E Diel, 1 Nëntor 2026

T‘i shohim shkaqet e prangave dhe jo t‘i zbukurojmë ato

Kosova praktikisht ka mbetur vendi më i izoluar në Europë dhe më e izoluar edhe se shumë vende të tjera joeuropiane. Regjimi i vizave nuk hiqet për shtetasit që mbajnë pasaportat e Kosovës, por edhe Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Reagimet në dy vendet shqiptare ishin të ndryshme. Tirana zyrtare pranoi se nuk është bërë aq sa duhet në plotësimin e kritereve dhe detyrimeve që ka pasur Shqipëria dhe vendimin për mbetjen e vizave për shtetasit e saj e vlerësoi si "realist". Me këtë, autoritetet pranojnë se reformat dhe plotësimi i kritereve duhet të vazhdojë. Por, në Kosovë, reagimet janë më ndryshe. Vlerësimet shkojnë nga kundërshtitë për "getoizimin" e Kosovës, e deri te peticioni kundër mbetjes së këtij regjimi vizash. Përderisa kjo është një trysni publike me doza euforike, dhe njëherësh reagim normal, por i adresuar gabimisht, autoritetet e vendit janë përmbajtur nga komentet për izolimin e qytetarëve të saj, duke lënë një hapësirë solidariteti me reagimet e shoqërisë civile.

Por siç do të kishte thënë Sartori, "më mirë t‘i shohësh prangat, sesa t‘u vësh atyre lule për të mos u dukur", pranimi i problemit është gjysma e zgjidhjes. Duket se edhe ne u vëmë lule prangave, duke hedhur fajin në Bruksel, pa kërkuar arsyet e vënies së këtyre prangave dhe pa pranuar asgjë nga dështimet tona. Për heqjen e vizave, Brukseli ka vënë kritere të qarta, që duhen plotësuar. Debati i hapur në Kosovë, duke shpallur apriori Brukselin si paragjykues ndaj Kosovës, duket se shmanget nga thelbi i problemit, e kështu ky debat nuk bëhet katalizator në plotësimin e kritereve për heqjen e vizave. Prandaj, debati mbase do të duhej të konsistojë në faktin se sa i ka plotësuar Kosova këto kritere; a u është përafruar plotësimit të kritereve aq sa kanë bërë tri vendet fqinje, të cilave ua hoqën vizat.

Por, t‘i shohim gjërat në mënyrë pak më reale. Ku ka ngecur Kosova dhe çfarë kanë bërë vendet që përfitojnë heqjen e vizave? Së pari, këtu duhet sqaruar se për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë fjala është për heqje vizash e jo për liberalizim vizash. Nga liberalizimi këto vende kanë përfituar që para disa vitesh, përfshirë edhe vende të ish-Bllokut Sovjetik si Moldavia dhe Ukraina. Që nga 1 janari i vitit të kaluar është bërë lehtësimi i procedurave (liberalizimi) për marrjen e vizave për qytetarët e këtyre vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë (përveç Kosovës), pas përfundimit të marrëveshjeve për riatdhesim dhe reformave të tjera të kërkuara. Fjala është këtu për thjeshtëzimin e marrjes së vizave për studentë, profesorë universitarë, sportistë, biznesmenë etj., dhe është ulur taksa e vizës nga 60 në 35 euro. Megjithatë, regjimi i vizave ka mbetur në fuqi, ndërsa heqja e plotë e tyre vetëm për tri vendet fqinje të Kosovës, pritet nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Para se të përftojnë, së pari, liberalizimin e procedurave për marrjen e vizave dhe më pas heqjen e plotë të tyre, tri vendet fqinje kanë plotësuar një sërë kriteresh, dhe në fund gjithashtu ka qenë edhe "shpërblimi politik", siç është fjala për Serbinë. Shqipëria, p.sh. nuk ka plotësuar disa nga kriteret e paracaktuara.

Tri vendet përfituese nga heqja e regjimit të vizave, edhe përkundër një "shpërblimi politik", që i është bërë Serbisë nga Brukseli, megjithatë kanë një stad më të lartë në plotësimin e këtyre kritereve. Maqedonia ka kaluar kontrollin kufitar nga ushtria te policia që para disa vitesh dhe është treguar efikase në kontrollin e kalimeve ilegale me vendet fqinje anëtare të BE-së, si Bullgaria e Greqia; kanë aplikuar dokumentet biometrike, kanë nënshkruar marrëveshjet për riatdhesim, megjithatë ka ngecje në shtetin e së drejtës, ndonëse është vend kandidat pa negociata të filluara të anëtarësimit.

Por, Kosova në këto kritere vërtet ka ngecur. Pasaportat e Republikës së Kosovës që filluan të jepen vetëm para një viti, për çudi, janë jobiometrike. Do të duhen tenderë e shpenzime të tjera për pasaportat biometrike. Kontrolli kufitar vërtet është për t‘u dëshiruar, në radhë të parë me Serbinë. Ndonëse edhe Serbia ka këtë detyrim të kontrollit kufitar, megjithatë ajo nuk lejon të ketë futje ilegale nga Mitrovica në Serbi, por ka futje ilegale nga Serbia në Kosovë, dhe kjo e fundit nuk e kontrollon siç duhet atë pjesë. Marrëveshja për riatdhesim mbetet ende larg realizimit, sepse në radhë të parë kjo nënkupton jo vetëm kthimin në Kosovë të shtetasve të vendeve të treta, të cilët në vendet e BE-së kanë mbërritur nga Kosova, por edhe kthimin e shtetasve të Kosovës, që nuk kanë status të rregullt në vendet europiane dhe kanë ikur atje si rezultat i dhunës së para dhjetë vjetëve.

Dhe, së fundi, kategoria e luftës ndaj krimit, korrupsionit dhe respektimi i ligjit. Përkundër deklarimeve mburrëse, megjithatë kjo nuk realizohet pa një sistem gjyqësor efikas, i cili megjithatë nuk ngrihet për një natë. Krimi dhe korrupsioni nuk luftohen vetëm me polici aktive e efikase, por më shumë zbulohet, ndërsa gjyqësori praktikisht është vërtet për faqe të zezë. Dhe, problemi që shtrohet këtu është se, a kemi apo nuk kemi sistem gjyqësor në Kosovë? Lëndët në gjykata flenë nga 5-7 vite dhe në fund arkivohen, ndërsa në Kosovë ende nuk është dëgjuar emri i ndonjë gjykatësi a prokurori të pakompromis ndaj krimit. Policia mund t‘i mbulojë gjykatat me dosje (shpesh ordinere), por gjykatat vazhdojnë të flenë mbi to. Madje, edhe Auditori Gjeneral i Kosovës ka bërë shumë dosje për keqpërdorimin e parasë publike, por deri më tani kjo aspak nuk u ka bërë përshtypje prokurorëve. Nuk ka të paktën një proces të vetëm për rastet e keqpërdorimit të parasë publike dhe kjo padyshim që i ka bërë përshtypje edhe Auditorit, i cili u detyrua të dalë në konferencë shtypi për t‘i bërë thirrje prokurorisë të veprojë. Maksima e drejtësisë është se çdo person është i pafajshëm, sa kohë që gjykata nuk vendos ndryshe, dhe padyshim që Europa nuk e ka në plan të pranojë qarkullimin e qytetarëve, të cilët kanë dosje të rënda penale, por që janë të pafajshëm për shkak të mosfunksionimit të gjykatave.

Edhe raporti i fundit i përparimit të Komisionit Europian veçon sistemin e kalbur gjyqësor të Kosovës. Qeveritë në Kosovë kanë pasur Planin e Veprimit për Partneritet Europian (PVPP), por deri tani analizimi i shkallës së realizimit nuk është marrë me seriozitet të madh, ndonëse Kosova vazhdon të ketë raporte specifike me BE-në, për shkak se ende pesë vende nuk kanë njohur pavarësinë e shtetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›