E Shtunë, 31 Tetor 2026

GAFORRIZIMI I ZGJEDHJEVE

1. Gaforrizimi si shpikje shqiptare

Termi gaforrizim vështirë të gjendet në literaturën politologjiko-elektorale. Sepse rrallë ka ndodhur që zgjedhjet të deformohen e dëmtohen si në Shqipëri. Unë po e përdor këtë term për të karakterizuar situatën zgjedhore para, gjatë dhe pas procesit. Tipari kryesor i gaforrizimit parazgjedhor është mbizotërimi i procedurave mbi përmbajtjen dhe procesin, thënë ndryshe loja me kartat, të cilën qeveria e vërtiti dhe e fitoi pandershmërisht. Gaforrizimi i procesit është kontrolli i tij i plotë nga qeveria, nëpërmjet formave të hapura të kontrollit të votës, pra eliminimi i fshehtësisë së zgjedhjeve. Ndërsa gaforrizimi i pas-procesit do të thotë vënia e administrimit të votës dhe e institucioneve të numërimit e shpalljes së rezultateve në varësi (të hapur ose të fshehtë) të qeverisë.

Gaforrizimi i zgjedhjeve nuk është ndonjë çudi në realitetin shqiptar. Gjatë tranzicionit njëzetvjeçar, Shqipëria nuk ka ecur veçse në stilin e gaforres. Këtë e tregon edhe hapi prapa në standardet e zgjedhjeve të vitit 1996, krahasuar me 1992, ose në vitin 2009, krahasuar me 2005-n.

2. Helmatisja e procesit zgjedhor

Ditën e fundit të fushatës, disa orë para fillimit të heshtjes elektorale, isha në fshatin më jugor të Shqipërisë. Një fshat i vogël, me shumë pak banorë që jetojnë ende aty. Në qendër të fshatit është një dyqan i vogël, i cili tregton gjithçka: gazeta, kafe, bukë, ushqime, veshje. I zoti i dyqankës, një djalosh i sjellshëm, m‘u afrua e m‘u drejtua me shqetësim: "Mbrëmë pata një vizitë nga disa persona të Tatim-Taksave të rrethit. Më thanë që nëse nuk u tregoj votën time dhe të familjes të fotografuar, do të vijnë të më mbyllin dyqanin!". Ǒt‘i thosha këtij njeriu që jeton me djersën e vet, paguan rregullisht taksat, por që arkitektët e gaforrizimit i kërkuan votën të fotografuar? (Kur keni dëgjuar ose lexuar mbi presionin për të fotografuar votën, jam i bindur që e keni marrë si një shaka, si një diçka që thuhet, por nuk mundet të ndodhë, se ne jemi një vend i NATO-s).

Por ja që unë nuk e kam me të dëgjuar këtë episod. E kam të jetuar. Dhe më tej akoma, e kam vuajtur. Kur kjo i ndodhi atij djalit në fshatin e largët, ku "gaforreve" të Tatimeve iu desh gati një ditë për të shkuar, mund ta merrni lehtësisht me mend çfarë u ka ndodhur tregtarëve të vegjël në qytete, që gdhihen e ngrysen pranë tezgave, për të mbajtur fëmijët me bukë...

Më tej. Një mësues më tregoi se emisarët i kishin thënë hapur atij: "Ne kemi llogaritur në fshat 65 vota, ku përfshihen edhe pesë votat e familjes tënde. Nëse ky numër nuk arrihet, votat tuaja mungojnë. Dhe atëherë nuk mbajmë përgjegjësi nëse ti dhe gruaja jote do të mbeteni pa punë!". Me elektricistët ndodhi e njëjta gjë: Ata u paralajmëruan të gjithë se humbja e pushtetit prej qeverisë do të thoshte edhe humbje, më 29 qershor, e vendit të tyre të punës. Ndërsa në një fshat tjetër, "gaforrja" ishte kryetari i komunës. Ditën e mitingut të opozitës, personi, që sipas ligjit është votuar dhe paguhet për t‘u ofruar shërbimet jetësore banorëve të komunës, pati zënë shtegun e vetëm që të shpinte te sheshi i takimit, e me bllok në dorë, nga ballkoni mbante shënim emrat e personave që shkonin drejt mitingut të opozitës. Paralajmërimin, ndërkohë, ua pati dërguar: "Kush voton për opozitën, të mos më kërkojë tubacionin e ujit te shtëpia, as asfaltin në rrugicë, as kullotën me qira, madje edhe për pajisjen me certifikatë të mendohet mirë, nëse do të ketë nevojë!".

Ndjeva keqardhje të madhe për këta fshatarë të marrë peng nga dikush që paguhet për t‘u shërbyer. Pjesa më e madhe e tyre erdhën në takim, ndërsa disa të tjerë i pengoi "gaforrja".

