Ndryshohet ligji i privatizimeve me Akt Normativ
Akti-normativ lejohet të merret vetëm në rastet kur ka emergjenca. Privatizimet nuk hyjnë në këtë kategori
Qeveria shqiptare ka miratuar dy muaj më parë një Akt Normativ duke kryer privatizime apo duke dhënë me qera pronën publike, pa iu nënshtruar procedurave parlamentare dhe pa kurrfarë transparence. Një akt normativ është miratuar në mbledhjen e qeverisë, më 9 korrik të këtij viti, dhe që ka të bëjë me “privatizimin, dhënien në përdorim të shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhirove së këtyre ndërmarrjeve”.
Akti-normativ u miratua pa debat dhe me nxitim në Kuvend, më 24 korrik, duke kryer një shkelje kushtetuese për shkak se aktet e tilla duhet të miratohen nga Parlamenti brenda pesë ditësh.
Gjithçka me firmë Kryeministri
Akti Normativ që tashmë do të shërbejë për të privatizuar, dhënë me qera, me emfiteozë etj., pronën publike, sanksionon se procedurat e kriteret e privatizimit miratohen me vendim qeverie.
“Prona shtetërore jepet me qira, emfiteozë apo me kontrata të tjera, të parashikuara në legjislacionin në fuqi, nga ministria përgjegjëse për ekonominë, ministritë, institucionet e tjera, në varësi të Këshillit të Ministrave, organet përkatëse të qeverisjes vendore, që përgjigjen për administrimin e pronës shtetërore, si dhe ndërmarrjet ose shoqëritë tregtare shtetërore. Kriteret, procedurat dhe mënyrat e dhënies me qira, emfiteozë apo me kontrata të tjera, të parashikuara në legjislacionin në fuqi, të pronës shtetërore përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”, - thuhet në nenin 5, të Aktit Normativ.
Pse me akt-normativ
Sipas Kushtetutës, Akti Normativ është një vendim qeverie me fuqi ligjore që hyn në zbatim menjëherë, pa patur nevojë për miratimin paraprak të Parlamentit. Ai duhet të merret vetëm “në rast nevoje dhe urgjence”. Privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore apo pronave të tjera publike, duket se nuk ka ndonjë ngut të madh, për shkak se procesi i privatizimeve ka 20 vjet që zhvillohet. Zyrtarët e Këshillit të Ministrave nuk qenë dje të disponueshëm për të sqaruar arsyet e këtij akti normativ dhe as “shkaqet e emergjencës” që e shtynë qeverinë të veprojë. Akti normativ i mësipërm ka përcaktuar organet dhe kompetencat që kanë të bëjnë me privatizimin dhe dhënien në përdorim të pronave publike të luajtshme apo të paluajtshme. Çfarë do të privatizohet dhe kur do të privatizohet, sipas aktit normativ, do të përcaktohet nga Ministria e Ekonomisë ndërsa procedurat e privatizimit kalojnë pas kësaj në duart e Ministrisë së Financave. Por Këshilli i Ministrave i ka rezervuar vetes një “llokmë” të madhe në privatizim. “Kriteret, procedurat dhe mënyrat e dhënies me qira, emfiteozë apo me kontrata të tjera, të parashikuara në legjislacionin në fuqi, të pronës shtetërore përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave”, - thuhet në akt. Dhënia e tokës nën pronësi publike në bregdet me kontrata afatgjata qeraje apo me emfiteozë, ka qenë një praktikë e zakonshme e qeverive të mëparshme dhe shumë e kritikuar nga qeveria e sotme. Por edhe zyrtarët e sotëm duket se kanë interesa të njëjta me paraardhësit mbi pronat në bregdet dhe tashmë me anë të një dekretligji kanë shtruar rrugën e lidhjes së kontratave të qerasë afatgjatë.
Neni 101
Akti Normativ me fuqi ligji
Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve.