“Banorët e shkallës 5” rikthehet në Teatrin Kombëtar
Në një shkallë pallati në kohën e diktaturës, tetë personazhe, fqinjë mes tyre jetojnë ditët duke u frikësuar nga fjalët dhe veshët e të tjerëve. Ky është subjekti i komedisë “Banorët e shkallës 5” të dramaturgut shqiptar Kin Dushi, me të cilën ka zgjedhur të prezantohet në “Festivalin e regjisorëve të rinj”, regjisorja Sonila Ulqinaku. Kjo shfaqje e cila e ka premierën e saj në mbrëmjen e sotme do të vijë për spektatorin e interpretuar nga një grup aktorësh të rinj si Ermira Hysaj, Valdrin Hasani, Arber Islami, Xheni Demi, Alfred Zeneli, Klodian Hoxha, Brikena Sinanaj dhe Daniel Zhuli. Për regjisoren kjo është vepra e dytë që vendos në skënë pas “Kujtime nga Çajupi”. Ajo ka përzgjedhur sërish një vepër shqiptare dhe thotë se “kam vënë re se kohët e fundit skenës së teatrit i mungojnë veprat e autorëve shqiptar, ndaj dhe unë jam përpjekur të risjell disa prej tyre”. Ka zgjedhur këtë herë komedinë e Kin Dushit për arsye se “Është një komedi situatash, e cila të intrigon shumë. Dialogët vinin natyrshëm dhe personazhet janë të krijuar qartë. Kjo komedi bën fjalë për një epokë që na habit dhe pasojat e saj i jetojmë sot. E kam marrë si një sfidë për të provuar forma të tjera të artit, që ndoshta do të kishin dashur autorët e atëhershëm të provonin, por që sistemi nuk i lejoi”. Ndonëse është munduar të ndryshojë diçka dhe të bëjë disa ripunime, Sonila Ulqinaku insiston se “kjo është një vepër që ka në qendër të saj prindërit tanë, fqinjët dhe miqtë e tyre. Ndonëse nuk e njohim nga afër, kemi dëgjuar shumë për të”. Kjo komedi pasi ka rreth 2 muaj që po përgatitet do të ngjitet në skenën e dytë të Teatrit Kombëtar gjatë kësaj fundjave në orën 19:00. “Banorët e shkallës 5”, është vënë në skenë për herë të parë në vitin 1963. Katër vjet më pas, autori u dënua me 8 vjet burg në Burrel për arsye të veprave të tij. Kin Dushi u lind në Shirokë të Shkodrës, në vitin 1922. Disa ndër vepart e tij janë romanet “Në gojë të ujkut”, “Udha e Velanit”, “Kronikë e vendit tim”, “Banorët e shkallës 5” dhe “Autobiografia”. Vepra e fundit që do të shkruante para se të burgosej ishte “Një emër mes yjeve”. Më pas në vitin 1988, Kin Dushi iu rikthye letërsisë deri në vitin 1994, kur u nda nga jeta, duke lënë të papërfunduar veprën “Njeriu me proteza”
19 Tetor 2009