E Diel, 1 Nëntor 2026

GAZETARI: Opozita është kthyer në shesh. Shihni shqetësime për qeverinë tuaj? KRYEMINISTRI NANO: Aspak. Do të thoja se nuk është diçka personale apo tradicionale. Nuk mund të kem luksin

GAZETARI: Opozita është kthyer në shesh. Shihni shqetësime për qeverinë tuaj?

KRYEMINISTRI NANO: Aspak. Do të thoja se nuk është diçka personale apo tradicionale. Nuk mund të kem luksin të shqetësohem për karrigen time. Ky është një reaksion i arsyeshëm që po përpiqemi ta ndajmë me qytetarët. Jemi në periudhën e transformimeve të programuara dhe të procesit të reformave që na çon në një raport asociimi me Bashkimin Evropian.

GAZETARI: Opozita ka ndryshuar?

KRYEMINISTRI NANO: Në çdo shoqëri në tranzicion mund të gjenden gjithmonë individë apo grupe të dëshpëruara që kanë nevojë për asistencë apo më shumë informacion global për të përmirësuar jetën e tyre. Nga një vend ku jetohet nuk largohesh më, përkundrazi rikthehesh.

Opozita e Berishës në Shqipëri më rezulton i vetmi segment i shoqërisë shqiptare që nuk është bërë pjesë e reformave, sepse sillen në të njëjtën mënyrë: shkojnë lehtësisht tek dhuna kundër stabilitetit dhe institucioneve demokratike të vendit siç bënë më 7 SHKURT. Është një opozitë që nuk e pranon asnjëherë rezultatin e zgjedhjeve që humb, dhe në 15 raunde elektorale në 13 vjet ka fituar vetëm një herë; nuk pranon Kushtetutën, nuk pranon rezultatin e zgjedhjeve që asistohen nga të gjithë dhe faktin që ne po ecim drejt normalitetit. Më pas ajo përpiqet të shfrytëzojë dëshpërimin e grupeve sociale që përballen me kostot e reformave, pasi Shqipëria është e hapur dhe kjo ka kosto për të gjithë, si në çdo vend që kryen reforma - po shkojmë drejt çmimeve ndërkombëtare të tregut dhe jo kostove lokale, - ajo që bën opozita rrezikon imazhin e vendit, kredibilitetin që vendi i ofron investitorëve privatë, agjencive të garancisë për riskun e investimeve siç është SACE apo Exim bank, e cila na ka rivlerësuar në një kategori më pak sensibile ndaj riskut të investimeve etj.

Shqetësimi im është për të konsoliduar raportin me shoqërinë, me politikën lokale, me faktorët e ndryshëm joqeveritarë që duhet dhe mund të kontribuojnë në stabilitetin e procesit të reformave europiane në vend. Nëse opozita do të reagojë ndonjë ditë në këtë drejtim besoj se nuk do të jemi në kryeartikujt ndërkombëtarë, pasi ky do të jetë normaliteti.

GAZETARI: Opozita ju akuzon se keni shfrytëzuar Shërbimet Sekrete për të provokuar dhunën, se nuk keni respektuar marrëveshjen për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe se keni lënë të rriten çmimet veçanërisht të energjisë elektrike dhe të tarifave telefonike etj. Ju si i komentoni?

KRYEMINISTRI NANO: Më duhet të them jo vetëm për publikun shqiptar por edhe atë italian etj, se nuk mund t'ia lejojmë vetës të kemi gjëra të fshehta. Shërbimet tona monitorohen apo asistohen apo bashkëpunojnë me të gjithë, - edhe nga ju italianët dhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë, bashkëpunojmë mirë sëbashku. Këtu ka vetëm spekullim.

Ndërsa çmimet tona monitorizohen jo vetëm nga faktorët e tregut global, por edhe nga institucione ndërkombëtare të specializuara si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. Edhe unë jam çdo ditë nën monitorimin intensiv të BE, Komisione TEAM që punojnë me ne për të monitorizuar target-et që duhet të arrijmë etj per integrimin. Prandaj nuk ka gjëra informale në punën e institucioneve tona.

Opozita ka përpara saj këtë sfidë të madhe: të kapë informacionin global që na rrethon dhe të krijojë një alternativë serioze të qeverisë përmes zgjedhjeve demokratike. Nëse jo, këto akuza, kjo propagandë, dhuna apo manipulimi i turmave, - që janë ata që janë, sepse unë dhe maxhoranca qe drejtoj jam votuar në mënyrë kostante në këtë vend prej 7 vitesh – nuk do t'i krijojnë besimin për vete apo një raport të besueshëm me zgjedhësit, i krijon probleme në raport me opinionin publik ndërkombëtar dhe me një numër faktorësh që na asistojnë.

