E Diel, 1 Nëntor 2026

25 me 1

Nga Lavdosh Ferruni

Nën një hapësirë mediatike më të vogël të mundshme u dha një lajm i madh këtë fillim jave. Ja lajmi përmbledhtazi: “Kompania e njohur austriake prezantoi plan-projektin për ndërtimin e një qendre turistike në zonën e Novoselës në Vlorë. Projekti parashikon edhe hapjen e një shkolle për turizmin. Vlera totale e investimit llogaritet në rreth 200 milionë euro dhe nga ky investim parashikohet krijimi i 2 mijë vendeve të reja pune”. Lajmi mbetet i madh, teksa kryeministri Berisha i premtoi kompanisë mbështetje konkrete për të bërë të mundur shpejtimin e procedurave, si dhe akordimin e fondeve të nevojshme për zhvillimin e infrastrukturës në zonën ku parashikohet të ndërtohet rezidenca turistike. Lajm i zakonshëm - do thoshte shumëkush, qëkurse miliona (tani flitet për miliarda) euro të investuara dhe mijëra të punësuar janë refren thuajse i përditshëm në këtë vend. Shumëkush e ka gabim. Ky lajm është si gjetja e busullës së humbur për politikën shqiptare, që nëse vendos ta përdorë, do të orientohet si duhet në zhvillimin e vendit, ndryshe do të shkojë në qorrsokak (deri tash në këtë drejtim duket se po lëviz). Dhe ja argumenti i pakundërshtueshëm: 2000 të punësuar, për një investim dashamirës ndaj ambientit, prej 200 milionë eurosh. Pra, për 100 milionë euro afërsisht 1000 të punësuar. ǒndodh, nëse investohen po 100 milionë euro në një sektor tjetër të ekonomisë në Shqipëri? Për këtë mjafton t’i referohemi sektorit energjitik, i cili shihet me përparësi të madhe nga qeveria. Nëse bëhet krahasimi, për shembull, me veprën energjitike ngjitur me këtë vepër turistike të propozuar, pra me TEC-in (famëkeq) të Vlorës, rezulton se po për 100 milionë euro të shpenzuara për ndërtimin e tij punësohen 40 vetë (deklaruar zyrtarisht në dokumentacionin e projektit), pra për një njësi investim në turizëm rezulton një punësim 25 herë më i lartë (1000:40 = 25) sesa në sektorin e gjenerimit të energjisë, në rastin konkret me bazë nafte. Edhe më i disfavorshëm rezulton raporti në TEC-in me qymyr të Enel-it në Porto Romano, ku me rreth 1 miliard euro investim do të punësohen 200 punëtorë, pra 20 vetë për 100 milionë euro investim, pra raporti këtu është 1:50. Ose e thënë ndryshe me një investim 1 miliard në turizëm do të punësoheshin 10,000 vetë, kundrejt 200 në sektorin e gjenerimit të energjisë me bazë fosile. Në vlerësimin e prioritet të ndërtimit të një vepre sot nuk mund të përjashtohet impakti në mjedis. Dhe të krahasosh ndotjen e TEC-eve me ndotjen e turizmit (aq më tepër të standardeve austriake), është t’i hash rreshta gazetës padrejtësisht. Ndryshimi është “bardhezi”.

Natyrisht, për përcaktimin e prioritetit të një vepre, kryesore është dhe norma e fitimit. Por në kushtet kur qeveria shqiptare në investimet e huaja nuk është aksionere dhe as sipërmarrës privat shqiptar nuk ka, norma e fitimit nuk përbën kriter përzgjedhës.

Melodia e mërzitshme që shoqëron udhën drejt qorrsokakut të qeverive shqiptare në këtë tranzicion është “mungesa e energjisë”, madje Ruli e Berisha kanë kohë që kanë bërë të tyren shprehjen: “Energjia e munguar është energjia më e shtrenjtë”. Këto slogane janë thjesht për të justifikuar aventurën shqiptaro-italiane në sektorin energjitik në Shqipëri, si dhe minisupermarifetet me tenderët e blerjes së energjisë. Energji për Shqipërinë tonë të vogël ka me bollëk, në daç mall vendi, në daç mall importi. Ka pasur dhe në diktaturë energji Shqipëria dhe nuk pati parullë “Të sigurojmë energjinë në vend”, edhe pse ishte vend i izoluar, jepte e merrte energji. Kurse tash që Shqipëria është pjesë e komunitetit (evropian) të energjisë, sloganet si më sipër tingëllojnë qesharake, madje fare absurde.

Në krizën globale që ka përfshirë mbarë botën rritja e punësimit është faktor kyç për daljen nga kriza. Këtë ka pasur motiv kryesor Obama në fushatën e programin e tij për president të SHBA, punësimit po i mëshon fort Evropa. Duket sikur kryeministri ynë i ka hipur kalit së prapthi e flet me zë të lartë: “Ne do ta bëjmë Shqipërinë minisuperfuqi energjitike”. Por, nëse shohim çfarë po do të bëjë kryeministri me hapjen e 2000 vendeve pune vetëm në Novoselë, duket sikur kryeministri i paskësh zbritur kalit që i paskësh hipur së prapthi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›