura shqiptare”. Në këtë shfaqje do të prezantohen për publikun një sërë personazhesh, të cilët kanë huqe të pakontrollueshme.
Subjekti
Një grup personash prej vitesh kanë shfaqur simptoma të çuditshme në sjelljet e tyre të përditshme. Ndër ta, njëri përdor fjalor vulgar në mjedise ku ka plot njerëz e madje edhe fëmijë e gra. Ai i nxjerr në bashkëbisedim këto fjalë në mënyrë të pavullnetshme, e kësisoj ndjehet mjaft ngushtë në raport me miqtë e tij, që ia marrin si një tekë, e jo si një sëmundje të mirëfilltë.
Po kështu paraqitet dhe një tjetër që ia ka sjellë në majë të hundës gruas së vet se në çdo mendim që do të shprehe atij pa dashje i dalin prej gojës vetëm numra, veprime aritmetike, mbledhje, zbritje, pjesëtim… Shkurt mendon tjetër gjë e shpreh të tjera, por që si argument kanë shifra e shifra pa fund.
Njësoj ndjehet e sëmurë dhe një femër te komedia që pasi takon duart me njeri, kafshë a send vrapon ti lajë se mos sëmuret nga viruset miliardëshe që veshin botën.
Mani të tilla gjenden dhe te një person që ecën vetëm anash vijave të rrugëve, anash vijave të pllakave në shtëpi, të ndarësve të parketit a të qarkullimit rrugor.
Në galerinë e këtyre të sëmurëve gjendet dhe një tjetër e veçantë: çdo fjalë a çdo fjali e përmend detyrimisht dy herë. Nuk ndodh kurrë që një frazë ta artikulojë pa përsëritje.
Kjo llojshmëri njerëzish me simptomat që përmendem shkojnë për vizitë te një mjek shumë i njohur me shpresën se do të shërohen e midis miqve të tyre do të ndjehen rehat e në rregull.
Por vajtja e të gjithë këtyre te mjeku përbën dhe fillimin e komedisë. Se specialisti nuk gjendej në klinikë, do të vonohej prej një udhëtimi me avion e ndërkaq miqtë tanë nisin t`i shfaqin shoqi- shoqit sëmundjet e tyre të rralla. Kaq hollësisht shpjegojnë sa njihen mirë, sikur të ishin miq prej vitesh e, ndërsa mjeku po vonohet, këta vendosin të bëjnë vetë një bisedë teraupatike kolektive.
Ndërkohë, meqënëse tashmë ata kuptuan se sëmundja e tyre shërohej nga ndihma e të gjithëve e nga bashkëpunimi njerëzor nuk e presin me doktorin se s`ka përse u duhet më tej. Ndaj ndahen të gëzuar prej njëri –tjetrit e në fund ngelet veç ai njeriu që kishte sëmundjen e të sharave kohë e pa kohë, vend e pa vend. I qetë në kolltukun e vet ai thërret një vajzë të re, i dorëzon disa shënime dhe zbulohet para spektatorit se ky njeri që përdor fjalë të pista nuk është i sëmurë, por është vetë …mjeku. Ai ka ndërtuar që më parë gjithçka dhe nëpërmjet organizimit që ka menduar ia ka arritur që të shërojë njerëz me devijacione të tilla. Si mjek ai përdori bashkëpunimin, ndihmën ndaj hallit të tjetrit për të shëruar gjithkush të vetën. Një mësim me vlerë, por që nuk ka vlerë vetëm në mjekësi. Ka vlerë universale dhe shërben për çdo shoqëri e për çdo kohë.
Komedia “Toc-Toc”, është shkruar në vitin 2005, dhe me të Laurent Bafi zgjeroi kufijtë e famës së tij. Kjo komedi është ngjitur, jo vetëm në skenat e Francës, por dhe në skena të ndryshme botërore. Komedia “Toc -Toc”, shkruar vetëm 3-4 vjet më parë është ngjitur, jo vetëm në skenat e Francës, por është përkthyer dhe përshtatur për skena të ndryshme botërore. Autori është 50 vjeç dhe po gëzon famën e tij për krijimet origjinale në fushën e teatrit, kinemasë, por edhe televizionit.

Ky lajm është publikuar: 04/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›