Qeveria është një nga faktorët në këtë vend, si shërbimet, çmimet e tregut, komuniteti i sipërmarrësve, sindikatat etj. Dhe ne kemi detyrën kushtetuese të angazhohemi në një raport dialogu me të gjithë për të garantuar një proces që ecën përpara dhe përgatit shoqërinë shqiptare, institucionet dhe opozitën madje të kapin normativat europiane.

GAZETARI: Ju keni patur sulme dhe nga një prej ish drejtuesve të parties tuaj, i referohem Ilir Metës. Ai ka shkuar deri aty sa t'ju akuzoi se i keni vënë jetën në rrezik nëpërmjet segmenteve të Shërbimit Sekret.

KRYEMINISTRI NANO: Do të doja t'ju përgjigjesha me një tjetër pyetje. Kush i kontrollon Shërbimet në këtë vend përveçse ligji, Kushtetuta dhe partnerët më te cilët punojmë?. Unë nuk mund ta lejoj dhe nuk e kam bërë kurrë që të vendosen Shërbimet nën komandën time ekzekutive apo personale, sepse është e paligjshme. Unë nuk shkoj lehtë kundër ligjit. Për këtë ju garantoj.

Meta është i ri dhe duhet të fitojë akoma eksperiencën për të bërë politikanin. Meta hyri shumë shpejt në qeveri. Ai vepron mbi reaksione emocionale pasi ka humbur pozicionin e tij në politikën socialiste në vend. Vlerësimi për të ardhmen i ngelet atij.

Partia që unë drejtoj përbëhet nga eksponentë të vërtetë te saj. Ajo është një parti e votuar jo vetëm nga maxhoranca e shqiptarëve por e pranuar edhe në nivel ndërkombëtar, në Internacionalen Socialiste, në komunitetin europian, në raportet me aktorët e mëdhenj ndërkombëtarë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shërbimet i shërbejnë vendit dhe jo Fatos Nanos. Ky është një fakt që të gjithë mund ta kontrollojnë.

GAZETARI: Meta ju akuzon edhe për korrupsion. Ju si përgjigjeni?

KRYEMINISTRI NANO: Nuk kam hezituar asnjëherë për t'u hetuar nga çdo akuzë. Unë jam kompetitiv dhe për këtë bëj këtë detyrë. Jam votuar dhe detyrimisht duhet të jem i vëzhguar për shkak të transparencës që detyra më imponon.

Unë kam dhënë një kosto të kësaj detyre: kam qenë 4 vjet në burg padrejtësisht. Burgimi im ishte politik, i vlerësuar s ii tillë nga Amnisti Internacional dhe Unioni Parlamentar Ndërkombëtar, në kohën e Berishës. Pasi ai e kishte dorën të lehtë mbi opozitën që unë drejtoja 7 vjet më parë. Atëherë nëse Meta dëshiron të ripërsërisë Berishën, fati i këtij të fundit është të mos votohet në këtë vend.

Veprimet e qeverisë janë të monitorizuara nga të gjithë. Nuk ka pse duhet të ndihem vulnerabël se njëri nga oponentët e mi tregon korrupsion tim. Raporti im me detyrën është publik, transparent dhe i monitoruar nga të gjithë.

GAZETARI: Janë Nano-Berisha një binom?

KRYEMINISTRI NANO: Unë nuk ndihem aspak ana tjetër e medaljes Berisha. Nuk ia kam lejuar këtë privilegj, pasi nuk jam sjellë ndaj tij siç ka vepruar ai me mua apo me gjithe faktoret progresiv. Por nëse vazhdon me raportin "homos balkanikus" nëpërmjet opozicionit të qeverisë ju siguroj qe nuk ka shansin të arrijë asgjëkundi.

Shumë mendojnë se avantazhi im në këtë vend është ky lidership i vjetër tradicional, i patransformueshëm i opozitës. Përkundrazi unë them se Berisha është një handikap për vendin, sepse është në kontakt me pjesë të shoqërisë, që në fakt janë më te izoluar nga progresi i vendit dhe të procesit të integrimit që po jetojmë dhe ai i mban ata në një gjendje injorance dhe për këtë e votojnë. Kjo më rezulton një pengesë e çmontueshme, por serioze në procesin e reformave dhe në ritmin tonë të rritjes dhe të integrimit dhe ne do të veprojmë në këtë drejtim për të integruar të gjitha ato pjesë të shoqërisë në nevojë. Përpjekjet tona nuk do të rreshtin për këtë.

Do të kërkojmë të identifikojmë, (dhe mendoj se po lind një tjetër opozitë), të tjerë partnerë në spektrin opozitar të vendit, për t'u impenjuar në një raport kompetiviteti midis alternativave se kush mund ta bëjë më mirë këtë proces reformash dhe të presësh verdiktin final të zgjedhësve, në një vend demokratik. Por Shqipëria ecën dhe ju siguroj do te eci përpara me ose pa Berishën.