Si kandidat i opozitës, unë nuk mund të di gjithë ç‘kanë bërë kundërshtarët e mi gjatë procesit. Nuk ishte detyra ime të ndiqja veprimet e tyre, të ligjshme dhe të paligjshme. Detyra ime ishte t‘u shpjegoja njerëzve programin tim, që duhej të votonin. Por këta shembuj mjaftojnë për të provuar se shteti kapi punonjësit e vet në sektorët publikë dhe u paralajmëroi gjëmën që do t‘u ndodhte, nëse nuk e jepnin votën për qeverinë. Në mënyrë të tillë, skandaloze, kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës së sotme. Prandaj, edhe termi "gaforrizim" mungon në literaturën politike. Në këtë rast, gaforrizimi shkaktoi humbjen e karakterit të fshehtë të votës. Nuk ka rëndësi në ç‘shkallë e zbatoi atë qeveria. E rëndësishme është që fotografimi i votës u shndërrua në një makth të përditshëm për votuesit dhe shumica e tyre shkuan në kutinë e votimit nën tiraninë e këtij kërcënimi. Në një klimë të mbushur me skenarë dhe ankthe përgjimesh, njerëzit e thjeshtë kanë të drejtë të dyshojnë e frikësohen, edhe kur janë vetëm në dhomën e fshehtë të votimit. Kërcënimi i fotografimit të votës funksionoi, pavarësisht nëse u zbatua ose jo në atë shkallë që u projektua.

3. Ngutja pas procesit: Analistët me statut në dorë

Pas 28 qershorit, te të gjithë aktorët politikë vërehet një ngutje e dukshme: Ngutje për shpalljen e rezultateve, por jo në bazë të leximit të votës; ngutje për të krijuar shumica qeverisëse, por jo në bazë të verdikteve programore; ngutje për të shpallur humbës, por jo nga institucionet dhe në afatet legjitime; ngutje për të kërkuar aksione statutore, por vetëm në PS, e shpallur para kohe si humbëse e zgjedhjeve; ngutje thuajse për gjithçka.

Lajmi i keq është se në këtë ngutje u përfshi, në disa raste madje kontribuoi, edhe media dhe analistët politikë. Një pjesë e tyre vunë karrocën para kalit. Pasoja më e fundit e gaforrizimit është që, qeverisja e Shqipërisë nuk do të jetë një sintezë mbi një logjikë programore, por një mbledhje dhe kombinim i ngutshëm numrash, të cilët me çdo kusht duhet të japin një shumë më të madhe se numri magjik 71.

Serioziteti, legjitimiteti dhe analiza e një procesi zgjedhor kërkojnë leximin gjakftohtë të rezultateve te shpallura nga institucionet e ligjshme. Rezultate të tilla, për fat të keq, nuk kemi ende. Partia Socialiste, e shpallur nga kundërshtarët dhe disa analistë si humbëse e zgjedhjeve, ka apeluar në Kolegjin Zgjedhor, një institucion zgjedhor legjitim, rezultatin e shpallur nga KQZ në tri qarqe. Ky apelim, nëse merret parasysh nga institucioni që duhet të japë drejtësi zgjedhore, teorikisht mund të sjellë ndryshim rezultati dhe fituesit e humbësit të shkëmbejnë vendet. Personalisht nuk besoj në një parashikim të tillë, sepse i njoh mekanizmat me të cilat punon në këto raste qeveria. Por qeveria është e dënuar të shtiret formalisht sikur beson te vendimi i Kolegjit.

Janë tri gjëra që duhet të bëjë në këto momente qeveria:

e para: të heshtë;

e dyta: të presë me qetësi vendimin e Kolegjit Zgjedhor, dhe;

e treta: të ndihmojë të tjerët të bëjnë si ajo.

Në këtë rast, nuk do të kishim gaforrizim të zgjedhjeve. Ndërkohë, qeveria i ka kapërcyer të gjitha etapat. Ajo ka shpallur shumicën qeverisëse, ka ndarë portofolat, ka caktuar humbësit, ka dhënë direktiva se si duhet të sillet dhe çfarë duhet të bëjë PS-ja. Ndërkohë, analistët, dalin në ekran me statutin e PS dhe kërkojnë standarde partiake në një parti dhe një lider që i ka ato. Dhe nuk kërkojnë standarde zgjedhore në një shtet që nuk i zbaton ato. Vënia para faktit të kryer ("ç‘apelim kërkoni, ne e kemi shpallur qeverinë!"), është akti i fundit i gaforrizimit. Lerjani statutin PS-së, miq të dashur! Tani është momenti që duhet respektuar Kushtetuta e vendit.

Ndërsa vetë socialistët kanë për momentin tri imperativa të tyre: e para: të ruajnë mandatet, nëpërmjet leximit të plotë e të drejtë të votës;

e dyta: të ruajnë njerëzit dhe mbështetësit, të cilët ua dhanë votat për t‘i qeverisur dhe bëhen gati të përballojnë hakmarrjen e pushtetit;

e treta: të ruajë kohezionin, në mënyrë që të jenë të suksesshëm në dy imperativat e parë.

Të ruash kohezionin do të thotë të jesh i vëmendshëm edhe ndaj diversionit të atyre që nguten për të mbajtur me pahir shumicat e sajuara me ngut.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›