E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, gati nisja e procesit në Fier, ku janë konstatuar mbi 2000 dublikata



Më shumë se 2000 dublikata ekzistojnë në listat e zyrave të Gjendjes Civile të Fierit. Këtij numri u shtohen edhe dublikatat e emrave të listës së gjendjeve civile të rrethit Mallakastër. Deklarata është bërë nga përgjegjësja e zyrës së Gjendjes Civile të qarkut Fier, Lumturi Moçka. Kjo e fundit ka deklaruar se ka nisur edhe procesi i verifikimit dhe pastrimit të regjistrave nga kjo dukuri, proces i cili pritet të përfundojë së bashku me aksionin qeveritar të pajisjes së qytetarë me karta identiteti. “Për rrethin Fier janë 2020 dublikata, ndërsa për rrethin Mallakastrës janë 420. Numrin më të madh të dublikatave e zë rrethi Fier. 640 dublikata janë gjetur në Bashkinë e Fierit, por kjo nuk do të thotë se këto janë reale, por të dyshuara, sepse këtu futen dy persona ku mund të kenë atësi dhe mbiemër të njëjtë, por ndryshon datëlindja. Ne këta persona i kemi futur si dublim të dyshuar. Duhet verifikuar edhe njëherë nga punonjësit për këto raste. Tjetër problem ka dalë edhe ai i personave binjakë, të cilët janë futur si të dyshuar në dublikatae”, - ka pohuar Moçka. Nga ana tjetër, në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, sipas saj, ka përfunduar procesi i përgatitjes së ambienteve ku do të punohet për pajisjen e letërnjoftimeve elektronike për qytetarët fierakë. “Në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, janë të gatshme zyrat për përgatitjen dhe nxjerrjen e letërnjoftimeve”, -tha ajo. Të paktën kjo deklaratë del nga zyrat e Gjendjes Civile në Fier, ndërsa do të jetë procesi në vijim, ai që do të nxjerrë edhe problemet e mundshme që ekzistojnë edhe do të lindin gjatë këtij aksioni kombëtar.

Dëshmitarët revoltohen për shtyrjen e seancave

Tiranë - Shtatë dëshmitarët e thirrur nga Gjykata e Krimeve të Rënda për të dëshmuar mbi ngjarjet e ‘97-s në Lushnjë janë revoltuar në sallën e gjykatës menjëherë pasi gjyqtarja Marsela Balili, deklaroi shtyrjen e seancës për një proces të mëpasshëm. Sipas tyre, kjo do t’u kushtoje atyre udhëtim tjetër nga qyteti i tyre drejt Tiranës. Procesi për shtatë të pandehurit e bandës së Lushnjës, me në krye ish-drejtuesin e saj, Aldo Baren, ka nisur që prej majit 2007. Për shkak të shtyrjeve të herëpashershme, por edhe faktit se janë konsumuar të gjitha trupat gjykuese të Krimeve të Rënda, tashmë ky proces po shqyrtohet në të njëjtin rang gjykate, por me një pesëshe të marrë borxh nga Gjykata e Tiranës. Menjëherë pasi seanca është shtyrë, dëshmitarët që nuk po arrijnë të dëshmojnë, megjithëse kanë ardhur disa herë, paralajmërojnë se nuk do të paraqiten më në rast se gjyqi vazhdon të shtyhet.

7 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›