GAZETARI: Shqipëria ka përshpejtuar rrugën drejt NATO-s. Ajo aprovoi me shpejtësi edhe ndërhyrjen e amerikanëve në Irak. Kjo nuk ju ka krijuar ndonjë problem brenda Internacionales Socialiste?

KRYEMINISTRI NANO: Duhet të dini se Internacionalja është organizata politike më e madhe ndërkombëtare, ku mund jetojnë sëbashku nga Peraz te Raul Alfonsino. Aty jemi sëbashku unë, D'Alema, Kryeministra, ish Kryeministra, që kanë gjithmonë dinamizmin, nëse duan, për t'u rikthyer në qeveri. Atëherë nuk ka pse të mos bashkëjetohet në rrethin e Internacionales Socialiste. Ajo është një format që reflekton konteksin global bashkëkohor, ku ka globalizëm dhe antiglobalizëm, ku ka kompeticion alternativash, ku ka gjithmonë alternativa ndaj qeverive dhe qeveritë po ashtu japin alternativa demokratike.

Atëherë, SHBA, BE dhe Shqipëria mund të vendosen realisht në një vijë, ku Shqipëria nuk duhet të jetë e detyruar të vendoset në pozicion sanduiçi. Ne jemi të ndërgjegjshëm se kemi ndjekur interesat tona, duke u bashkuar me aksionin dhe koalicionin global kundër terrorizmit. Ne e bëjmë këtë edhe në shenjë mirënjohjeje ndaj kontributit të madh që SHBA i ka dhënë kombit shqiptar dhe që ende po kontribuon për stabilitetin dhe rritjen europiane të Ballkanit.

Kjo aspak nuk është një afrim kundër Europës. Ne jemi me të vërtetë të nderuar që edhe prezenca amerikane në Ballkan dhe në Shqipëri na ndihmon të kapim më mirë normativat europiane, pasi janë të njëjtat programe. Dhe këto dy pole të avangardës globale shkojnë me të vërtetë në harmoni në këtë rajon dhe, nëse nuk ndodh kjo gjithmonë në rajone të tjera të botës, ne nuk mund të bëjmë arbitrin ndërkombëtar.

GAZETARI: Sa rrezikon Shqipëria nga infiltrimi i ekstremistëve islamikë?

KRYEMINISTRI NANO: Shqipëria nuk është invulnerabile nga rreziqet globale apo penetrimet që na kërcënojnë të gjithëve. Në sensin e terrorizmit islamik duhet të nënvizoj se Shqipëria është e imunizuar. Islamizmi shqiptar është i përbërë nga dy sekte, që janë tolerante, - këtu është dhe Qendra Botërore e Bektashizmit – që gjithmonë ka shërbyer si urë jo vetëm në botën islamike por edhe me komunitetet e tjera fetare.

Shqipëria është mbretëria e bashkëjetesës paqësore midis tre komuniteteve fetare: ortodokse, katolike dhe muslimane. Në këtë sens, dua të vë në dukje faktin se ne kemi humbur 1.5 milion shqiptarë në emigracion në 13 vitet e tranzicionit, por as dhe një prej tyre nuk ka shkuar në vendet fondamentaliste islamike.

Komuniteti musliman në Shqipëri është një nga faktorët e rritjes demokratike të vendit, një nga faktorët që ndihmon gjysmën apo më shumë të popullsisë – këto janë raportet aktuale – të tresin më mirë kostot e reformave dhe efektin e mungesës së lirisë së fesë në më shumë se 30 vjet nën regjimin komunist në Shqipëri. Liria e fesë në institucionet respektive të tre komuniteteve fetare në Shqipëri janë një nga interlokutorët e shtetit dhe të qeverisë për të ndërtuar një raport normal me botën globale që na rrethon, në Ballkan apo Evropë, dhe në procesin e integrimit, që e bën Shqipërinë një vend ku mund të qëndrojnë bashkë kisha dhe xhamia.

GAZETARI: Por rreziku vjen nga jashtë, nga grupet që i dedikohen bamirësisë, grupe të mëdha ekonomike që mund t'i lëvizin me lëhtësi paratë. Ndoshta aty duhet të shikohet?.

KRYEMINISTRI NANO: Për këtë garantoj se Shërbimet tona janë tepër efikase. Nëse nuk janë efikase të më shërbejnë mua (siç thotç Berisha,) janë tepër efikase t'i shërbejnë sigurisë së vendit për të mos lejuar penetrimin e elementëve terroristë apo që duan të shrytëzojnë pjesë të shoqërisë shqiptare për qëllime të nxitjes së inisiativave të terrorizmit global. Unë e them me bindje se guri themeor i lirisë së fesë është se shpirti nuk shitet. Dhe shpirti shqiptar është shumë e vështirë të blihet. Për këtë ju garantoj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›