Vapa shkakton viktimën e parë, humbet jetën 29-vjeçari
KORCE- I nxehti i madh që ka përfshirë vendin regjistron viktimën e parë në Korçë. Temperaturat e larta të ditëve të fundit, të pazakonta për klimën e freskët malore të rajonit të Korçës, për fat të keq kanë sjellë dhe një viktimë. Një i ri 29-vjeçar ka vdekur si pasojë e një ataku kardiak, i cili sipas mjekëve mendohet të jetë shkaktuar nga vapa e madhe. Olger Sulollari ka vdekur gjatë rrugës për në spital, teksa është transportuar nga familjarët për ndihmë mjekësore në urgjencën e qytetit. 29-vjeçari është ndierë keq, ndërsa nuk ka mundur të durojë vapën e madhe, temperaturat e të cilës vetëm një ditë më parë ka regjistruar në termometrin e juglindjes, 27 gradë celsius. I riu ka shkuar në shtëpi gjatë kohës së drekës si çdo ditë tjetër, ndërsa iu ka thënë familjarëve se nuk mund të përballonte këtë vapë e cila e kishte bërë të ndihej keq që në ortë e para të mëngjesit. Ai gati ka rënë pa ndjenja në shtëpi, ndërsa të afërmit e tij të alarmuar e kanë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Korçës. Rezultatet e autopsisë kanë dalë në përfundimin se vdekja ka ardhur si pasojë e një ataku të papritur kardiak, që mund të jetë nxitur nga vapa e pazakontë. Gjatë kësaj periudhe temperatura tradicionale në Korçë është rreth 17 gradë celsius, ndërsa për herë të parë regjistrohen temperaturat e një dite korriku.
Mjekimi i pakujdesshëm që la të paralizuar fëmijën, 400 mijë lekë gjobë infermieres
Tiranë - Gjykata e Rrethit të Tiranës ka dënuar me 400 mijë lekë gjobë infermieren F. Agastra, e akuzuar për “mjekim të pakujdesshëm”. Vendimi është dhënë dje, nga gjyqtari Kreshnik Omari, bëjnë të ditur për gazetën “Albania”, burime nga gjykata. Ngjarja për të cilën akuzohet Agastra ka ndodhur më 2 shtator të vitit 2006. Një vajzë 7 vjeçare, Luçiana P., është dërguar nga gjyshja e saj në QSUT, pasi kishte temperaturë të lartë. Mjeku i rojës kishte urdhëruar infermieren e turnit për t’i injektuar një injeksion, i cili më pas i ka shkaktuar vogëlushes paralizë. Pas kësaj ngjarjeje ka qenë e ëma e vajzës ajo që bëri edhe denoncimin në Prokurorinë e Tiranës. Organi i akuzës kërkoi dy seanca më parë, dënimin e infermieres me 600 mijë lekë gjobë.
Krimet e Rënda, burg pa afat për 3 gjermanët e 40 kg heroinë
Tiranë - Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka caktuar dje masën e sigurisë “arrest me burg” për tre shtetasit gjermanë të kapur me 40 kilogramë heroinë. Të pandehurit janë Franz Kiacsek, 43 vjeç, Regina Kiacsek, 46 vjeçe dhe Daniel Englert, 61 vjeç. Para gjykatës të pandehurit kanë mohuar akuzat, duke pretenduar se nuk mendonin se në automjetin e tyre gjendjen lëndë narkotike, por një pikturë. Pavarësisht pretendimeve gjykata ka caktuar në ngarkim të tyre masën e sigurisë “arrest me burg”. Tre shtetasit gjermanë ranë në pranga në sajë të operacionit të koduar “Kështjella”. Së bashku me ta në pranga ranë dhe dy shtetas shqiptarë, Zaim Tafa pronari i lokalit me emrin “Kështjella” në rrugën që të çon në Patos dhe Alban Pëllumbi.
27 Maj 2009