GAZË – Të paktën 28 të vrarë në sulmet e fundit izraelite

TEL AVIV, 30 maj /ATSH-DPA/- Të paktën 28 persona u vranë në sulmet izraelite ndaj objektivave në Rripin e Gazës, thanë sot zyrtarët palestinezë.
Zyrtarët e shëndetësisë në Rripin e Gazës raportuan se të paktën 28 persona u vranë në zonën bregdetare të sulmuar që nga nata e djeshme.
Informacioni fillimisht nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
“Gjatë ditës së kaluar, Forcat Ajrore Izraelite goditën dhjetëra objektiva në të gjithë Rripin e Gazës, duke përfshirë terroristë, vende ushtarake, poste vëzhgimi dhe snajperësh që përbënin kërcënim për trupat në zonë, infrastrukturën nëntokësore dhe infrastrukturën shtesë terroriste”, tha ushtria izraelite në një deklaratë.
Sipas burimeve spitalore palestineze, 20 palestinezë u plagosën nga të shtënat me armë gjatë rrugës për në qendrën e shpërndarjes së ndihmave – të drejtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF).
Ata thuhet se u qëlluan nga ushtarë izraelitë pranë al-Bureij. Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Ushtria izraelite fillimisht nuk komentoi për incidentin.
Izraeli ka luftuar organizatën militante palestineze Hamas në Rripin e Gazës që nga masakra e 7 tetorit 2023.
Dy javë më parë, forcat e armatosura izraelite nisën një ofensivë të re të madhe në zonën bregdetare. Shumë vdekje vazhdojnë të raportohen çdo ditë. //a.i/