E Diel, 1 Nëntor 2026

Çështja "RTK", krijohet komisioni hetimor

Në kërkesën e djeshme të një grupi të deputetëve për të themeluar komisionin hetimor për RTK-në ka pasur parregullsi. Këtë e konfirmoi kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili tha se në listën e nënshkrimeve ka pasur edhe nënshkrime të bëra nga deputetët në emër të njëri-tjetrit. Megjithatë, Kryesia e Kuvendit tha se nuk do ta ndalojë nismën për formimin e komisionit, por vetëm pasi të mblidhen 40 nënshkrime dhe të përcaktohet qartë se në cilat aspekte do të bëhet hetimi.

Kryeparlamentari Krasniqi tha se tërheqja e nënshkrimeve të djeshme të deputetëve nga kërkesa për të themeluar komisionin hetimor për RTK-në është bërë me vullnetin e tyre dhe se nuk ka pasur kurrfarë presioni. Krasniqi shtoi se kërkesa ka pasur parregullsi, pasi në listën e nënshkrimeve ka pasur edhe nënshkrime të cilat janë vënë nga deputetët, në emër të kolegëve të tyre. "Absolutisht nuk kemi bërë presion. Nuk është hera e parë që deputetët i tërheqin nënshkrimet e tyre. Megjithatë ata duhet t‘i kenë nënshkrimet. Ka aty deputetë që nuk e kanë nënshkruar, apo që kanë nënshkruar në emër tjetër. 40 nënshkrimet duhet të jenë të deputetëve", ka thënë Krasniqi.

Kërkesa për krijimin e një komisioni hetimor për RTK nuk u mor parasysh dje në seancën e Kuvendit të Kosovës, pasi në momentin e fundit disa deputetë nga minoritetet tërhoqën nënshkrimet. Sipas Kushtetutës, për të themeluar një komision duhet të bëhet kërkesa e së paku 40 deputetëve. Kryesia e Kuvendit vendosi që të respektojë të drejtën e deputetëve për të themeluar komisione, por vetëm pasi të mblidhen 40 nënshkrime dhe të përcaktohet qartë se për çfarë do të bëhet hetimi: "Ne si kryesi ramë dakord që, konform Kushtetutës, një grup parlamentarësh prej 40 deputetëve e kanë të drejtën për të bërë kërkesën për komision hetimor. Pastaj ata duhet të dinë ç‘do të hetojnë dhe lëndën me të cilën duan të merren".

Kryeparlamentari Krasniqi tha se gjatë dy ditëve të ardhshme do të presë nëse komisioni ad hoc për zgjedhjen e bordit të RTK-së do të konstituohet. Në rast të kundërt, ai tha se do të shfrytëzojë të drejtën për të thirrur mbledhjen e këtij komisioni.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›