Kryeministri Fatos Nano i ka dërguar Artistit të Popullit, të nderuarit Sulejman Pitarka një mesazh përshëndetës me rastin e 80 vjetorit të lindjes. Në këtë mesazh Kryeministri Nano shkrua
Kryeministri Fatos Nano i ka dërguar Artistit të Popullit, të nderuarit Sulejman Pitarka një mesazh përshëndetës me rastin e 80 vjetorit të lindjes. Në këtë mesazh Kryeministri Nano shkruan:
" I nderuar zoti Pitarka,
Tani që Ju mbushët 80 vjet, kur ktheni kokën pas për të vështruar jetën dhe aktivitetin Tuaj artistik dhe shoqëror, Ju, sikurse ne, keni me çfarë të krenoheni.
Në vargmalin e plejadës tënde të aktorëve të mëdhenj që ndërtuan teatrin dhe dramaturgjinë kombëtare, si dhe krijuan trupën kombëtare të aktrimit, Ju jeni "një majë e lartë", solide, e barabartë me vetveten, përkrah të tjerave, si: ajo e Besim Lëvonjës, Mihal Popit, Naim Frashërit, Prokop Mimës, Kadri Roshit, Drita Pelingut, Margarita Xhepës dhe Violeta Manushit e shumë e shumë të tjerëve po aq të vyer.
I dashur Sul,
zëri yt i mrekullueshëm me atë timbrim të veçantë dhe intonim të një plastike zanore, i ngjyrosur aq bukur emocionalisht, aftësia Juaj për të folur përsosshmërisht të gjitha dialektet e shqipes sonë të pasur, që nga gegërishtja e Kosovës, deri tek çamërishtja muzikale, dialektin e Dibrës dhe atë të Shqipërisë së Mesme, toskërishten e pasur dhe gjuhën letrare, janë kontribute që e bëjnë personalitetin Tuaj artistik një univers vlerash aktrimi, shkolle për të ardhmen. Kjo përbën një pasuri kombëtare që do të vlerësohet dhe përdoret si e tillë edhe nga brezat e rinj të aktorëve.
Galeria tejet e pasur e figurave të krijuara nga ju në skenë dhe në ekran janë ditët dhe netët e punës dhe sakrificës. Janë muajt dhe vitet e përkushtimit dhe emocionit, tek e fundit dekadat e kontributit dhe dinjitetit tuaj artistik. Ato janë vetë Sulejman Pitarka i papërsëritshëm dhe fisnik.
Ju artistët, i dashur Sul, jeni me fat. Sepse me veprën tuaj jetoni më shumë se koha.
Gëzuar 80 vjetorin, jetë të gjatë dhe gëzim në familje.
Juaji miqësisht,
Fatos Nano